Rama takime në DASH
prezanton "Rilindjen Shqiptare"

Rama takime në DASH<br />prezanton
SHBA - Pas takimit në Departamentin e Shtetit me Zëvendësndihmësin Sekretarin Amerikan të Shtetit për Europën Philip Reeker, takim të cilin vetë Rama do ta cilësonte frymëzues, axhenda e Kryetarit të PS ka qenë e ngjeshur me takime në Kongresin Amerikan. Axhenda e tij ështe zbardhur sot pasdite nga Partia Socialiste.
Kryetari Rama, është takuar me disa nga kongresmenët më të rëndësishëm, me të cilët ka diskutuar në lidhje me programin e PS për “Një Rilindje Shqiptare”, si dhe sfidat e Shqipërisë në këtë vit të rëndësishëm për statusin e kandidatit në BE, si dhe për procesin e përfundimit me sukses të reformës zgjedhore në Shqipëri.

Një takim ka pasuar axhendën e ngjeshur të Kreut të PS në Shtetet e Bashkuara. Lideri i opozitës ka takuar kongresmenët Eliot Engell dhe Gary Peters. Ata janë zëdhënës aktivë të çështjeve shqiptare dhe përfaqësojnë komunitete në Neë York dhe Michigan ku ka votues me origjinë shqiptare .
“Një bisedë shumë miqësore me kongresmenët Engell e Peters ku folëm për programin tonë të ri dhe gjendjen në Shqipëri përgjithësisht,” shkruan Rama në faqen e tij zyrtare. Rama ka falenderuar dy kongresmenët për avokatinë e sinqertë ndaj Shqipërisë pa marrë anë politike, por duke synuar më të mirën për vendin.

Kongresmeni Engel e çmoi shumë rolin dhe punën e Ramës në Shqipëri dhe u angazhua për një marrdhënie të ngushtë e mbështetëse.
Kongresmeni Peters ofroi mbështetje të programit të PS në ndihmë të sipërmarrjeve të vogla e të mesme. Peters është autor i ligjeve kryesore që Presidenti Obama dekretoi për stimulimin e bizneseve të vogla të rrezikuara nga kriza ekonomike. Sic bën të ditur në njëftim për shtyp selia rozë, PS do të konsiderojë disa nga idetë e Peters për programin e saj për të ndihmuar dhe jo rrënuar biznesin!

Rama ka zhvilluar një takim me një tjetër të zgjedhur të Kongresit Amerikan, me kongresmenin Gregory Meeks që është demokrati më i lartë në Komisionin e Marrdhënieve me Jashtë, grupi i Europës. Rama falenderoi Meeks për ndihmën legjislative në antarësimin e Shqipërisë në NATO dhe kërkoi të njëjtën mbështetje lobimi për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Meeks përshëndeti fokusimin e PS tek çështjet konkrete që ndihmojnë qytetarët dhe ftoi z. Rama për një vizitë të dytë në Kongresin Amerikan me fokus Komitetin e Marrdhënieve me Jashtë ku ai është drejtues i lartë.

Programi për Sportin është kapitull i veçantë i dokumentit themelor të socialistëve miratuar në Kongresin e 5 nëntorit. Kreu i PS është takuar edhe me një nga emrat më të njohur të futbollit amerikan, Heath Shuler, që tani përfaqëson Karolinën e Veriut në Kongres. “Një takim special me yllin e futbollit amerikan, kongresmenin Heath Shuler, ku folëm për programin tonë të sportit në shkollë,” u shpreh Rama pas takimit. Kongresmeni Shuler ofroi ide konkrete për të pasuruar kurrikulat e shkollave me edukimin sportive.

Kryetari Edi Rama ka zhvilluar një takim të veçantë me Robert Aderholt, kongresmen i njohur i Kongresit Amerikan i cili shërbën dhe si anëtar i Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, apo siç njihet ndryshe me emrin Komisioni Amerikan i Helsinkit. Takimi i Kryetarit Rama me kongresmenin Aderholt ka patur në qendër Shqipërinë. Vetë kryetari Rama në një mesazh në faqen zyrtare shprehet se “Takimi i fundit për këtë herë me kongresmenin Aderholt, kryetar i Komisionit të Sigurisë e po ashtu shumë i interesuar për Shqipërinë”.

Aderholt u informua informacion mbi procesin e reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi. Pas ftesës së zotit Rama, Aderholt mund të vizitojë Shqipërinë në Maj të këtij viti.

Përpara takimit në Departamentin e Shtetit, Rama ka qenë në Bankën Botërore. “Në Bankën Botërore për të nxitur mbështetjen buxhetore për Shqipërinë si një instrument lehtësues për masat e domosdoshme antikrizë,” pohon vetë Kryetari Edi Rama nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb