Rami Memushaj:Ligji për shqipen në
Maqedoni,peng i Marrëveshjes së Ohrit

Rami Memushaj:Ligji për shqipen në<br />Maqedoni,peng i Marrëveshjes së Ohrit<br /><br>
Përtej ngazëllimit të politikanëve, gjuhëtarëve dhe gazetarëve, lajmi nga Parlamenti i Maqedonisë për shpalljen e  Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, më 14 mars, është vetëm një hap i parë në luftën e shqiptarëve të Maqedonisë për gjuhën amë. ..

Sipas gjuhëtarëve të njohur Rami Memushaj dhe Valter Memishaj që iu janë bashkuar përpjekjeve të shqiptarëve të Maqedonsië për të drejtën e pëdorimit të gjuhës, lufta për ligjërimin e saj ende nuk ka marrë fund. Ky ligj konsiderohet  vetëm si një pikë e përmbushur e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën Rami Memushaj shprehet se fshihen disa pika të errëta të ligjit.

“Më duhet të pres tre ditë, se çdo të bëjnë me ligjin dhe rregulloren dhe pastaj të flas për këtë çështje”, -u shpreh Memushaj gjatë bisedës për intervistën në “Shqiptarja.com”. Ndësa duke iu përgjigjur pyetjeve të intervistës më pas Rami Memushaj u shpreh se “Pritet një luftë e fortë  për hartimin e akteve nënligjore që të zbatohet ligji.”

Sipas Memushaj, intelektualëve, forcave politike dhe ligjbërësve shqiptarë të Maqedonisë u duhet të luftojnë fort , “sepse situata reale gjuhësore në Maqedoni është shumë larg nga ajo që duhet të jetë”.  

Intervista

Profesor Memushaj, a mund të arrihet përfundimisht e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe nga shqiptarët e Maqedonisë pas miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe?
-Votimi më 11 janar të këtij viti nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë i ligjit për gjuhën shqipe dhe hyrja e tij në fuqi këto ditë është përshëndetur nga politikanët më të lartë të shtetit shqiptar, nga intelektualë si dhe nga gazeta në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoni. Sipas vlerësimit të tyre, me miratimin e këtij ligji përmbushet një nga pikat e Marrëveshjes së Ohrit.

Pse e theksoni se “është përmbushur vetëm një nga pikat e Marrëveshjes së Ohrit”?
-Tek e drejta e gjuhës zënë fill të gjitha të liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të bashkësisë gjuhësore së cilës ai i përket. Kushtetuta e ish-Jugosllavisë i njihte gjuhës shqipe status të barabartë me maqedonishten. Madje, sipas njohësve të situatës gjuhësore në Republikën e Maqedonisë, “në viset me popullsi shumicë shqiptare shqipja ka pasur statusin e gjuhës së parë, kurse maqedonishtja statusin e gjuhës së dytë”. Por, me shpërbërjen e Republikës Federative Jugosllave dhe shkëputjen e Maqedonisë si shtet më vete, këto të drejta u shkelën.

Kjo shkelje u sanksionua në Kushtetutën e Maqedonisë të vitit 1991, në të cilën thuhej se “Maqedonia është formuar si shtet kombëtar i popullit maqedonas”, dmth. si shtet njëkombësh a pronë e sllavëve maqedonas, kurse shqiptarët shiheshin jo si komb shtretformues, po si pakicë kombëtare, ashtu si dhe turqit, dhe gjuha shqipe fshihej pas togfjalëshit “gjuha tjetër të cilën e flasin të paktën 20% e shtetasve”.

Cilat kanë qenë reagimet tuaj apo të kolegëve rreth sanksioneve të kësaj kushtetute?
-Veprimtarët dhe inteletualët shqiptarë të Maqedonisë nuk u pajtuan me këtë gjendje, duke iu kundërvunë politikave shkombëtarizuese që frymëzoheshin nga kjo kushtetutë. Përpjekjet e tyre për të mbrojtur të drejtën e shkollimit para- e pasuniversitar në gjuhën shqipe, si dhe ngritjen e saj nga gjuhë e inkurajuar në statusin e gjuhës zyrtare paralele të vendit nisën me protesta paqësore e aksione kulturore, që kulmuan me konfliktin e armatosur të vitit 2001, për t’u mbyllur me Marrëveshjen e Ohrit të 13 gushtit të po atij viti.

Po edhe në marrëveshjen e Ohrit, e cila u ndërmjetësua nga ndërkombëtarët, shqipes, që nuk përmendet me emër, po si “gjuha që flitet nga 20% e popullsisë”, nuk iu sigurua një status i njëjtë me atë që gëzon serbishtja në Kosovë, e cila njihet me kushtetutë si gjuhë zyrtare paralele me shqipe.

Pra, nga ndërkombëtarët u ndoqën dy standarde: në Kosovë serbishtja flitet nga më pak se 5% e popullsisë së saj e megjithatë është gjuhë zyrtare paralele, kurse në Maqedoni, që është shtet realisht shumetnik (sipas regjistrimit të vitit 1981, Maqedonia ka pasur 29 kombësi dhe popullsi, ku maqedonasit përbënin 67 të numrit të përgjithshëm të popullsisë, shqiptarët dhe pakicat e tjera 33%), shqipes nuk iu njoh po ai status si serbishtes në Kosovë, edhe pse flitet nga 25% e popullsisë. Në projektligjin e gushtit 2017, gjithashtu, përsëritet shpesh shprehja “gjuha që flitet nga 20% e popullsisë” dhe ka shumë nene e klauzola që e kufizojnë përdorimin e shqipes.

Me kalimin në Kuvendin e Maqedonisë të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, përmbyllet një çerek shekulli përpjekjesh të shqiptarëve për status të barabartë me maqedonasit. Merita për këtë u takon  intelektualëve shqiptarë dhe forcave politike shqiptare të Maqedonisë, duke filluar me kampionin e qëndresës shqiptare Arbër Xhaferin e duke vijuar me brezin më të ri të intelektualëve dhe të politikanëve shqiptarë. Kjo luftë çerekshekullore e tyre për të faktorizuar elementin shqiptar ka ndikuar, pa dyshim, edhe në vetëdijësimin e faktorit politik maqedonas se pa shqiptarët nuk mund të ndërtohet një shtet demokratik dhe i qëndrueshëm.

Meritë për këtë arritje ka edhe kryeministrit Zoran Zaev dhe forca politike e udhëhequr prej tij. Tashmë pritet që i gjithë spektri politik maqedonas ta kuptojë se në një Maqedoni që synon t’i bashkohet Europës, shqiptarët nuk mund të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë. Por, që të bëhet një shtet vërtet demokratik, Maqedonisë i “duhet të heqë dorë nga miti i njëgjuhësisë dhe të jetë një shtet unitar me dy gjuhë zyrtare në tërë territorin, siç është Kosova, Mali i Zi, Finlanda, Zvicra, madje dhe shtetet afrikane etj.”, – thekson prof. Qemal Murati në një intervistë të tij dhënë para do kohësh në mediat shqiptare.

Cilat janë nenet dhe klauzolat që ju mendoni se e kufizojnë përdorimin e shqipes në projekligjin e 2017-s?
-Përtej ngazëllimit të politikanëve dhe të gazetarëve, ky ligj duhet parë vetëm si një hap i parë në luftën e shqiptarëve të Maqedonisë për gjuhën. Së pari, sepse nuk i njeh shqipes një status të barabartë me maqedonishten dhe, së dyti, sepse deri në zbatimin në praktikë të tij mbetet për t’u bërë një punë e madhe e për t’u kapërcyer pengesa të shumta.

Intelektualëve, forcave politike dhe ligjbërësve shqiptarë të Maqedonisë u duhet të luftojnë fort për hartimin e akteve nënligjore që do të bëjnë të mundur zbatimin e këtij ligji dhe pastaj të ndjekin vënien në praktikë të tij. Sepse situata reale gjuhësore në Maqedoni është shumë larg nga ajo që duhet të jetë.

Kushdo që hyn nga Qafa e Thanës, sheh se emërtimet që në këtë doganë dhe qendrat e banuara nga shqiptarë janë në gjuhën maqedonase. Edhe brenda në Strugë, që është qytet me rreth 50% shqiptarë, emërtimet e institucioneve shtetërore e kulturore, shkrimet e emrave të në përmendoret e bustet janë vetëm në maqedonishte.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi