E konsideruar prej vitesh si një nga akset më të rrezikshme, rruga e Komanit, e ndërtuar rreth 50 vite më parë, tani ka marrë një pamje krejt tjetër.                                                                                                                               

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë mëngjesin e sotëm disa pamje nga rruga e Komanit, ku shprehet se është mes një peizazhi spektakolar të veriut shqiptar

“Mirëmëngjes dhe me rrugën e transformuar të Komanit, mes një peizazhi spektakolar të veriut shqiptar, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Rikonstruksioni i rrugës nisi në shkurt të vitit 2025, me një fond prej rreth 2.5 miliardë lekësh. Kjo rrugë shërben për lidhjen e disa prej destinacioneve më të rëndësishme turistike në vend, si me Liqenin e Komanit, Lumin e Shalës, Valbonën, Thethin, Currajt e Epërm e deri në Kosovë.