“Aleanca për Shqipërinë Evropiane” ka zhvilluar në qytetin e Kavajës mitingun përmbyllës për fushatën zgjedhore të 21 qershorit. Në miting ishte i pranishëm dhe kryeministri, Edi Rama i cili u ktheu përgjigje akuzave të PD-së për kandidatin e majtë në këtë bashki.

“Nuk ka asnjë mister me emrin e tij. Më thanë që ka ardhur Luli këtu dhe ka pyetur si e ka emrin kryetari i bashkisë, Elvis apo Elvin. Unë dua ta pyes: Si e ka emrin kryetari i PD-së, Sali apo Lul?”, u shpreh Rama. "Elvisi e ka transformuar Kavajën në katër vite. Është e qartë që i vetmi mister për Kavajën është se në dorë të kujt ka ngelur PD-ja, në dorë të Saliut apo Lulit”, tha më tej kryeministri.

Rama foli edhe për heqjen e Monumentit të Fitores në Kavajë, ku tha se bëhet fjalë për kthimin e dinjitetit të kujdes për qytetarët. “Shkulja e një memoriali që ishte krejtësisht i padenjë, një shëmtirë e artit komunist. Nuk ishte shkulja nga zemra e Kavajës, e asaj kujtese historike për Kavajën por ishte kthimi i dinjitetit të asaj kujtese përmes një memoriali të realizuar nga një skulptor i madh shqiptar, Ilir Xhixha”, tha kryeministri.

Ndërsa vetë kandidati i majtë, Elvis Roshi në fjalën e tij tha se, sot Kavaja është ndryshe nga ajo e katër viteve më parë. “Kemi investuar 12 milionë dollarë në katër vite. Kemi shumë punë për të bërë, por Elvis Roshin dhe stafin e tij nuk e tremb askush se ka mbështetjen e kryeministrit, Edi Rama”, tha ai.

Duke premtuar në katër vitet e ardhshme, Kavaja do të kthehet në një qytet Evropian, Roshi foli dhe për akuzat e PD-së ndaj figurës së tij. “Unë jam Elvis Roshi dhe jo Elvin Roshi. Unë jam një djalë Kavaje që ka sakrifikuar jetën që 15 vjeç. Ju më njihni mirë. Çdo gjë e kam bërë me shpatullat e mia”, tha Roshi.

Rama-Roshi zbulojnë obeliskun e ri të Kavajës
Kryeministri Rama dhe kreu i Bashkisë Kavajë, i cili rikandidon në zgjedhjet e 21 Qershorit, kanë zbuluar pas mitingut në Kavajë edhe obeliskun e ri të këtij qyteti. 

Obelisku i demokracisë është vendosur në qendër të qytetit të Kavajës. Ndryshe nga monumenti i vjetër, ai i vendosur sot është me ngjyrat kombëtare kuq e zi.

Obelisku është realizuar nga skulptori Ilirian Xhixha dhe sipas tij, simbolizon energjinë e të gjithë popullit që shpërthen pikërisht në zemër të Shqipërisë, në Kavajë.

Kjo energji sipas skulptorit Xhixha, lind nga toka dhe shpërthimi i saj drejt qiellit materializohet në formën dinamike dhe me ngjyrat e kombit, kuq e zi.

rama kavaje

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)