Teksa vendi po shkon drejt një ndarje të re territoriale, bashkitë duket se janë në ditë të mira, po mbledhin me miliarda lekë më shumë se vjet dhe se pritshmëritë për këtë vit.
Shifrat e ministrisë së financave tregojnë se nga janari deri në gusht pushteti vendor mblodhi 44.4 miliardë lekë, nga 25.2 miliardë lekë që arkëtoi në të njëjtën periudhë vjet. Rritja është me rreth 75.7% nëse krahasojnë 8-mujorët e dy viteve, por edhe tejkaluar edhe plani për këtë periudhë pasi pritej që bashkitë të mblidhnin 41.7 miliardë lekë.
Sa i takon të ardhurave të pushtetit vendor, ato mblidhen kryesisht nga taksat lokale, që lidhet me tatimet apo tarifat për bizneset e qytetarët dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë si rezultat i shtimit të ndërtimeve të reja.
61 bashkitë e vendit kanë mbledhur 37.1 miliardë lekë nga taksat lokale me rritje 91.1% krahasuar me vitin e kaluar, ku kontributi më i madh jepet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e cila për 6 mujorin e parë të vitit ishte 18.3 miliardë lekë (për korrik-gusht nuk është publikuar). Bashkitë kanë dhënë 782 leje ndërtimi në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ose 28% më shumë se vjet në të njëjtën periudhë.
Në rritje janë edhe të ardhurat nga taksa mbi pasurinë që përfshin ndërtesa, truall dhe toka bujqësore, të cilat arritën në 7.2 miliardë lekë këtë vit, me rritje prej 1.4 miliardë lekë në raport me vjet.
Nga ana tjetër “sëmundja” e pushtetit qendror ka “zënë” edhe atë vendor. Të ardhurat tejkalojnë planin, ndërsa shpenzimet nuk realizohen sipas parashikimeve.
Sipas të dhënave për periudhën janar-gusht, shpenzimet e pushtetit vendor arritën në 58.8 miliardë lekë, nga 51.599 milionë lekë të shpenzuara në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Në terma vjetorë, shpenzimet u rritën me rreth 14%. Megjithatë, realizimi mbetet pas planit të përcaktuar për këtë periudhë që ishte 65.4 miliardë lekë.
Praktikisht ritmi i mbledhjes së të ardhurave është 5.4 herë më i lartë, se shpenzimet e realizuara nga bashkitë për të realizuar investime apo për tu shërbyer qytetarëve.






Komente
Komento