"Një reformë historike që na bën krenarë", e cilësoi sot kryeministri Edi Rama reformën e pensioneve të ndërmarrë nga qeveria.
Gjatë prezantimit të saj në qytetin e Fierit, kryeministri tha se kjo reformë nuk u realizua dot nga qeveritë e mëparshme, por sot përmes saj, kujt ka derdhur djersë, do t'i përgjigjemi me pensionin që meriton.
"Kjo është një reformë për jetën reale të njerëzve realë, e cila pa as më të voglin dyshim na bën krenarë të gjithëve, si qeveri dhe si shumicë qeverisëse. Ajo nuk u realizua dot nga qeveritë e mëparshme, të cilat asnjëherë nuk patën kurajon ta ndërmarrin, duke preferuar t'i gënjenin në vijimësi pensionistët me rritje pensionesh që ishin thjesht indeksim i inflacionit", u shpreh kryeministri në fjalën e tij.
Rama tha se, gjatë këtyre viteve njerëzit e punës së ndershme pas daljes së tyre në pension janë mbajtur nën tavanin mbytës të një pensioni rreth 24 mijë lekë, pavarësisht viteve të punës.
Por, vijoi Rama, ne me kurajo e hoqëm tavanin e pensioneve dhe krijuam një hapësirë të paimagjinueshme, që gjithsecili të vendosë vetë për pensionin e tij, duke paguar më pak apo më shumë kontribute.
"Sot, ne jemi në gjendje që kujt ka derdhur djersë, t'i përgjigjemi me një pension që e meriton", shtoi kryeministri.
Nga ana e tij, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, tha se në fund të këtij mandati, rreth 120 mijë persona do të jetojnë më mirë se më parë, sepse do të kenë pension më të lartë./atsh/