Rama-Kurti, secilit Shengenin e vet

Rama-Kurti, secilit Shengenin e vet

Takimi i parë zyrtar mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit nuk zhgënjeu ata që duan pak dramë politike mes dy vendeve. Jo vetëm nga fakti që Kurti dhe Rama dëshmuan se duan secili nga një Shengen të llojit të vet, por edhe për faktin se ishte kontakti i parë formal mes dy kryeministrash shumë të ndryshëm mes tyre.

Edi Rama i hodhi në erë të gjitha urat e komunikimit me paraardhësin e Kurtit, ish-kryeministrin Haradinaj. E hodhi në gjyq, i vuri disa epitete plot kripë e piper dhe të njëjtën gjë bëri edhe vetë Haradinaj. Megjithatë marrëdhënia Rama-Kurti mbetet gjithashtu një objekt i paidentifikuar për momentin. Kurti ka thënë se do të dëshërojë t’i japë impuls të ri marrëdhënieve, duke u fokusuar në vënien në jetë të mbi 70 marrëveshjeve mes dy shteteve, që kanë mbetur pezull në një masë të konsiderueshme. Ai është shfaqur para mediave si një përfaqësues i lartë politik që merakoset më shumë për një axhendë “panshqiptare”, më shumë sesa për dimensionin rajonal apo më gjerë. Rama nga ana e tij u duk se nuk ka lëvizur nga linja e ndërthurjes mes dinamikës ndërshqiptare, me procesin e afrimit rajonal dhe evropian.

Në një takim të parë mes dy liderëve që njihen prej kohësh mes tyre, por që sot kanë detyrën të përfaqësojnë dhe të flasin në emër të pesë milion shqiptarëve, nuk mund të merreshin shumë pika referimi. Ishte një vizitë e parë dhe me theks ceremonial nga ana e Kurtit në Tiranë, e cila hap sezonin e valsit kryeministror mes dy kryeqyteteve, pas zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë.

Rama dhe Kurti përfaqësojnë sot një dyshe që ka potencialin ta fusë raportin mes Shqipërisë e Kosovës në një dimension të ri, duke çliruar energji që kanë mbetur të fjetura, për shkak të paaftësisë në të dy anët e kufirit, apo më keq, për shkak të sherreve, thashethemeve, mërive personale dhe meskiniteteve aq popullore për mjedisin politik të vendeve.

Sot Kosova dhe Shqipëria shtrënguan duart për herë të parë zyrtarisht, pasi Prishtina uli në fron një forcë politike që nuk ka qenë kurrë në pushtet. Natyrisht, me hijen e bastunit të Mustafës pas shpine. Është ky një shans, më shumë sesa një premisë për ripërtëritjen e sherrit në kushte të reja. Kosova ka një axhendë sfiduese brenda dhe jashtë vendit. Dialogu me Serbinë, çmimi eventual për t’u paguar gjatë kësaj rruge, janë një e panjohur që Kurti duhet ta zgjidhë gjatë rrugëtimit.

E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë, e cila ka idetë e saj sa i përket rajonit. Ide të cilat edhe sot, në daljen e kryeministrave para mediave, provohet të jenë të distancuara. I përket Ramës dhe Kurtit që të ndërtojnë në javët që vijnë, ura takimi dhe besim të ndërsjelltë, duke rrëzuar pretendimet e deridjeshme. Sot Albin Kurti nuk erdhi në Tiranë për të rrëzuar qeverinë dhe as për të rekrutuar ish-ministrat e Ramës në partinë e tij. Kjo është dëshmia e parë e futjes së komunikimit mes tij dhe Ramës në hullinë e duhur. Epoka e luftës së ftohtë mes dy kryeqyteteve u provua se nuk çon askund.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë