DURRËS- Do të legalizojmë falas çdo ndërtim pa leje në zonat informale tha Kryeministri Rama gjatë një takimi me banorë të Rrashbullit në Durrës ku është shpërndarë edhe certifikata e pronësisë së ndërtimeve për 1200 banorë.

Duke u shprehur se ky proces është falas, pakosto për qytetarët, Rama ka akuzuar qeverinë e mëparshme se në 8 vite ka dhënë vetëm 59 leje legalizimi, e kryesisht për biznese.

Në një vit kemi çuar përpara procesin e legalizimeve, duam t’i japim fund zvarritjeve në këtë proces. Gjatë qeverisjes së shkuar është bërë shumë pak për legalizimet. në 8 vite u legalizuan 59 ngrehina, nga të cilat pjesa më e madhe biznese, ne sot do të ndajnë 1200 leje legalizimi falas, të gjitha banesa. Me këtë takim ne kalojmë 7 mijë legalizime vetëm në Bashkinë e re të Durrësit. Sigurisht që ka ende shumë për të bërë. Nëse shohim se ç’duhet bërë, jemi ende larg destinacionit. Por nëse krahasojmë me ç’ishte bërë në 8 vite, është e dukshme se sa është bërë në 18 muaj. Dhe kjo tregon se jemi në drejtimin e duhur”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri Rama tha se qeveria që ai drejton do të vijojë investimet në qendrat e banuara, për t’u krijuar atyre sa më shumë mundësi dhe shërbime të ofruara.

Ne do të vazhdojmë të bëjmë investime te ai që ne e quajmë Durrësi i ri, ndërsa ata të PD-së e quajnë këneta. Ne duam të transformojmë jetën e qendrave të banuara. Vangjush Dako është një shembull, një model, një arsye për të besuar se është fjala te një vizion dhe te një projekt. Do të bëjmë investime në të gjithë Bashkinë e re të Durrësit”, tha Kryeministri Rama.

Këto janë zgjedhjet e 21 qershorit. Ne kemi programin dhe planet për këto zgjedhje. Ata nuk flasin për këto projekte, se nuk dinë t’i bëjnë. Nuk dinë të japin shembuj”, tha Kryeministri Rama, ndërsa takimi me banorët e Rashbullit vazhdoi me shpërndarjen e lejeve të legalizimit për banesat.

Pasditen e sotme, Kryeministri Rama prezantoi gjithashtu edhe kandidatët e majtë për këshillin bashkiak të Durrësit, gjatë një takimi me banorët e e këtij qyteti. 

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)