TIRANË, 9 Mars/ATSH/.- Kryeministri Edi Rama reagoi ashpër pas daljes nga Gjykata e Lartë, ku u zhvillua seanca e dytë në ngarkim të deputetit Edi Paloka, i akuzuar "për shpifje" nga kreu i qeverisë. Kryeministri e quajti 'të turpshëm" qëndrimin e sotshëm të opozitës, përfaqësuesit e së cilës kërkuan pushimin e çështjes.
"Dëgjuat nga fillimi deri në fund se me çfarë paturpësie, pasi molepset opinioni publik me akuza të rënda, konkrete, të drejtpërdrejta, vijnë këtu në gjykatë dhe kërkojnë të pushohet çështja se nuk kanë prova, por kanë opinione", komentoi Rama.
"Ky është fundi i një force politike që pretendon të përfaqësojë qytetarët dhe komunikon me qytetarët, duke i dezinformuar në mënyrë të vazhdueshme, të qëllimshme dhe të vetëdijshme, në përpjekje për ta bërë Shqipërinë të duket e baltosur dhe sa më e ndyrë, duke ndotur gjithçka që iu del përpara dhe duke nxjerrë nga goja gjithçka që vjen erë. Turp", tha kryeministri për mediat. (vijon)
/a.s//m.m/










