Nga Devolli ku prezantoi kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Evropiane, Armen Qaja, kryeministri, Edi Rama i është përgjigjur liderit të opozitës, që e akuzon se kërcënon qytetarët se nëse votojnë djathtas nuk do ketë fonde për njësitë e tyre vendore.
 
Rama tha se vota për të djathtën është për të mbajtur në punë drejtuesit e SHQUP-it, duke iu referuar kreut të demokratëve Lulzim Basha.
 
“Ju e keni parë që dalin te SHQUP-i dhe na akuzojnë, më akuzojnë mua në mënyrë të veçantë, se po i kërcënoj qytetarët se po votuat kandidatët e Partisë Demokratike do të mbeteni pa ujë, pa drita e kështu me radhë. Nuk është kështu. Unë kam detyrimin t’ju them një të vërtetë të thjeshtë e të madhe, vota për kandidatët e Partisë Demokratike është votë për të mbajtur me punë kryetarin e mbetur pa punë të PD-së, është votë për të vazhduar për të ushqyer një politikë absurde konflikti me qeverinë. Ndërkohë që vota për kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane është vota për punët që i duhen qytetit dhe komuniteteve”, - tha Rama.

Në të njëjtën linjë me Ramën ishte edhe aleati i tij në qeverisje, Ilir Meta.

Më pas dy aleatët zbarkuan në Prrenjas ku prezantuan kandidaturën e Miranda Rirës.
 
Rama: Kushdo që i fryn borisë se Miranda është e LSI dhe jo e PS, ja ka fut kot mos e dëgjoni!
Kryetari i PS-së, Edi Rama tha se Miranda Rira është kandidate e përbashkët e të gjithë koalicionit të gjerë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, duke filluar nga të majtët e deri tek demokratët.

“Miranda nuk është kandidatja e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Miranda është kandidatja e Partisë Socialiste po aq sa është e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dhe kushdo që i fryn burisë se me demek Miranda është kandidate e LSI-së dhe jo e PS-së, ja fut kot dhe as mos e dëgjoni fare. Por përkundrazi jepini mbështetjen maksimale Mirandës. Ajo është kandidatja e ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’, ajo është kryetarja e bashkisë që na duhet për të pasur këtu në Përrenjas ne në Tiranë, qeveria, dhe deputetët, një partner që do të jetë e gatshme t’i përgjigjet nevojave tuaja dhe që do të jemi të gatshëm ta presim në çdo kohë, ta mbështesim për çdo projekt në mënyrë që edhe për Përrenjasin të fillojë ndryshimi. Miranda është drejtimi i duhur. Nuk ka rëndësi se kush parti e ka propozuar, se kush parti e mbështet, se nuk është vetëm PS dhe LSI që e mbështesin Mirandën, por e mbështet një koalicion që shtrihet nga socialistët e deri të demokratët”, - tha Rama.

rama meta prrenjas

Meta: S’jam i lumtur që Miranda lë deputeten, por me eksperiencën e saj do transformojë Prrenjasin
Kryetari i LSI-së Ilir Meta vlerësoi kandidaten e përbashkët të së majtës z si njeriun duhur për drejtimin e bashkisë së re.

“Jam shumë krenar që jam këtu bashkë me të gjithë ju për të mbështetur Miranda Rirën si kryetaren e re të bashkisë së re të Përrenjasit. Nuk jam i lumtur që Miranda ikën nga deputete, por jam shumë i lumtur që ajo vjen këtu ku i ka rrënjët e veta dhe për të cilat është shumë krenare dhe që do të ketë mundësi që me eksperiencën e saj, me vizionin e saj, me kulturën e saj, të jetë në gjendje të realizojë atë transformim që pritet nga të gjithë ju me krijimin e kësaj bashkie të re të Përrenjasit. Unë jam i bindur që ajo është mjaft e aftë dhe e përgatitur që ta përballojë me sukses këtë sfidë të jashtëzakonshme për të sjellë këtë transformim që ju të gjithë prisni edhe këtu në bashkinë e re të Përrenjasit. Prandaj le ta votojmë të gjithë Miranda Rirën. Ajo është zgjedhja e duhur, është drejtimi i duhur për bashkinë e re të Përrenjasit. Jam i bindur se me bashkëpunimin e shkëlqyer që ka me deputetin tuaj, Taulant Ballën, por edhe me mbështetjen që do të ketë nga e gjithë qeveria me në krye Kryeministrin z. Edi Rama, ajo vërtet do ta bëjë bashkinë e re të Përrenjasit një vend ku të rinjtë të shohin të ardhmen e tyre, dhe mendoj se ky do të ishte suksesi më i madh dhe lumturia më e madhe edhe për atë vetë si kryebashkiake e re Përrenjasit”, - theksoi Meta.

Rira: Lidh besën me ju, kontrata ime sociale: Kushtetuta me banorët e ndershëm
Ndërsa, kandidatja për kryetare e Bashkisë Përrenjas, Miranda Rira tha se bashkë me stafin e saj mbështetës, bashkë me qeverinë ka hartuar një plan të qartë, një platformë të qartë ekonomike dhe sociale.

meta rama ne prrenjas
Ne e kemi të qartë se nga do ta fillojmë, dhe si do ta bëjmë për ta ringjallur këtë vend, që Përrenjasi të mos mbetet një zonë e lënë në harresë, një zonë ku njerëzit kalojnë dhe thotë se çfarë është ky, qytet apo fshat, por një zonë që do të ketë resurse, do të ketë vlera dhe padyshim që do të ketë edhe shumë rëndësi në sytë e të huajve. Ne me programet tona, me projekte tona do të mundohemi që realisht kësaj zone t’i vijë ndryshimi i madh, veçanërisht për qytetin e Përrenjasit, - tha znj. Rira. - Në programin tonë elektoral, që është kontrata ime sociale me ju banorë të ndershëm të kësaj zone, është një kushtetutë , një besëlidhje që unë e lidh me ju, që së bashku kemi shumë punë për të bërë. Do ta nisim bashkë në këtë shesh, nga sheshi i Përrenjasit, ku një zyrë arkitekture në Tiranë po merret vetëm me projektin e qendrës së qytetit, sepse nuk kuptohet nëse është fshat apo qytet. Një vëmendje të veçantë do të ketë dhe krijimi i një tregu bujqësor i cili do të mbledhë të gjithë njerëzit e punës, por edhe për të mbajtur të pastër qytetin. Në të gjitha politikat tona, kryesisht politikat sociale, politika ekonomike, projektet tona, në qendër të vëmendjes janë pikërisht njerëzit e thjeshtë, jeni ju të papunët, janë pikërisht gratë”, - u shpreh ndër të tjerash kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetare e Bashkisë Përrenjas.

rama meta prrenjas

Gjatë vizitës së tyre në Korçë kryeministri Rama dhe kryeparlamentari Meta vizituan një fabrikë të përpunimit të mishit, e cila është dhe një prej shoqërive më të vjetra agro-ushqimore në Korçë dhe në të gjithë Shqipërinë.

Kryeministri e vlerësoi shembullin e këtij sipërmarrësi tepër inkurajues edhe për investitorë të tjerë, të cilët të mbështetur edhe nga politikat fiskale të qeverisë mund të arrijnë suksesin e dëshiruar në industrinë agro-përpunuese.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)