Raporti/ Bllokohet rritja pagave
për gjyqtarët, kusht Vetingu!

Raporti/ Bllokohet rritja pagave<br />për gjyqtarët, kusht Vetingu!
Rritja e pagave për njerëzit e drejtësisë do të kushtëzohet me zhbllokimin dhe zbatimin e ligjit të Vetingut, i cili është “ngrirë” me kërkesë të Partisë Demokratike dhe Unionit të Gjyqtarëve.

Nuk do të ketë dyfishim të rrogave për 800 gjyqtarë dhe prokurorë, për vitin 2017, pa kaluar në skanerin e trefishtë të Vetingut, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale. Edhe pse pagat e “çmendura” për gjyqtarët dhe prokurorët janë parashikuar në ligjin për statusin e njerëzve të drejtësisë, rritja do të mundësohet dhe konkretizohet vetëm pas veprimit të ligjit të Vetingut.

Kushtëzimi parashikohet dhe theksohet në raportin e Komisionit Parlamentar të Ligjeve për buxhetin dhe financimin e reformës në sistemin e drejtësisë. Duke iu referuar shpjegimeve të ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, në raport thuhet se pagat do të rriten pas procesit të Vetingut, ndërsa janë plotësuar të gjitha kërkesat për fonde të institucioneve aktuale të drejtësisë.

“Pagat e institucioneve të drejtësisë pas Vetingut do të rriten me 100%. Në të njëjtën kohë, ministri Ahmetaj theksoi se projektbuxheti i vitit 2017 është kujdesur që të financojë me të gjitha nevojat institucionet ekzistuese të sistemit të drejtësisë që janë gjykatat, prokuroria apo institucione të tjera dhe në diskutim në nivel teknik me ta është dakordësuara në financimin e kërkesave të tyre, qoftë nga ana operative, logjistike apo mbështetjes me investime apo personel”, thuhet në raport.

Testimi
Sipas raportit, reforma në drejtësi synon krijimin e një sistemi ligjor koherent të sistemuar e të harmonizuar së brendshmi dhe me standardet ndërkombëtare e që zbatohet njëtrajtësisht nga institucionet e sistemit të drejtësisë.

“Reforma në drejtësi do të krijojë kushtet që trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve të përmbushë standardet më të larta të integritetit dhe etikës përmes ngritjes së sistemeve për monitorimin dhe testimin e vazhdueshëm të integritetit moral, etik dhe psikologjik të tyre, si kriter të nevojshëm për qëndrimin në detyrë”, thuhet në raport.

Institucionet e reja
Kostoja e financimit të institucioneve të reja të drejtësisë për tre vitet e ardhshme do të jetë 2 miliardë lekë. “Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komision, Ministri i Financave. Z. Arben Ahmetaj informoi deputetët se projektbuxheti 2017 financon reforma të rëndësishme, siç është edhe reforma në drejtësi.

Ministri informoi se në negociatë me Komisionin Parlamentar të Reformës në Drejtësi është vendosur kostoja bazë që do të ketë reforma në drejtësi për sa u përket institucioneve të reja, financimit të tyre në vazhdimësi dhe rritjes së pagave të sistemit të drejtësisë, dhe në kuadrin e tri vjetëve e në vazhdim buxheti i sistemit të drejtësisë hyn në trajektore të plotë me një kosto prej 1,8-2 miliardësh lekësh.

Ky buxhet është dakordësuar, në nivel konsensusi parlamentar, specialistësh dhe ekspertësh, qoftë vendas apo të huaj”, thuhet në raport.

Kostoja për vitin 2017
Qeveria ka parashikuar vetëm 500 milionë lekë për financimin e reformës në drejtësi për vitin 2017. “Për të garantuar suksesin e reformës në drejtësi, është e domosdoshme një mbështetje e posaçme financiare e këtij sistemi sipas një plani veprimi të shtrirë në një hark kohor shumëvjeçar.

Për këtë qëllim, duke filluar nga viti 2017, Këshilli i Ministrave ka programuar një fond të posaçëm prej 500 milionë lekë që do të financojë institucionet e reja të krijuara nga miratimi i një pjese të paketës së reformës në drejtësi.

Më konkretisht, ky fond do të përdoret për të mbuluar shpenzimet e domosdoshme për funksionimin e institucioneve që do të garantojnë rivlerësimin e figurës së magjistratëve si dhe të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, në Republikën e Shqipërisë.

Në vitet që pasojnë, parashikohet që fondi i dedikuar për këtë reformë të rritet gradualisht duke parashikuar që në vitin 2019 të arrijë vlerën e 1.8 miliardë lekë”, thuhet në raportin e Komisionit të Ligjeve.


Kushti i financimit të Byrosë së Hetimit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me anë të ekspertëve të FBI dhe të drejtësisë penale, kërkojnë mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimtarisë së Byrosë Kombëtare të Hetimit, si kusht për financimin e kësaj strukture.

Paralajmërimi është artikuluar nga John Smibert, përfaqësues i misionit të OPDAT-it në Shqipëri, gjatë mbledhjes së komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, në datën 13 korrik. Megjithatë, në ligjin e miratuar për SPAK, roli i ndërkombëtarëve është kufizuar.
 
Gjyqtarët dhe prokurorët përfitojnë shtëpi të reja
Gjyqtarët dhe prokurorët ,të cilët do t’i mbijetojnë procesit të trefishtë të Vetingut, do të kenë mundësi që të marrin edhe apartamente të reja, si të pastrehë, në qendrat e qyteteve ku ata ushtrojnë detyrën, sipas disa kushteve të përcaktuara.

Kapitulli për përfitimet financiare dhe shoqërore të magjistratëve, në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, parashikon që prokurori dhe gjyqtari me tre vjet eksperiencë mund të marrë kredi të financuar nga shteti, për të blerë shtëpi në qendër të qytetit.

Përveç rasteve kur magjistrati i mbulon shpenzimet e tij/saj të akomodimit nëpërmjet një pasurie pa kolateral, magjistratit i jepet e drejta njëherë që gjatë ushtrimit të funksionit të tij, por pasi të ketë ushtruar jo më pak se 3 vjet të detyrës, të përfitojë kredi për shtëpinë të financuar nga shteti, në shumën e vlerës mesatare të një apartamenti të paktën 50 m2 në zonën e qendrës së qytetit ku magjistrati ushtron detyrën.
 
Llogaritja e pagave për gjyqësorin
Sipas ligjit, paga mujore referuese për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë do të jetë mesatarja e pagës mujore bazë të punonjësve të shërbimit civil në pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm (I-a) dhe pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm (II-a)”, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave.

Është parashikuar gjithashtu një shtesë për çdo grup page. Shtesa do të jetë shuma që rezulton nga shumëzimi i pagës referuese me koeficientin në përqindje sipas funksionit që magjistrati ushtron. Konkretisht për grupin e parë parashikohet 150 %, grupi i dytë 158 % dhe grupi i tretë 166 %.

Pra, nëse mesatarja e pagës bazë mujore të sekretarit të përgjithshëm dhe drejtorit të përgjithshëm është 1 mijë euro, grupi u parë i prokurorëve dhe gjyqtarëve do ta ketë pagën 1 500 euro. Po ashtu, paga shtohet me 8% për çdo 4 vjet të plota të ushtrimit të funksionit si dhe 5 % të pagës fillestare, për çdo fëmijë deri në moshën 18 vjeç.
 
Pensione të larta për gjyqtarët dhe prokurorët
Gjyqtarët dhe prokurorët kanë kërkuar pension gati sa rroga e tyre, gjatë ushtrimit të detyrës. Ligji për statusin e magjistratit parashikon që pensioni shtetëror suplementar i prokurorit dhe gjyqtarit, dhe shtesa për pensionin e përfituar sipas legjislacionit në fuqi për sigurimet shoqërore, nuk mund të jetë më i lartë se 90 për qind e pagës referuese të funksionit. Po ashtu, pensioni shtetëror suplementar, rritet në të njëjtën masë me pagën referuese të funksionit që rritet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kur magjistrati i cili deklarohet invalid i përhershëm gjatë ushtrimit të funksionit, përfiton një pension shtetëror suplementar për invaliditet, në masën 60 për qind të pagës referuese sipas ligjit për pensionet shtetërore suplementare.

Për efekt të llogaritjes së pensionit të pleqërisë dhe pensioneve shtetërore suplementare, vjetërsia në funksion përfshin gjithashtu, tre vitet e kursit të formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës. Në rastin kur magjistrati vdes, pensioni shtetëror suplementar familjar që përfitohet është 60% për bashkëshortin ose bashkëjetuesin pasjetues dhe 30% për fëmijën.

rritja e pagave
 

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS