Edi Rama është një përzierje mes Franklin D. Roosevelt dhe Robin Hoodit, ndërkohë që intuita e tij e strategjisë politike dhe e miqësisë e shtyu të nënshkruante një marrëveshje historike mes Shqipërisë, kryeministër i së cilës ai është dhe mikeshës së saj, Giorgia Meloni, shkruan gazeta italiane ”Libero Quotidiano”.
Në një zonë pranë Tiranës krijohen dy qendra emigrantësh, për të thithur oksigjen dhe shpresë në Kontinentin e Vjetër të asfiksuar nga flukset e egra migratore.
Zoti Rama, së bashku me kryeministren italiane ju njoftuat hapjen e dy qendrave në Shqipëri për 3 000 emigrantë të parregullt. Si lindi ky memorandum mirëkuptimi dhe çfarë avantazhesh do të sjellë për Italinë, Evropën, por edhe për Shqipërinë?
”Ne nuk e bëjmë këtë për të fituar avantazhe, por për t’i dhënë një dorë të vogël në rrugën tonë një vendi që na dha një dorë të madhe kur ishim mes jetës dhe vdekjes dhe që është bërë atdheu ynë i dytë në Evropë. Italia është vendi ku jetojnë qindra mijëra shqiptarë, punojnë dhe bëjnë fëmijë dhe ku qindra mijëra të tjerë shkojnë çdo vit për të bërë biznes, për të studiuar ose thjesht për të thithur ajrin e shtëpisë në Evropë. Dhe duhet të jetë gjithmonë një nder për Shqipërinë që të jetë e dobishme për Italinë. Edhe nëse nuk mund ta zgjidhim problemin e madh të emigracionit të parregullt për Italinë dhe Evropën. Por, e përsëris, dhënia e dorës është detyra jonë e natyrshme”.
Ju ishit kreu i parë i qeverisë që mirëpriti refugjatët afganë. Shqipëria ka një vokacion të padyshimtë mikpritës. A është kjo arsyeja pse mund të paraqitet si një komb mbështetës dhe ndihmës për politikat e migracionit në BE?
”Jo, të them të drejtën kemi pasur kërkesa të këtij lloji edhe nga vende të tjera, por nuk kemi qenë dhe nuk mund të jemi të gatshëm të prezantohemi si ”komb mbështetës”, për më shumë se një arsye”.
Por, tani, më falni, po e bëni.
”Por, kur një kërkesë e tillë vjen nga Italia, ne nuk mund të tërhiqemi, për më shumë se një arsye. Me afganët ishte diçka ndryshe; dhe nëse vendet e tjera të NATO-s, më të mëdha dhe më të pasura se ne, refuzonin t’u hapnin dyert, pasi i lanë në mëshirë të talebanëve sa hap e mbyll sytë, Shqipëria nuk mund të bënte të njëjtën gjë”.
Dhe pse nuk u kthyet nga ana tjetër?
”Sepse atëherë ata ishin njerëz të ekspozuar ndaj rrezikut të lartë të vdekshmërisë dhe sepse kishin besuar në botën e re që ne perëndimorët u premtuam atyre. Ata punuan për NATO-n si përkthyes, shoferë, teknikë dhe më shumë. Ata krijuan parti dhe OJQ për të promovuar të drejtat e njeriut dhe vlerat e lirisë; themeluan media të pavarura dhe ikën pa menduar më për to. Nuk ishte e drejtë për veten tonë, për historinë tonë dhe për fëmijët tanë. Nëse fëmijët tanë sot kanë një të ardhme, ia detyrojnë faktit që kur ishim ne “afganët” që donim të iknim nga ferri, Italia para së gjithash nuk na e mbyllte derën e së ardhmes në fytyrë. Sot, falë Shqipërisë, ata më shumë se 4 000 afganë që shpëtuam nga vdekja kanë një të ardhme në Amerikë dhe Kanada, ku arritën të sigurt pas njëfarë kohe të kaluar në paqe në shtëpinë tonë”.
Protokolli i sapo nënshkruar ka tre objektiva: të luftojë trafikimin e paligjshëm; të parandalojë flukset e parregullta dhe mirëpresë ata që kanë të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare.
“E saktë”.
A mund të shërbejë si shembull për të menduar për zgjidhjen më të mirë të mundshme lidhur me migrimin në Evropë? Si mund të kapërcehet Traktati i Dublinit?
”Një pyetje mjaft e ndërlikuar. Mendoj se nuk më takon mua apo Shqipërisë t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve të vështira. Ajo që mund të them është se problemi është qartësisht i madh, veçanërisht nëse mbetemi robër të pikëpamjeve të kohëve të tjera: sa më shumë të mendojmë për të kaluarën, aq më shumë rrezikojmë të arrijmë në pikën ku do të jetë tepër vonë për të riparuar dëmet, gjë që mund të jeni shumë seriozë për Evropën siç e njohim ne dhe siç duam për fëmijët tanë”.
Ka migrime të tjera në Evropë, refugjatë nga luftrat e tmerrshme: turma ukrainasish dhe palestinezësh që kërkojnë azil, për shembull…
”Më lejoni të them se ata që vrapojnë për të shpëtuar jetën e tyre kanë vetëm një emër: qenie njerëzore që kanë të njëjtën të drejtë të jetojnë jetën që u dha Zoti ynë. Por, për fat të keq, për ukrainasit (të bardhë dhe të krishterë për të qenë i sinqertë) kjo e drejtë dhe status u njihet më lehtë se të tjerëve nga vendet evropiane që nuk e fshehin qëndrimin e tyre të vendosur të mbylljes ndaj refugjatëve të feve dhe ngjyrave të tjera. Nga ana tjetër, janë vetëm vendet që janë shumë të hapura për të gjithë – për shembull, Suedia ka ecur pa probleme me refugjatët e të gjitha ngjyrave dhe feve, të cilët gjithmonë janë pritur me krahë hapur”.
Dhe çfarë sugjeroni?
”Është gjithnjë e më e qartë se duhet gjetur një rrugë e mesme. Por, këtu i kthehemi pyetjes së parë, dhe sinqerisht ndihem i paaftë të pretendoj se kam përgjigje të mira për pyetjet shumë të pakëndshme! Fatmirësisht nuk jam në vendin e atyre që duhet të vendosin në nivel evropian dhe ndaj me përulësi ndjek këshillën e Shën Terezës së Shqipërisë, e cila thotë ‘në vend që të mallkosh errësirën, ndiz një qiri’ dhe këtë jam munduar të bëj edhe në këtë rast”.
A po llogarisni që Italia të përshpejtojë hyrjen e Shqipërisë në BE?
“Gjithmonë. Dhe Italia nuk ka munguar asnjëherë për t’iu përgjigjur këtij apeli!
Konflikti Izrael-Hamas rrezikon t’i vërë flakën botës. Si të gjejmë një zgjidhje?
”Kjo është një tragjedi kolosale që ka rrënjë shumë të thella, për fat të keq! Nuk kam parë kurrë në jetën time – mendoj se nuk jam i vetmi që kam parë – një sulm kanibal, dhe me përmasa të tilla të frikshme si ai i 7 tetorit. E kam të pamundur të pranoj me logjikën time që ajo orgji dhe masakër jo vetëm të jetë planifikuar dhe ekzekutuar gjakftohtësisht, por edhe është filmuar nga qindra celularë”.
Logjika e masakrës së kafshëve, shtëpi më shtëpi.
”E gjithë kjo është si një film i bërë për kohët më të errëta të njerëzimit. Dhe, jo vetëm për të derdhur gjak të pafajshëm dhe për të shkaktuar dhimbjen më të thellë mbi familjet, gratë dhe fëmijët; por për të terrorizuar të gjithë botën (dhe për ta ndarë thellë), në emër të mos së drejtës së Izraelit për të ekzistuar. Gjithçka tjetër është shumë më e ndërlikuar se kjo, por nëse nuk nisemi nga kjo, më duket shumë e vështirë të shmang një gabim në marrjen e një pozicioni”.
Ndiej se jeni pesimist.
”Ndjenja ime është se do të përkeqësohet para se të përmirësohet, por në fund asgjë nuk do të jetë si më parë dhe forca e paqes do të mbizotërojë mbi të gjitha forcat e tjera. Fatkeqësisht me kosto të paimagjinueshme deri më 7 tetor!
Lidhja mes jush dhe Melonit duket shumë e thellë. Si lindi marrëdhënia juaj me kryeministren tonë?
”Si të gjithë kryeministrat italianë para saj. Me shikim të parë! T’i lëmë shakatë. Është e vërtetë ajo që them: të gjithë miqtë e mëdhenj të Shqipërisë, gjithçka është gjithmonë mirë me të gjithë. Italia dhe kryeministrat e saj janë gjithmonë aty kur bëhet fjalë për Shqipërinë…”.
Le ta vendosim në parashikimin politik. Te cilët liderë evropianë do të duhet të llogarisë bota vitet e ardhshme? A mundet Meloni – siç thonë shumë – të bëhet Merkel e re?
“Nuk e di. Një Merkel italiane duket si një kontradiktë konceptuale që në fillim, por Giorgia ka gjithçka për të bërë mirë dhe shpresoj që ajo të bëjë shumë mirë për Italinë dhe Evropën.
Dhe çfarë do të bëhet Edi Rama?
”Shpresoj të mos bëhem i mërzitshëm, për pjesën tjetër bëj më të mirën, duke qenë gjithnjë e më shumë i vetëdijshëm për defektet e mia dhe gjithnjë e më pak i sigurt për meritat e mia…./ ata.gov.al
Lajmi kryesor:
Tani është ky i gjatë apo ajo e shkurtër?
PërgjigjuÇdo gjë duhet të jetë Reciproke,e barabartë pra Pari=Pari...!.. kërkojmë të drejta si pjestarë të Comunità Europea edhe për Shqiptarët në Itali.., të mos trajtohen si Extra UE..,por si Europjane..,si Rumunë e Bullgare,jo si Afrikane e Aziatike!
Përgjigju