Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp pas samitit, tha se takimi i sotëm ishte i frytshëm. Kreu i qeverisë theksoi se rikonfirmuan edhe njëherë se Plani i ri i Rritjes është një urë e shpejtë dhe e sigurtë drejt BE. Kryeministri tha se në marrëveshjen e re të Roaming, do të përfshihen edhe qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor që qëndrojnë në vendet e BE. Po ashtu, Rama foli edhe për bashkëpunim me Komisionin Evropian për të fuqizuar më shumë arsimin e lartë dhe ndërkombëtarizuar atë. 

“Sot, mund të them që kemi mbyllur një takim edhe një herë tjetër të frytshme me hapa konkret të mëtejshëm që e afrojnë më tej rajonin me Bashkimin Europian duke konfirmuar përsëri se Plani i ri i Rritjes është një urë e shpejtë dhe e sigurt drejt tregut të përbashkët europian. Shkurtimisht po sjell këtu në vëmendje të publikut disa nga angazhimet: Roaming që me marrëveshjen e re do të përfshihet edhe për qytetarët tanë në regjimin e Bashkimit Europian, një hap shumë i rëndësishëm dhe domethënës pas atij me pagesat, të cilat tanimë bëhen pa asnjë ngarkesë ekstra duke kursyer dhjetëra, e dhjetëra miliona euro nga xhepat e qytetarëve të secilit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërlidhja me korridoret europiane vazhdon të mbetet prioritet dhe vazhdon të financohet nga instrumentet e Bashkimit Evropian.

Tregtia dhe lehtësimi i saj përmes një plani të detajuar lidhur me pikat kufitare. Transformimi dixhital dhe identiteti dixhital, të cilin ne e kemi gati siç e kemi prezantuar dhe do ta fusim në jetën reale në fillim të vitit të ardhshëm, duke praktikisht i paraprirë atij që do të jetë pastaj i gjithë sistemi i identifikimit dixhital të Bashkimit Europian, që do të thotë, s'do të ketë më nevojë për karta identiteti, për pasaporta, e kështu me radhë, sepse identifikimi do të bëhet thjesht përmes celularit. Dhe, po ashtu, identiteti dixhital do të vlejë dhe për shumë aktivitete të tjera që kanë të bëjnë me transaksione financiare, që kanë të bëjnë blerjet e drejtpërdrejta përmes telefonit. Dhe patjetër folëm edhe për përafrimin në zinxhirin e vlerës Bashkimit Europian, në aspektin industrial dhe për turizmin si një komponent që duhet fuqizuar në sensin e bashkëpunimit mes vendeve. Në ndërkohë që mendoj se e kemi hapur një shteg të tjetër për të bashkëpunuar me Komisionin, në funksion të fuqizimit të arsimit të lartë përmes ndërkombëtarizmit, gjë që ne e kemi filluar në Shqipëri, por me ndihmën edhe mbështetjen e Komisionit besoj që mund ta çojmë në një nivel tjetër dhe jo vetëm në Shqipëri, po në të gjithë rajonin. ”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Samiti/ Rama: Ballkani Perëndimor s'kërkon lëmoshë, po bën detyrat! Kos: Shpejtoni reformat, do humbisni 300 mln euro fonde nga Plani i Rritjes