Qeveria prezantoi sot Programin e ri Kombëtar të Strehimit, që sipas kryeministrit Edi Rama nuk është thjesht një program financiar, por mishërimi i një reforme të thellë strukturore për strehimin në Shqipëri.

"Është një reformë për të ndryshuar qasjen ndaj kësaj teme kaq të rëndësishme dhe gjithmonë e më të mprehtë për shkak të vështirësive që hasin familjet e reja dhe të rinjtë në rrugën e marrjes së një shtëpie. Ky nuk është një problem vetëm shqiptar, por një problem i madh europian", tha Rama.

Sipas tij, reforma mbështetet në gjashtë programe të reja strehimi. Programi i parë është ai i banesave sociale me qira, i cili do të funksionojë ndryshe nga modeli aktual. Rama tha se banesat nuk do të sigurohen vetëm përmes ndërtimeve të reja, por edhe me blerje në treg, përshtatjen e objekteve shtetërore ose të konfiskuara, bonusin e qirasë dhe partneritetin publik-privat.

"Dhënia e banesave sociale me qera do të jetë një program që do të bëhet më kompleks jo vetëm ‘prit të ndërtohet e pastaj të kësh shansin të marrësh një banesë’ ku nuk dihet si përfundon seleksioni. Këto banesa do të parashikojnë ndërtim  të ri, blerje të drejtpërdrejtë nga tregu, përshtatje të objekteve shtetërore ose të konfiskuara..kemi konfiskuar jo pak dhe do të konfiskojmë ccdo objekt që do të shkelë rregullat e lejes së ndërtimit. Patjetër dhe bonusin e qerasë dhe partneritetin publik privat, pra do të përdorim të gjitha instrumentat për të garantuar një ofertë të gjerë për ata që duhet dhe do të mund të marrin banesë sociale me qera" tha Rama

Programi i dytë parashikon banesa me kosto të ulët përmes subvencionimit nga shteti të kredive, ndërsa programi i tretë lidhet me përmirësimin e banesave ekzistuese për grupet vulnerabël, investime në zonat informale dhe përshtatjen e banesave për t'i kthyer në banesa sociale.

"Nuk duam të ndërtojmë blloqe banimi vetëm për njerëz të varfër, por lagje dinjitoze për të gjitha shtresat e shoqërisë. Ata që janë më në nevojë do të kenë mbështetje më të madhe, ndërsa ata që kanë mundësi do të blejnë banesa. Cilësia është e rëndësishme për të gjithë", tha kryeministri.

Ai shtoi se kjo reformë do të shoqërohet me një organizim të ri institucional, ku Agjencia e Planifikimit të Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Enti Kombëtar i Banesave dhe bashkitë do të funksionojnë si një sistem i vetëm.

Sipas Ramës, programi do të nisë fillimisht në Tiranë, ndërsa po shqyrtohen edhe zona të tjera në bashki të ndryshme, të cilat janë ftuar të paraqesin propozimet e tyre.

Programi i pestë parashikon krijimin e banesave të përkohshme për familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore, si përmbytjet dhe zjarret

"Programi tjetër është ai i banesave të përkohshme, në kuptimin e të pasurit në dispozicion të infrastrukturës së gatshme për njeëzit e prekur nga fatkeqësitë natyrore, përmbytjet, zjarret,  etj. Ne do vazhdojmë të forcojmë kapacitete logjistike për tu përballur me fatkeqësitë në kohë reale por duhet të kemi një sistem mikpritjeje për një periudhë të përkohshme për njerëz të prekur nga fatkeqësitë" tha Rama duke shpjeguar edhe programin e gjashtë do të fokusohet në ndërtimin e banesave të përshtatura për familjet me persona me aftësi të kufizuara.


Lajmi kryesor:

Programi i ri i strehimit/ Rama: 4000 kredi të buta për çiftet e reja në 2027, 2 mijë hua me 0% interes