Ramazan Bogdani: Të mos jepej
Instituti, është monument i kulturës

Ramazan Bogdani: Të mos jepej <br />Instituti, është monument i kulturës
Instituti i Kulturës Popullore është emri me të cilën paradoksalisht njihet ndërtesa e degraduar dhe e rrethuar me tezgat e rrobave të përdorura që shesin gabelët në rrugën e Kavajës. Kjo ndërtesë është vetëm 150 metra më poshtë Ministrisë së Kulturës, por askush nuk i ka ndalur shitësit e rrobave të vjetra që t’i ekspozojnë ato nëpër muret dhe kangjellat e institucionit. Qytetarët që kalojnë aty pranë, meqë brenda ka edhe punonjës shkencorë, me të drejtë mendojnë se është një godinë shtetërore, por mësojmë se shteti 20 vjet më parë, pas ’91-it “i ka larë duart” me këtë ndërtesë, duke ia kthyer ish-pronarit, pasardhësve të familjes Kallçiu. Dhe vijon t’i jap këtij ish-pronari edhe “3 milionë lekë të vjetra në muaj” për përdorimin, siç u shpreh drejtoresha e këtij instituti Naser Dibra.

“Me kaq lekë do të kishim bërë një ndërtesë të re gjigante”, thotë ajo. Drejtoresha më këtë llogari të shpejtë justifikon zhvendosjen që do t’i bëhet së afërmi institucionit për t’u bashkuar me degët e tjera të Albanologjisë në QSA, ku do të transportohen edhe arkivat, për të cilat jo ajo, por disa nga punonjësit shkencorë kanë deklaruar në media rrezikun që u kanoset nga banesa e rrënuar. Megjithatë, zonja Dibra pohon se instituti varet nga Qendra e Studimeve Albanologjike, që merr këto vendime dhe s’i përket asaj të flasë për çështjen. Zonja Dibra s’mund të mos jetë e ndjeshme ndaj faktit që ish-pronari merr 3 milionë lekët në muaj nga shteti dhe nuk vë dorë për mirëmbajtjen e godinës.

Ajo nuk mund të na japë dot shpjegime sesi ia ktheu shteti ish-pronarit këtë ndërtesë shtetërore që nga 1939-a. A do të ngelet përfundimisht në këmbë kjo ndërtesë derisa ish-pronarët vetë e kanë lënë të degradojë. Etnokoreologu prof.dr. Ramazan Bogdani rrëfen vlerat historike dhe kulturore të kësaj ndërtese. E njohur që në vitin 1939 si ndërtesë shtetërore, si Radio Tirana, dhe më pas si Instituti i Folklorit, pastaj i Kulturës Popullore dhe Antropologjisë, kjo godinë ruan gjurmët historike dhe arkivin e trashëgimisë popullore brenda. Degradimi i godinës dhe lënia e saj në dorë të ish-pronarëve ka ngjallur reagimet e banorëve që kanë restauruar përbri saj “me mundime dhe sakrifica” vilat e tyre tradicionale.



Zoti Bogdani, a quhet ndërtesë historike kjo ku sot është Instituti i Kulturës Popullore?
Ju falënderoj për pyetjen, sepse objekti i bisedës është me mjaft interes. Kemi të bëjmë me një ndërtesë mbase sot e degraduar në pamje, por me një traditë dhe histori tepër të lashtë. Unë do të thosha, pse jo një nga monumentet e kulturës shqiptare. Kjo ndërtesë është ndërtuar në vitet ‘38-‘39 nga një vendas i quajtur Beqir Kallçiu dhe këtë ndërtesë pastaj kur edhi Italia në ‘39-ën e përfundoi së ndërtuari dhe në atë kohë ajo u bë Radio Tirana dhe vazhdoi të jetë Radio Tirana deri rreth viteve ’50. Pas kësaj në këtë ndërtesë u vendos Institute i Folklorit. Ishte dega e Folklorit. Ne kishim gjysmën hyrjes së kësaj ndërtese, kur ishte drejtor Zihni Sako. Ai më bëri mua në atë kohë një kërkesë për të hyrë dhe punuar në këtë Institut. Gjysma tjetër ishte administratë e njësisë bashkiake Nr 5, pastaj ata ikën dhe ngeli vetëm Instituti i Folklorit. Pas nja 10-15 vjetësh u ndryshua emri në Institut i Kulturës Popullore. Ndërkohë u vendos drejtor prof. A. Uçi, i cili vazhdoi me këtë emër ku unë kam pasur fatin të isha këtu edhe shef i departamentit ët etnomuzikologjisë dhe pastaj mbas viteve ‘90 kur u shkëputën institucionet nga akademia e shkencave u varën Qendra e Studimeve Albanologjike. Vitet e fundit ky institucion mori emrin Instituti i Kulturës Popullore dhe Antropologjisë. Unë aktualisht punoj si i jashtëm se kam dalë në pension.

Cila është gjendja aktuale e këtij institucioni?
Edhe pse godina është në këto kushte, pjesëmarrësit dhe kërkuesit e ka kryer megjithatë punën e tyre kërkimore. I rëndësishëm është fakti që institut ka një arkiv të pasur. Arkivi është në disa drejtime, siç është arkivi e etnomuzikologjisë dhe etno-koreografisë, bashkë me kinotekën. Është arkivi i folklorit, i prozës dhe poezisë popullore, është arkivi i etnografisë me një bagazh mjaft të madh eksponentësh të ndryshme, ku edhe dega e artit ka arkivin e vet. Në tërësi është një arkiv mjaft e madhe dhe në një bisedë me drejtorin e përgjithshëm unë shpreha një shqetësim personal sesi ka mundësi që ky arkiv kaq i pasur të lëviz e të vendoset diku gjetkë. Këtë shqetësim ua themi edhe juve. Unë kam pasur rastin kohët e fundit të vizitojë Institutin e Studimeve popullore të Vjenës, të Austrisë, në institut tepër prestigjioz në qendër të Zvicrës. Si bagazh ishte pothuajse gjysma e arkivit të institutit tonë. Kam parë në Rumani që ka një arkiv shumë të pasur, por as ajo nuk m’u duke më e pasur se ajo që ka instituti ynë.

Kush kanë qenë kontribuuesit e një arkivi kaq të pasur?
Në radhë të parë do të përmendja profesor Zihni Sakon. Por ata që janë shquar së tepërmi në ato vite, kur kam qenë unë, dhe të tjerë para meje ka qenë bashkëpunëtori i vjetër shkencor, i nderuari dhe i ndjeri Qemal Haxhihasani, i cili mblodhi në mënyrë të veçantë Ciklin e Kreshnikëve. Ai ka bërë një arkivë shumë të pasur pas ekspeditave të shumta, dhe Gjithë Ballkani nuk ka një bagazh të tillë kërkimesh për Ciklin e Kreshnikëve si Instituti ynë. Po ashtu mund të përmendim, Ish-etnomuzilogun Eftim Zërin ish-etnomuzikologun Beniamin Kruta, ish folkloristin Jorgo Panajoti, ndaj unë u ndala më tepër tek sektori i folklorit. Kurse nëse do t’i drejtohemi sektorit të etnografisë, emra të shquar në këtë fushë janë i ndjeri Rrok Zojzi, Andromaqi Gjergji, etj.

Kjo ndërtesë që tani do t’i kthehet pronarit, a do të ishte mirë të ruante statusin e një ndërtese historike dhe të restaurohej?
Para 50 vitesh apo më shumë ky institucion, kjo godinë ka qenë një nga më të bukurat nga pikëpamja e arkitekturës ose nga pikëpamja e paraqitjes. Ka mahnitur në atë kohë edhe studiuesit e huaj. Mirëpo pas viteve ‘90 ajo degradoi. Me rikthimin e ndërtesë pronarëve që sot e kësaj dite ata po i marrin qira shtetit dhe në këtë rast shtetit nuk i ka interesuar dhe nuk i intereson që të bëjë restaurimet përkatëse sepse nuk është pronë e shtetit më. Në këtë mënyrë ajo nuk mund të jetë një institucion i tillë, që të ketë paraqitjen estetike dhe shtetit nuk i intereson, sepse do ta marri pronari. Mendohet që Qendra e Studimeve Albanologjike do t’i përmbledh të gjithë këto institute tek Stadiumi Dinamo ku ka ndërtesën, dhe po bëjnë disa restaurime te një palestër për t’u përmbledhur gjithë institutet e kësaj qendre në atë vend.


Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 5 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja