Veriu nuk është braktisur. Këtyre akuzave të opozitës, kryeministri u përgjigjet me Ulzën. Ditën e sotme ai ka postuar një video në facebook nga transformimi që ka pësuar Ulza nga investimet që janë bërë vitet e fundit.

Kreu i qeverisë thotë se në veri është investuar shumë, ndërsa bën një përjashtim për Shkodrën ku nuk është i kënaqur duke sulmuar kryebashkiaken Voltana Ademi të zgjedhur nga PD-ja.

"Ulza e mrekullueshme, ku para disa vitesh s'kishte as rrugë për të shkuar e përveç njerëzve të mrekullueshëm, gjithçka tjetër kishte vulën e rrënimit, sot është kthyer në një destinacion turistik, ku do vijojmë të investojmë në infrastrukturë e të mbështesim nismat për bujtina turistike e për agrobiznes.

Për ata që bëjnë sikur nuk shohin dhe nuk kuptojnë, e që hedhin këtu romuze për Veriun e braktisur, sa herë postohet një punë e bërë në jug, Ulza është në Veri, në qarkun e Dibrës, siç janë në Veri edhe Puka, Malësia e Madhe, Thethi, Alpet e me radhë Kukësi, Mirdita, etj., ku kemi investuar (do doja më shumë edhe në Shkodër, ku rëndom na ka ngecur sharra në gozhdën e bashkisë që s'di, s'do, s'kupton) dhe do të vazhdojmë të investojmë, edhe më shumë, sepse Shqipëria është "nji jug e veri" shkruan ai.