Lidhur me shtimin e universiteteve private dhe pyetjes së një studenti se "ç'do bëhemi pas shkollës, kamarierë apo banakierë", Rama iu përgjigj: "Masivizimi përtej çdolloj logjike e jo më përtej çdolloj standardi e kriteri. Një zgjedhje tërësisht e gabuar e hileqare e qeverisë për të mos u përballuar me papunësinë rinore, duke blerë qetësinë për disa vite përmes joshjes për disa vite përmes universitetit", tha Rama.
Ai më tej i shtoi argumentit, se qeveria u thotë prindërve: "Ja ku është universiteti, dyert janë të hapura dhe mund të hyni, edhe nga çatia mund të hyni, kjo e shoqëruar me katastrofën e madhe të licencimit pa asnjë karar të universiteteve private, që po i afrohet numri 100. Vendet e zhvilluara një numër të kufizua Shqipëria ka numrin më të madh në BE, më shumë se shumë vende së bashku".
Rama i ka shtuar argumentit, se "sot kemi numrin më të madh të juristëve për km/katrorë, por me zor gjen elektricistë, teknikë në bujqësi, naftë, sistemin energjetik mungojnë". Një nga përgjigjet e Ramës është edhe arsimimi profesional. Por edhe “të lidhim universitetin me tregun e punës dhe ekonominë dhe programin tonë për zhvillimin e ekonomisë”, theksoi Rama.
TË NDËRTOJMË ADMINISTRATË MERITOKRATIKE
Shqetësimit se vendet e punës mbushen jo me studentët më të zotë, pasi ata mbeten pa punë, Rama tha se “kjo lidhet me korridore që nuk hapen falë meritës; nga njëra anë kemi studentë të aftë, që mbarojnë plotësisht për t’i shërbyer këtij vendi, në sistemin arsimor e me radhë, duke garantuar standardet më të lartë, ndërkohë që fatkeqësisht kjo nuk do të thotë asgjë, sepse burimet njerëzore që thithen nga shteti çmohen mbi të tjera kritere. Nëse nuk marrim masa urgjente brenda pak viteve mund të gjendemi pa mësues matematike, të shkencave ekzakte, që kanë gjithmonë e më pak prodhimtari nga universiteti, sepse prirja është në fusha të tjera. Sfida është të ndërtojmë një administratë meritokratike", tha Rama.
MËSUESIT NUK DO REKRUTOHEN PA PRINDËRIT
Rama propozoi se mësuesit pas 23 qershorit nuk do rekrutohen më pa pjesëmarrjen e prindërve. Sipas tij, vlerësimi për çdo mësues të bëhet nga një bord, ku të marrin pjesë përfaqësuesit e qeverisë dhe komiteti i prindërve. Pa miratimin e prindërve mësuesit nuk mund të marrin ok. “Cilësia do jetë më e garantuar dhe partia s’do ketë më asnjë veto që të vendosë kush do të jetë mësuesi. Sa më larg partia nga shkolla aq më shumë garanci për cilësinë”, theksoi Rama. Pjesë nga biseda e Ramës në Universitetin e Vlorës
DO SYNOJMË CILËSI DHE JO SASI
Jemi kundër ideve dhe propozimeve që paratë publike të shkojnë për të financuar universitete private. Kjo s’mund të bëhet. Jemi absolutisht pro, që t’i japim autonomi më të madhe universiteteve, t’i krijojmë kushte dhe të hyjmë në marrëdhënie partneriteti edhe në funksion të shkëmbimit të ideve, por universiteti duhet të lidhet me tregun, botën e punës, të funksionojë si një burim mbështetje për kompanitë. Aktivitete të ndryshme në sipërmarrje, si burim mbështetje për aktivitete të caktuara të vetë qeverisë. Në botën normale, qeveria, ministri të ndryshme projektet ia porosisin universitetit, financojnë indirekt, duke përfituar shërbime nga universiteti. Sot universitetet janë të shkëputur nga bota reale, është territor i mbyllur në vetvete, që përballet me një problematikë shumë të rëndë, mbingarkesa në njerëz, në volum orësh e pune, mbingarkesë në gjithë procesin e vetë të mbrapshtë, që ul cilësinë. Do synojmë t’i japim cilësi dhe jo sasi. Jo me idenë sa më shumë sasi aq më shumë cilësi. Që nga sistemi i maturës shtetërore, që duhet të ndryshojë e duhet të jetë shumë më selektiv dhe rigoroz.
S’KEMI UNIVERSITETE ME PROFIL
"Kemi universitete por s’kemi profile, për çfarë arsyesh duhet universiteti i Vlorës dhe çfarë bën Universiteti i Vlorës apo i Shkodrës në funksion të një territori apo prirjeje të caktuar, që mund të lidhet me ekonominë kombëtare. Nëse flasim për zhvillimin e turizmit, e rëndësishme është që në hartën e botës universitare të kemi të qartë se çfarë profilesh kanë universitete të ndryshme, ç’arsye kanë për të ekzistuar në një territor e si t’i shërbejë planit ekonomik kombëtar dhe kjo e lidh vetiu edhe me kërkimin shkencor. Tek ne s’ka asnjë universitet në një profil, të gjitha universitetet janë të përgjithshme, si edhe privatet, fabrikat e diplomave", analizoi Rama.
UNIVERSITETET SOT, SI FIRMAT PIRAMIDALE NË '97-N
Rama e ka barazuar situatën e universiteteve sot me piramidat e '97-s. "Është njësoj me atë që është bërë me skemat piramidale, njësoj. Futini lekët atje se janë të pastra dhe ato shumohen si me magji. Investojini ju o prindër paratë e kursimeve tuaja për të realizuar ëndrrën tuaj, që fëmija juaj të bëhet me diplomë e mastër e dokturaturë e ju pedagogë mos bëni llafe shumë, po shkoni bëni mitingje nëpër auditore, ku nxënësit rrinë njëri mbi tjetrin, është bërë për me tre turne, vitet kalojnë dhe pasojat ndodhen tek shtimi i të papunëve me diplomë. Ashtu siç mbetën me gisht në gojë ata që hodhën para te firmat piramidale dje, ashtu mbeten qindra mijëra të rinj, që diploma nuk iu garanton asgjë". Rama e ka karahasuar situatën me Francën. "Nuk është se në një vend tjetër si Franca, kur merr diplomë automatikisht merr një punë, të mos bëjmë propagandë. Por këtu është problemi se kemi të disproporcionuar kërkesën me ofertën, realitetin me virtualitetin".
RAMA DHE “TAKSIXHIU” ME MASTER
“Kam një zakon të vjetër - tregoi Rama - një herë në 2-3 muaj hypi në një taksi natën dhe i them taksistit: “Fol”. Taksistët janë një barometër, pasi janë në kontakt me gjithçka. Shëtis me ta 2 orë nëpër natë dhe dëgjoj. Taksisti ishte bërë me diplomë, madje me master. “Marr fëmijët e pronarit, gruan dhe ai më dha diplomë e master”.
INSTAT DO MENAXHOHET NGA BE
Rama ka premtuar se INSTAT pas 23 qershorit do menaxhohet nga BE. "Do shfrytëzojmë një program të BE dhe do ta binjakëzojmë Institutin me një vend të BE-së, që nënkupton marrjen e statistikave nga ai vend përkatës dhe menaxhimin e tij për disa vite, larg ndikimit të qeverisë shqiptare dhe s’varet as nga një qeveri, që të marrim vesh se ku jemi. Gjendja është shumë më e rëndë se ç’mendojmë kur vjen puna te shifrat reale.
Rama kujtoi se Instati publikoi nga 2009 deri në fund 2012 se forca e punës ka rënë me 51 mijë njerëz. "Janë humbur këto vende pune - tha Rama - duke shtuar se ne e përsëritëm disa herë këtë shifër, por doli kryeministri dhe thoshte se i kemi krijuar vendet e punës, por janë të padukshme. Kur doli tha, kemi krijuar 200 mijë vende pune. U fik ca ditë faqja e INSTAT. Vumë bast që ishte fikur se do fshihej shifra e papunësisë. E çuan 9 mijë mangut", deklaroi Rama.
"Na thonë, ç’e keni këtë 1 milion të papunë? Por është elementare, po të marrësh shifrat nga Banka e Shqipërisë, të heqësh pensionistët, fëmijët, invalidët, hiq ata që janë jashtë vendit dhe kjo shifër del", tha Rama.
DYERT E UNIVERSITETEVE, JO TË HYJË KUSH TË DOJË
"Dy elementë janë për t’u nënvizuar; e para që nuk do t’i lëmë dyert e universiteteve të hapura edhe natën, e të hyjë kush të dojë e të vijë kush do. Madje dhe duke iu imponuar universiteteve. Do ta ndryshojmë këtë, duke e bërë shumë më konkurrues dhe selektiv, duke synuar cilësinë", tha Rama.
DO NDRYSHOJMË SISTEMIN E MATURËS
"E dyta; do ndryshojmë sistemin e maturës shtetërore, ajo duhet të vlejë për të vlerësuar sa ka marrë në vitet që shkuan nxënësi, ndërkohë që hyrja në universitet është proces tjetër, nuk është i njëjti proces. Në të kundërt nuk mbetet veçse të rrënojmë përfundimisht dhe pa kthim një gjeneratë të tërë. Cilësia e mësimdhënies në shkolla sot pasojat i ka nesër. Digjen mësuesit, digjen edhe nxënësit", premtoi Rama.
DUA TA MAS FJALËN
Edi Rama me pak shaka është shprehur "se dua ta mas fjalën, jam deputet në Vlorë do më duhet të vij shpesh. Dëshira ime të vij e të flas shpesh për të folur për këto gjëra. Mirë këta të tjerët, do thoni, po dhe ai tjetri 2 m i gjatë na gënjeu?! Se nuk kam as ku fshihem. Është më rëndë gënjeshtra e të gjatit, ndaj Saliu rri kështu...si i përkulut..e përtej shakasë dua t’u siguroj për një gjë, jam shumë i vetëdijshëm që programi ka nevojë për jetësim, edhe pse kemi bërë punë kolosale. Të bëjmë program qeverisës e jo listë me dëshira, se çfarë do të dëgjojë Vlora, e të vemi t’ua themi e të marrim vota. Por programi është një libër i shkruar, jetësimi është një pjesë tjetër", ka shpejguar Rama.
SHQIPËRIA NUK KA PASUR ASNJË PROGRAM PËR DETIN
Pyetjes mbi të ardhmen e inxinierisë detare, që sot për sot është pa prespektivë, Rama iu përgjigj se "për pjesën e programit që lidhet me detin dhe integrimin e detit do të na duhet të punojmë ngushtësisht me gjithë ekspertët e mundshëm, por detin e kemi në program", ka premtuar Rama. Duke shtuar se jemi i vetmi vend i Mesdheut, që detin nuk e kemi në ekonomi, e kemi vetëm për not, ku ndërpritet gjithë veprimtaria e jahteve, veprimtarive në det. S’kemi as mekanikë, flota e peshkimit një turp i madh. Kroacia e nisi me 300 anije e sot ka 17 mijë. Ne jemi ende te anijet e vjetra, që disa njerëz pasionantë i mbajnë gjallë", vërejti me keqardhje Rama.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)