Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për mitingjet e kreut të PD Lulzim Basha, i cili këtë herë është ndalur në Kukës duke mbledhur qytetarët në shkelje të rregullave anti-COVID. Duke e krahasuar mitingun e Bashës me procesin e vaksinimit masiv i cili vijon në të gjithë vendin, Rama thotë se turma po tërhiqet drej infektimit dhe rrezikut për jetën nga një lider pa karakter e të papërgjegjshëm. 

Ndërsa uron që zoti të ruajë simpatizantët e PD nga ‘plagosja’ apo vdekja, Rama ka sjellë në vëmendje dhe shembullin e Malit të Zi, duke thënë se këto lloj marshimesh elektorale atje rritën infektimet e sollën vdekje njerëzish.

“Dy pamjet e një bote të ndarë, mes një populli që respekton rregullat, mbron jetën e vaksinohet dhe një turme që tërhiqet në rrugën e infektimit e të rrezikut për jetën, nga një drejtues pa karakter, pa përgjegjshmëri, pa cipë! Turp për ty Lulëzim. *Zoti i ruajt të verbërit me dy gishta nga plagosja e largqoftë vdekja, siç ndodhi në Malin e Zi ku këto lloj marshimesh elektorale rritën infektimet e sollën vdekje njerëzish”, tha Rama.

Pas çdo takimi të Bashës në shkelje të rregullave anti COVID, Rama i ka kujtuar vazhdimisht se po rrezikon jetën e qytetarëve, ndërsa e ka quajtur sjelljen e kryedemokratit një këmbëngulje djallëzore pasi sipas tij ai po keqpërdor në mënyrë mizerable për fushatë.