Kryeministri Edi Rama ne prezantimin e skemes se pensioneve Foto: Arkiv
TIRANË, 19 Mars /ATSH-Gjergji Mima/ -Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar sot reformën e pensioneve si një nga reformat më të mëdha të njëzet e pesë vjetëve të fundit.
Me anë të një postimi në rrjetin social "Facebook", Rama shkruan se, "Ja si e rrëzuam tavanin e pensioneve përmes Reformës së Pensioneve, një nga reformat më të mëdha të njëzet e pesë vjetëve të fundit që qeveritë e mëparshme nuk patën kurajon ta bëjnë".
"Falë kësaj reforme, secili e vendos përmes kontributeve të veta në vite pensionin që merr. Falë kësaj reforme edhe gratë shtëpiake që me ligjin e vjetër nuk merrnin asnjë qindarke, marrin një pension social. Falë kësaj reforme të gjitha pensionet rriten dhe kush ka kontribuar më shumë gjatë viteve të punës merr pension më të madh se sa ç'merrte me ligjin e vjetër që i mbante të gjithë nën tavanin e pakalueshëm të padrejtësisë mbytëse", thekson Kryeministri Rama.
"Duke klikuar në www.cit.edu.al/pension/ ju mund t'a përllogarisni vetë pensionin tuaj", shkruan Kryeministri Rama./a.g/