E njohur nga qytetarët e Durrësit si Kodra e Currilave ka qenë një zonë shumë problematike. Gjatë reshjeve të shiut, për shkak të rrëshiqtjes së dherave, ajo ishte kthyer edhe në një zonë me rrezik për qytetarët. Një shëtitore dheparku i ri në Kodër janë pamja e re e saj.
Vlera e këtij investimi, për kryebashkiakun Vangjush Dako, është e dyfishtë, çliron buxhetin e qytetit nga shpenzime të përvitshme për disiplinimin e saj nga rrëshqitja e dherave, si dhe u rikthen qytetarëve një hapësirë urbane me standarde. "Kjo kodër i është rikthyer qytetarëve të Durrësit si një vend shëtitjeje e argëtimi. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me Ministrinë e Mjedisit, për ta shtrire këtë projekt deri te Kodra e Vilës, për t'i dhënë mundësinë qytetarëve të Durrësi ta shijojnë atë, edhe si një pistë vrapimi," - u shpreh Dako.
Ndërsa Ministri i Mjedisit, Lefter Koka e cilësoi një model për zona të tjera të ngjashme, me rëndësi ekonomike dhe turistike. "Një model që edhe një zonë që kishte humbur çdo shpresë dhe kishte humbur besimi i njerëzve mund të transformohej në një lulishte dhe sot do ta konsideroj me plotë kuptimin e fjalës, një peizazh natyror i përkryer. Ne do të vazhdojmë në zona të tjera të Shqipërisë, që janë zona të rëndësishme ekonomike, turistike," - tha ministri Koka.
Kryeministri Rama u shpreh se degradimi i kësaj zone ishte një goditje e rëndë për potencialin turistik të Durrësit dhe ky investim e kthen në një atraksion të rëndësishëm për qytetin.
Shefi i qeverise cilesoi se, "për qytetarët e Durrësit, kjo ishte e njohur si kodra e rrëshqitjeve të dherave dhe e rreziqeve të vazhdueshme, ndërsa për gjithë vizitorët e panumërt nga Tirana apo nga kudo, kjo ishte një goditje në sy që pengonte të shijohej kjo zonë me një potencial kaq të rëndësishëm turistik. Falë kësaj ndërhyrjeje të qeverisë shqiptare, këtu kemi një transformim rrënjësor, janë mbjellë 50 mijë fidanë dhe brenda një harku 2-3 vjeçar do të kemi një pamje të transformuar të një kodre të gjelbëruar dhe një larmi bimësie, që do të jetë vërtet një atraksion i rëndësishëm për të gjithë ata që do të shfrytëzojnë vijën e shëtitjes në ajër të pastër. Një vijë shëtitjeje që synojmë ta zgjasim e ta çojmë deri tek Kodra e Vilës, për t'i dhënë qytetarëve të Durrësit, një kilometër shëtitore të re."
Kryeministri theksoi faktin se qeveria mbetet e angazhuar për të korrigjuar gabimet e së shkuarës në qëndrimin ndaj mjedisit dhe pyjeve. "Kam shumë kënaqësi të them se vetëm në vitin e parë të qeverisë, pra, të vitit të parë të mbjelljes kemi kapur kuotën e 2.5 milionë fidanëve dhe jemi në një proces ripërtëritjeje të një plage të tmerrshme, të hapur për 20 vjet rresht me shkatërrimin e pyjeve dhe dëmtimin masiv të florës së vendit tonë. Durrësi, për ne, ka qenë e mbetet një prioritet strategjik dhe në kuadrin e kësaj qasjeje, edhe ky investim është një shenjë shumë e fortë për rilindjen që duam për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë", tha ai