Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me socialistët e Lezhës në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, dega Lezhë. Foli për Shqipërisë sot, tashmë prej 4 mandatesh nën drejtimin e PS, dhe atë të viteve më parë, kur vendi drejtohej nga opozita sot, Partia Demokratike.  

“35 vite janë pak për historinë, por janë shumë për të kuptuar jo vetëm peshën, por edhe impaktin e jashtëzakonshëm që ka pasur PS në jetën e vendit dhe, mbi të gjitha, për të kuptuar vlerën e shtuar që PS ka sjellë duke u qasur në një mënyrë të padiskutueshme të drejtë interesit tonë kombëtar”, tha Rama.

Rama rikujtoi masakrën zgjedhore të 26 majit 1996 ku në krye të qeverisë ishte PD e Sali Berisha president.

“Njerëzit i kanë trajtuar si armiq socialistët që e përfaqësuan në fillimet e veta këtë parti. S’kishin mundësi të kishin kushte të barabarta konkurrence, kishte vetëm një ekran ku gëlonte propaganda kundër PS. Për opozitën e asaj kohe, që kryetarin e pati në burg për një kohë të gjatë, të futur në burg me dhunën e një drejtësie politike të asaj kohe, kur PS nuk arriti të nxjerrë rezultatin në zgjedhjet pluraliste. Zgjedhjet ishin të kontrolluara me shkop gome dhe me shkop u rrahën e u masakruan përfaqësuesit e partisë tonë”, tha Rama.

Shefi i qeverisë foli dhe për akuzat që Partia Demokratike ka fabrikuar ndër vite në adresë të PS.

“Ata e sulmuan brutalisht PS, si parti e lidhur me Serbinë, shërbëtore e Beogradit, por e vërteta tregoi diçka tjetër. Që pikërisht ata që rrihnin gjoksin dhe gjuanin me gurë PS, natën thyenin embargon e Millosheviçit dhe furnizonin me naftë makinën e tij të spastrimit etnik. PS u bë njëkohësisht edhe forcë që nuk lejoi të përdhosej Lufta Nacional-çlirimtare, por ua la turpin atyre që e patën dhe e kanë, duke iu kundërvënë luftës dhe duke e shfrytëzuar atë luftë si burimin e një përçarjeje më të thellë në ditët tona. Ata i ndanë njerëzit e në komunistë e antikomunistë”, tha ndër të tjera Rama.

Kryeministri Rama tha se askush prej PS nuk ka zgjedhur tu përgjigjet me rrugën e hakmarrjes, ndërsa shtoi se dhe ata të që vijnë nga rrugë të tjera politike, në Partinë Socialiste ndihen si në shtëpinë e tyre.

"Ne nuk i ndajmë njerëzit, nuk i kemi ndarë kurrë. Edhe në PS jo të gjithë janë të lumtur kur shohin sesi dyert hapen edhe për ata që vijnë nga rrugë të tjera politike. Ata ndihen në shtëpinë e tyre kur vijnë në shtëpinë tonë dhe bëhen pjesë e jona", tha Rama.

Ndër të tjera, kryeministri tha se qëllimi i vetëm i Partisë Socialiste është integrimi në BE dhe ngitja e flamurit të Skënderbeut e Ismail Qemalit në oborrin e shtëpisë evropiane.

"Këtë përçarje e mbollën dhe e ushqejnë sot e gjithë ditën ata që PS i ka pasur përballë. Në fakt, i kemi mbrapa, dhe përpara kemi vetëm objektivin historik, majën ku do të vendosim flamurin e Gjergj Kastriotit dhe Ismail Qemalit, në oborrin e shtëpisë evropiane", tha Rama.

Lajmi në përditësim...