Rama-opozitës: Fituat "opingat
e Sheros", tani fyeni dibranët

Rama-opozitës: Fituat e Sheros", tani fyeni dibranët">
Partia Socialiste organizoi mesditën e kësaj të mërkure, një takim falenderues me qytetarët dibranë, për fitoren në zgjedhjet e pjesshme lokale në bashkinë Dibër.
 
Në fjalën e tij përpara anëtarësisë socialiste, kryeministri Edi Rama e cilësoi të pazakontë qëndrimin e PD, ndaj votuesve dibranë. Ai tha se PD i akuzoi dibranët si të ishin bagëti.
 
"Është fyer i gjithë komuniteti juaj. Është fyer tradita dibrane", u shpreh Rama. 
 
"Si ka mundësi që pas një diference kaq të thellë, një parti që për kaq shumë vite ka marrë besimin e dibranëve, tu kthehet dibranëve me atë gjuhë dhe të akuzojë jo disa njerëz, por një popull të tërë si të ishin bagëti që dilnin nga parcelat e hashashit dhe jo njerëz, familjarë, shqiptarë? Si ka mundësi që një parti, më e madhja e opozitë, të arrijë deri në këtë pikë, që pasi shpall me të madhe një test kombëtar në një fushatë vendore dhe të fillojë një përmbysje e madhe dhe pasi shpall fitoren, pas numërimit merr opingën e Sheros, i turret dibranëve duke i akuzuar si bashkëpunëtorë të krimit?
 
Falenderoj në radhë të parë 18 mijë e qindra votuesit e votueset e Muharemit, por s'do lë pa falenderuar edhe ata të tjerët, të cilët morën pjesë në këtë proces demokratik. Është e pandodhur në histori që një parti e madhe në garë të falenderojë vetëm votuesit e saj dhe të tjerët t'i fyejë e ofendojnë, duke harruar se kush fyen shumicën që vendos, fyen e ofendon sovranin popull"
, u shpreh kryeministri Rama.
 
Rama tha se ka ardhur në këtë takim për tu thënë dibranëve faleminderit. "Jam këtu për tu thënë se kjo votë është një besim i jashtëzakonshëm që na është dhënë pas 3 vitesh qeverisje. Që do të thotë një detyrim i shumëfishtë pas kësaj vote. Një detyrim sepse unë e di shumë mirë, e di më mirë se të gjithë edhe se ata të cilët erdhën këtu një muaj rresht, jo për tu thënë si do t'i shërojmë plagët, por për tu rrotulluar thikën në pagë dhe nxitur mllefin e urrejtjen", tha Rama.
 
Kreu i qeverisë theksoi se politika i ka mjaft borxhe Dibrës dhe gjithë Shqipërisë. Ai u ndal sërish te rruga e Arbrit, duke theksuar se ndërtimi i saj është një borxh ndaj Dibrës.

"Ne i kemi shumë borxhe Dibrës në këto tre vite. Duke filluar nga rruga e Arbrit që është një borxh i vjet, shumë i vjetër, për ju që për të dalë nga kufijtë e territorit tuaj përdorin të njëjtën rrugë që kanë përdorur të parët tuaj. Ky besim që ne morëm, tregon mençurinë dhe urtësinë  e njerëzve të punës, që bukën nuk e nxjerrin me drogë, por që e nxjerrin me djersë dhe që e dinë shumë se fara e vogël e misrit nuk bëhet kalli sa hap e mbyll sytë. E kuptojnë mirë se Dibra e harruar për 25 vite nuk mund të bëhet ajo që meritojnë sa hap e mbyll sytë, pas 3 vitesh. Prandaj, unë e kuptoj shumë mirë dhe të jeni të sigurt që e di shumë mirë dhe e ndjej të thellë dhimbjen, shqetësimin, nevojën e dibranëve për të qenë të lidhur me pjesën tjetër të Shqipërisë", theksoi Rama. 

Muharem Rama: Do shëroj plagët e dibranëve
Kryetari i ri i bashkisë Dibër, Muharem Rama, u shpreh sot përpara mbështetësve socialistë, se në fokus të detyrës së tij, do të jetë krijimi i vendeve të reja të punës. Rama tha se do të shërojë plagët e dibranëve.
 
"Ne do të mundemi të hapim sa më shumë vende pune. Këto plagë ne do t'i shërojmë me fillimin e punës time", u shpreh Rama.  
 
Ai komentoi edhe akuzat në adresë të familjarëve të tij, për blerjen e votave.
 
"Më kanë akuzuar mua, kanë akuzuar vëllezërit e mi si narkotrafikantë dhe se kanë blerë votat në Dibër. Në një kohë kur ju të gjithë na njihni. Nuk shiten njerëzit në Dibër", theksoi Rama.  

Parodia anëtarit të PDIU, për Bashën: O hutaq, s'rrihet Dibra me kërbaç...
Gjatë takimit falenderues të Partisë Socialiste me elektoratin e saj në Dibër, përfaqësuesi i PDIU, Qamil Lata, i dekoi një këngë, kryetarit të PD, Lulzim Basha.
 
Teksti është i përshtatur nga kënga për Hajredin Pashën.
 
"O Lul Basha, more hutaq, s'rrihet Dibra mer me kërbaç,
 
O Lul Basha, more krejeshnejk (kokëmadh)   
 
S'mbahet Dibra mer me kamxhik..."

Sadri Abazi: PD-në e rrëzojmë edhe në bastionet dibrane në Tiranë
Deputeti socialist, Sadri Abazi, ironizoi sot kryetarin e Partisë Demokratike, nga takimi falenderues i PS me zgjedhësit në Dibër.
 
"Lul Basha tha në Dibër, se ishte dibran, tha në Elbasan se ishte elbasanas, tha në Tiranë se ishte tiranas, tani i ka mbetur të shkojë në Holandë e të thotë se jam holandez", u shpreh Abazi.
 
Sipas tij, Dibra nuk është më bastion i PD-së, ndërsa paralajmëroi edhe rënien e bastioneve të PD në Tiranë, aty ku banojnë banorë me origjinë nga Dibra.
 
"Dibra dhe dibranët kërkojnë shtet nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Dibra i dha një mësim politikës. E mbështeti Partinë Demokratike për 25 vite me radhë dhe PD e përdori Dibrën e dibranët mish për top. Dibra në 2017-ën, nuk do të votojë vetëm për kryeministrin Edi Rama, por në 2017-ën do votojnë të gjithë dibranët në Tiranë, ku ai i kishte si bastione. Bastione dibranësh nuk do të ketë më për Partinë Demokratike. Z.kryeministër, mbështete fort Dibrën, Dibra do të të mbështesë fort ty", u shpreh Abazi.  

Postimi i Kryeministrit në FB:
Kryeministri i Shqipërisë dhe kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ndodhet në Dibër në kuadër të disa aktiviteteve që lidhen me fitoren e thellë të Muharem Ramës në Dibër.
 
Rama e ka nisur këtë vizitë me një mirënjohje të thellë ndaj popullit të Dibrës. Ai është shprehur se ky komunitet i madh me plota tradita e urtësi i ka dhënë një besim të paçmueshëm Partisë Socialiste.
 
Kandidati i majtë Muharem Rama ka fituar në zgjedhjet e zhvilluara me datë 11 shtator, me një diferencë të madhe votash duke thelluar çdo rezultat të mëparshëm.
 
“Në Dibër për t'i shprehur mirënjohjen këtij komuniteti të madh plot tradita e urtësi që na dha një besim të paçmueshëm! Faleminderit shumë”, ka shkruar Rama në profilin e tij në facebook.

rama ne diber

Redaksia Online
Al.N-L.Q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Partitë e reja dështojnë sepse, populli voton por Rama-Berisha numëron

Spahiu: Partitë e reja dështojnë sepse, populli voton por Rama-Berisha numëron