Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit deklaroi se viti 2025 ka shënuar “rilindjen e industrisë ushtarake” në Shqipëri, duke theksuar se vendi po rikthen bazën e vet industriale, e cila sipas tij u çmontua në fillim të viteve ’90.
Rama deklaroi se Shqipëria ka “ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshirë edhe Serbinë”, ndërsa qeveria do të vazhdojë rritjen e pagave me synimin që ato të afrohen me mesataren e ushtrive të NATO-s. Ai përmendi gjithashtu pajisjen e vendit me sistem raketor, tre anije patrulluese të dhuruara nga Italia dhe radarë të rinj vëzhgimi ajror në bashkëpunim me Francën.
Shefi i qeverisë tha se duke nisur nga 2026, Shqipëria do të prodhojë dronë, mjete të blinduara, unfiroma ushtarake apo sisteme antidron. Rama shtoi se është ndarë fondi dhe shumë shpejt do blihen dy avionët e parë zjarrfikës.
“Ky vit ka qenë viti i rilindjes së industrisë ushtarake, që u çmontua në fillim të viteve 90 se na u tha që s’keni nevojë për këto se na keni ne. Të gjitha vendet kanë nevojë të kenë bazën e tyre industriale dhe Shqipëria ka nisur ta bëjë këtë, ndërkohë që kemi parë me pozitivitet të madh edhe një tendencë në rritje të qasjes së të rinjve ndaj FA, ku objektivi është që personeli aktiv të rritet me 30% deri në fund të këtij mandati, janë 721 rekrutë të rinj që i janë bashkuar FA vetëm këtë vit. Kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshirë edhe Serbinë. Do vazhdojmë të rrisim mbështetjen me paga të ushtarakëve tanë sepse ambicia jonë është që të arrijë në mesataren e ushtrive të NATO-s sa i përket mbështetjes financiare. Ky vit na gjen me sistem raketor, me 3 anije patrulluese që i kemi dhuratë nga Italia, na gjen me radarë të vëzhgimit ajror falë bashkëpunimit me Francën. Shqipëria vend prodhues i kapaciteteve ushtarake, por edhe të eksportojë kapacitete industriale ushtarake. Janë hedhur themelet e industrisë së mbrojtjes Made in Albania. Do prodhojmë uniformat në vendin tonë dhe do ta bëjmë pikë referime për të prodhuar uniforma edhe për të tjerët. Ushtria suedeze qep një pjesë të uniformave të veta në Shqipëri, por me një marrëveshje kontraktuale me një manifakturë private. Do prodhojmë mjete të blinduara, autoambulanca, do prodhojmë dronë luftarak dhe sistemet antidronë. 6 mujorin e parë të 2026 do shihen dhe produktet e para. Na akuzojnë për një kompani shtetërore që kemi ngritur për shtetin, e kemi ngritur që në çdo lloj qasje nga të huajt në Shqipëri, shteti ynë të marrë pjesën e vet, jo siç ndodhte më parë, por tenxheret zien. Kemi vënë në dispozicion fondin për të blerë dy avionët e parë zjarrfikës”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- ‘Balluku’, Rama: Kuvendi nuk është zyrë noterie, 16 mijë faqe nuk janë prova, por arkivi i Ministrisë! Dorëheqje? Mora 83 mandate, AKSHI krenari












