Pak minuta më vonë ka mbërritur kreu i LSI, Ilir Meta, i cili shoqërohej nga nënkryetari Petrit Vasili.
Pas më shumë se një orë takimi, kryesocialisti Edi Rama konfirmoi se takimin me Metën ishte në kuadrin e nismës së tij për folur me të gjithë drejtuesit dhe të eksploruar mundësitë e procesit të dakordësuar për zgjedhjen e presidentit si mishërim i unitetit kombëtar.
“Ata që mbllefosen pas takimit sot me Metën, nesër me Idrizin e më vonë më Berishën u them: Është koha për diaolog dhe mes kundërshtarëve. Duhet president, i cili të jetë garant për të gjithë shqiptarët në funksion të zgjedhjeve të ardhshme.
A është e mundur? Shqipëria, shqiptarët, BE e SHBA e kërkojnë ndaj ne do të bëjmë gjithcka kemi në dorë për këtë”, tha kryesocialisti.
Rama këmbënguli se ndërsa mazhoranca kërkon të marrë në dorë frenat e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm, të majtët nuk kanë ndërmend të rrinë duarkryq.
“Nuk mund të predikojmë process apo konsensusin e nevojshëm duke bërë sehir llogoren e qeverisë. Ndaj është koha për të komunikuar me të gjithë, në mënyrë që nga ky process të dalë rezultati i duhur në funksion të procesit të integrimit”, tha Rama.
ORA 13: 33 META: TË MIRATOHEN REFORMAT, PASTAJ PRESIDENTI
Kreu i LSI, Ilir Meta pas përfundimit të takimit me kryesocialistin Rama ka mbështetuar propozimin e Ramës dhe deklaratën e komisionerit europian Fyle, që përpara fillimit të procesit për zgjedhjen e presidentit duhet të miratohen 3 reforma:
1. Reforma zgjedhore
2. Reforma parlamentare
3. Heqja e imunitetit
“Këto 3 elementë duhet të përmbyllne para se të nisin procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Duhet të jetë kushtetutes dhe konstruktiv. Reformat e tjera të papërmbushura të vijojnë në të ardhmen në mënyrë që vendi të marrë statustin e kandidatit brenda këtij viti, tha Meta.
Ai pohoi se i rëndësishëm është edhe takimi injë niveli më të lartë edhe me PD.
“Pamë rezultatet në Greqi dhe pamë se problemet ekonomike dhe politike sjellin pasoja, ndaj jemi në kohë për të ecur në rrugën e duhur. Është e rëndësishme që të mos lejojmë që kjo kohë e çmuar të shpërdorohet. Sa i takon presidentit ajo që është me rëndësi këtë vit nuk është zgjedhja e një presidenti, por sa ndikim pozitiv ka ky process në marrjen e statusit të kandidatit”, deklaroi kreu i LSI.
Meta konfirmoi se LSI do t’i qëndrojë deri në fund marrëveshjes elektorale që bëri me PD, në 2009, vit kur u kris përfundimisht aleanca me socialistët.
ORA 10:00 KONFIRMOHET LAJMI PER TAKIMIN
Burime nga selia e PS, konfirmuan për Shqiptarja.com se sot në orën 12.30 dy politikanët do të takohen në hotel “Sheraton”. Zgjedhja e presidentit të ri të vendit, mendohet të jetë tema e bisedës mes Ramës dhe Metës.
Ndërkohë, Shqiptarja.com në numrin e sotëm ka publikuar darkën sekrete që dy politikanët kanë zhvilluar katër ditë më parë. Besohet se kjo darkë i ka paraprirë edhe takimin zytar që ata do të mbajnë sot në mesditë.
SHQIPTARJA.COM: DARKA SEKRETE
Dy krerët e dy partive, Edi Rama i PS dhe Ilir Meta i LSI, sipas burimeve nga njerëz të afërt të tyre, të cilat u referohet sot gazeta Shqiptarja.com, kanë bërë hapin e parë për të “shkrirë” akujt që i kanë prishur me njëri tjetrin që nga viti 2009. Takimi është bërë larg syve të medias dhe ka zgjatur për disa orë.
Shumë shpejt, shkruan gazeta Rama dhe Meta do të kenë një tjetër takim mes tyre. Dhe ky është një takim publik. Eshtë një takim si përgjigje e ftesës së kreut socialist Edi Rama, drejtuar gjithë partive parlamentare për të diskutuar për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Ndërkohë që takimi mësohet se është bërë në shtëpinë e Ilir Metës dhe aty të dy liderët kanë pirë verë dhe kanë shijuar gjëra të vogla. Mësohet se Monika Kryemadhi nuk ka qenë në shtëpi, por në aktivitet partiak në Skrapar, kështu që Rama dhe Meta kanë gjetur kohën për të disktuar për shumë gjëra që nga ndarja e madhe. Por sherri i "inateve" të vjetra ka qenë në qendër të bisedës, ndërkohë që ata të dy nuk kanë folur për ndonjë bashkëpunim të mundshëm. Më së shumti, debatet kanë qenë për zgjedhjet e vitit 2009, për mënyrën sesi LSI u shkëput nga e majta dhe u bashkua në koalicion me PD. Dy liderët janë përpjekur të zgjidhin "ekuacionin" se kush e kishte fajin për 'prishjen" e dy partive, që i shkaktoi në fakt edhe humbjen e pushtetit pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 2009. Dhe ndërkohë që "darka sekrete" vazhdonte, duket se për këtë çështje kanë thyer akullin e parë. Por mandej, kanë folur edhe për mënyrën e zgjedhjes së presidentit. Në asnjë rast nuk është përfolur ndonjë kandidaturë, por sipas njerëzve afër dy kryetarëve, Rama dhe Meta kanë rënë dakord për një president konsensual.
Kjo gjë, shkon kundër linjës së shprehur deri tani nga kreu i PD Sali Berisha, apo edhe nga deputetë të tjerë të së djathtës të cilët gjatë këtyre ditëve të fundit kanë ngulmuar për një president që do të dalë nga e djathta. Por mesazhi i fundit që erdhi nga Brukseli, pas vizitës së Fyles në Tiranë, ishte qartazi për një president konsensual dhe Berisha u detyrua të pranojë se do të nisë negociatat me opozitën.
Gjatë darkës është diskutuar edhe kjo pikë sesi do të negociohet për zgjedhjen e presidentit, ku sigurisht Meta sipas burimeve ka qenë i qartë se nuk mund të pranojë vetëm një kandidat të së djathtës, edhe pse është në koalicion qeverisës.
ÇFARE DO TE NDODHE ?
Vetëm fare pak njerëz kanë marrë vesh për takimin Meta-Rama dhe asnjë prej tyre nuk flet të tregojë se çfarë është diskutuar konkretisht mes tyre. Ajo që është më kryesorja ndër faktet e diskutuara në darkën që ka zgjatur mbi dy orë, është pikërisht "rikthimi" i bisedave dhe diskutimeve Meta-Rama. Në vitin 2009, për zgjedhjet e përgjithshme, nuk pati një marrëveshje parazgjedhore mes LSI dhe PS. Meta dhe Rama nuk ranë dakord për numrin e deputetëve që LSI duhet të kishte në parlamentin e ri që do të krijohej. Por pikërisht në momentin që gjithçka po luhatej për numrat e deputetëve, në ditët e numërimeve, gjithmonë ka ekzistuar një fjalë për ndihmën që PS duhet ti jepte LSI për nxjerrjen e Ilir Metës në Tiranë. Pas kësaj, kur mendohej se PS e PD me koalicione dilnin 70 me 70 në numër deputetësh, ka qenë pikërisht deklarata e ish deputetit të LSI Dritan Prifti publikisht se vota e tij do të shkonte për qeverinë e Sali Berishës. Dhe LSI u bashkua me PD për të krijuar qeverinë e re.
Sot, panorama politike ka ndryshuar. Dritan Prifti, akuzoi Metën për korrupsion, çështja përfundoi në gjykatë nga ku Ilir Meta doli i pafajshëm. Vetë Prifti i është larguar LSI-së por me të është afruar një deputet tjetër i PS, Vangjel Tavo. Ndërkaq, si Meta, ashtu edhe Rama e Berisha, këto dy muajt e fundit, kanë shkuar nga njëherë në Ëashington. Edhe aty u është dhënë një mesazh i qartë për mënyrën sesi do të procedohet për zgjedhjen e Presidentit.
Shumë shpejt Rama do të mbledhë tryezën e partive parlamentare. Kjo pritet të ndodhë pas 4 apo 5 ditësh, dhe aty do të diskutohet edhe për mënyrën, por edhe për kriteret sesi duhet të jetë presidenti i ardhshëm. Ka mbetur edhe pak kohë nga afati i 24 majit kur do të duhet të konsumohet raundi i parë. Përveç idesë se si do të jetë bashkëpunimi i mëtejshëm PS-LSI, e rëndësishme është që Edi Rama dhe Ilir Meta, kanë rënë dakord për kriteret sesi do të duhet të jetë presidenti i ardhshëm.
(aq/jk/sg/shqiptarja.com)