TIRANË- Kryeministri Edi Rama i dorëzoi sot Presidentit Bajram Begaj 7 ndryshimet në qeveri. Takimi mes kreut të qeverisë dhe Presidentit zgjati 40 minuta dhe u zhvillua në Pallatin e Brigadave, për shkak se Presidenca është në rikonstruksion. Kryeministri do t’i propozojë Begajt shkarkimin e 7 ministrave, mes tyre edhe Belinda Ballukut, dhe emërimin e ndryshimeve të reja, ku mes tyre janë 4 prurje të reja në kabinetin ‘Rama’.

Ndryshimet në qeveri u bënë me dije nga Rama gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS, ku vendosi shkarkimin e Belinda Ballukut si zv/kryeministre dhe ministre të Infrastrukturës, pasi edhe Kushtetuesja la në fuqi pezullimin e saj nga detyra, ndërsa SPAK është në pritje të autorizimit për arrestin. Numrin 2 të qeverisë, kreu i ekzekutivit ia besoi Albana Koçiut, e cila largohet nga Ministria e Brendshme. Ndërsa Enea Karakaçi, vartës i Ballukut, Rama i besoi Energjinë dhe infrastrukturën, një nga dikasteret më të rëndësishëm. Karakaçi, së fundmi drejtor i OSHEE-së ka mbajtur disa pozicione në ministrinë e energjisë dhe infrastrukturës.

Ndryshime pësoi dhe Mbrojtja. Pirro Vengu u shkarkua pa bërë 2 vite në krye të kësaj ministrie për t’ia lënë vendin Ermal Nufit, deri disa muaj më parë në kabinetin e Belinda Ballukut.

Surprizë ishte shkarkimi i Elisa Spiropalit 5 muaj pasi e emëroi në krye të Ministrisë së Jashtme. Në vend të saj një diplomat karriere si Ferit Hoxha, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB e BE.

Rama shpërbleu dhe të rinjtë. Eriona Ismailin, deputeten e re të Vlorës, ndonëse pa shumë ekspericencë në jetën paralamentare, e emëroi si ministre për marrëdheniet me parlamentit. Ismaili ka një detyrë të rëndësishme, përballjen me opozitën në parlament.

Toni Gogu është ndër të paktat figura që vjen me rritje, ai do të jetë ministri i ri i drejtësisë në vend të Besfort Lamallarit, i cili shkon sërish atje ku ka shërbyer prej vitesh si zv/ministër, të Punët e Brendshme, por këtë herë në drejtimin e saj.

Presidenti Begaj ka afat 7 ditë kohë të dekretojë shkarkimin dhe emërimin e emrave të rinj të qeverisë Rama, më pas ndryshimet paraqiten për votëbesim në Kuvend (ku duhen 71 vota). Pas votëbesimit, ministrat e rinj betohen te Presidenti Begaj për të marrë detyrën.

7 ndryshimet në Qeveri
Albana Koçiu zv.kryeministre - zëvendëson Belinda Ballukun
Enea Karakaçi ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës - zëvendëson Belinda Ballukun
Besfort Lamallari ministër i Brendshëm - zëvendëson Albana Koçiun
Toni Gogu ministër Drejtësie - zëvendëson Besfort Lamallarin
Ferit Hoxha ministër i Jashtëm - zëvendëson Elisa Spiropalin
Ermal Nufi ministër i Mbrojtjes - ikën Pirro Vengu
Eriona Ismaili ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin - zëvendëson Toni Gogun