Lajmet e publikuara ditët e fundit se Banjat Termale të Bënjës janë shkatërruar dhe betonizuar sollën një tjetër përgënjeshtrim të kryeministrit Edi Rama, i cili këtë të diel publikoi foto nga sistemimi i parë i zonës, i kryer 10 vite më parë. Në postimin e tij ai thekson se në këtë destinacion nuk janë hequr mure antike, por është rehabilituar një strukturë e ndërtuar vite më parë.
“Ja si ishin muret antike të Bënjës, Dhjetë vjet më parë, me mundësitë që ishin, u bë edhe sistemimi i parë i Ujërave Termale të Bënjës, kur siç e shihni u rivendos edhe muri i betonit – i mëparshmi ishte katandisur si s’ka më keq – dhe u vesh me gurë. Pra jo vetëm që nga vaskat e Bënjës nuk janë hequr mure antike, po fiks i njëjti burrë i zanatit që shihni në krye të punës para 10 viteve, i ka qëndruar mbi kokë punës me dashamirësi, së bashku me disa ustallarë të gurit, edhe për projektin e ri që e ka rilindur këtë destinacion turistik me një cilësi krejt të re" shkroi Rama.
Në postimin e tij, ai flet edhe për pretendimet e shumta që kanë qarkulluar në media, që sipas tij kanë ardhur nga mbetjet e politikës dhe ata që i bashkon instinkti i hakmarrjes ndaj Shqipërisë.
"Këmbëngula disa herë dje e sot tek ky rast konkret, sepse e tregon qartë pse korja e mbetjeve të politikës dhe shoqërisë mbi sipërfaqen e ujit të pastër të protestës, është një masë e mbledhur bashkë nga instinkti i hakmarrjes ndaj Shqipërisë që i ka lënë mbrapa, dështakë që vizion kanë urrejtjen, ide kanë gënjeshtrën dhe projekt kanë vetveten”, shkruan Rama
Postimi vjen në vazhdën e një sërë sqarimesh që kryeministri ka ndërmarrë lidhur me këtë projekt.
Ndërhyrjet në zonën e llixhave janë pjesë e projektit “Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik”, të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Sipas dokumentacionit të tenderit, fondi limit i projektit ishte 209.7 milionë lekë, ndërsa kontrata iu dha kompanisë “Ergi” SHPK për rreth 162.7 milionë lekë pa TVSH.
Banjat Termale të Bënjës, të vendosura rreth 13 kilometra nga qyteti i Përmetit, janë një nga destinacionet më të njohura natyrore dhe kurative në Shqipëri. Projekti i rikualifikimit parashikon rrugë të reja aksesi, mjedise shërbimi dhe hapësira rekreative për vizitorët.
Komente












Na çanë trapin me këto mure të vjetër,Roma është ndërtuar mbi rrënoja shumë të vjetër...Shqipëria është cop cop dhe këta kështu duan ta lënë me këto idiotizma...
Përgjigju