Njësoj si më 11 dhjetor të vitit të shkuar, kur u zgjodh mes kaosit si Avokat i Popullit, Endri Shabani u kthye sërish “mollë sherri” në parlament. Ndërsa po përgatitej të prezantonte raportin vjetor, Kuvendi u përfshi në kaos. Deputetët e opozitës kundërshtuan hyrjen e Endrit Shabanit brenda sallës dhe bllokuan foltoren për të mos lejuar vijimin e seancës.
“S’mund ta provokoni opozitën duke sjellë për të raportuar në këtë seancë një njeri që është zgjedhur në flagrancë me Kushtetutën. Një njeri që ka keqpërdorur vullnetin e deputetëve të opozitës për të uzurpuar një pozicion kushtetues. Nuk kemi nevojë të dëgjojmë një njeri që s’ka ngritur kurrë zërin gjithë këto muaj, është sjellë si ushtar partie dhe jo si Avokat i Popullit”, tha Gazment Bardhi.
Edhe pse në komisione parlamentare Shabani raportoi pa probleme edhe në prani të deputetëve opozitarë, PD në seancë plenare thotë se nuk e njeh si Avokat të Popullit dhe duke u zotuar se nuk do ta linin të fliste, bllokuan foltoren.
Situata e tensionuar detyroi kryeparlamentarin Niko Peleshi të njoftonte pushimin e parë prej 5 minutash.
“Nuk e kemi arenë gladiatorësh parlamentin. Lironi foltoren! Nuk ka shans t’i impononi Kuvendit rendin e ditës!”, tha Peleshi.
Ndërhyrja e parë nuk dha asnjë rezultat, pasi pas kësaj fjalie kryetari i parlamentit thirri pushimin e dytë.
Në rikthim, pati një propozim të Taulant Ballës për shtyrjen e pikave të seancës.
“Pr. rezoluta për KLGJ, KLP, KLSH, Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK, ILD dhe Avokatin e Popullit, të kalojë në seancën pasardhëse”, tha shefi i grupit parlamentar të PS.
Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi akuzoi PS për prishje të seancës së ditës dhe asaj pasardhëse.
“Nuk e kuptoj logjikën e propozimit të bërë, se renditja është ndryshe nga ajo e kryetarit të Kuvendit. Nëse bie dakord që të ndërrojmë rendin e ditës, ta vazhdojmë seancën tani”, tha Bardhi.
Fjala e fundit i takoi Peleshit që tha se asnjë prej dy deputetëve s’mund të përcaktojë rendin e ditës dhe se seanca s’mund të bllokohej se opozitës nuk i pëlqen Avokati i Popullit. Seanca ku do të raportonin 7 institucione kushtetuese si KLGJ, KLP, KLSH, Prokurori i Përgjithshëm, SPAK dhe ILD u shty për në seancën e 23 korrikut.
Duke iu drejtuar Gazment Bardhit se s’mund të bllokohet seanca për shkak se opozitës nuk i pëlqen dikush (në këtë rast, Avokati i Popullit), Niko Peleshi hodhi në votim propozimin e Taulant Ballës për të shtyrë pikat e seancës ditën e enjte.
“Rendin e ditës e shpall kryetari i Kuvendit, nuk mund të vendosim pas 7 orësh si do ta bëjmë aq më keq në presionin e bllokimit fizik të foltores. Nuk i vlen askujt. Si mund të bllokosh Kuvendin se nuk të pëlqen dikush? Ju thoni është antikushtetues se e shpall unë, të ligjshëm a të paligjshëm e shpallin gjykatat. Nëse do të ishte pranuar nga GJK do ta zbatonim, unë i pari dhe gjithë të tjerët. S’kemi vendim pezullimi, kur të shqyrtohet do të respektohet vendimi i GJK. Këto janë mendime personale apo të një grupi të caktuar. Rendi i ditës nuk mund të ndryshojë gjatë ditës së seancës vetëm sepse kemi bllokim fizik të foltores, do të ishte fundi i parlamentarizmit. Ju e Balla s’keni asnjë tagër të vendosni rendin e ditës të seancës pasardhëse. Keni të drejtë të propozoni, marr si të bazuar në rregulloren propozimin e Ballës për shtyrjen e pikave të kësaj seance ditën e enjte. Jam i detyruar ta hedh në votim të hapur me karton”, tha Peleshi.
Shtyrja e seancës u miratua me 76 vota pro dhe 25 kundër.
Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi akuzoi PS se po përpiqet që të prishë seancën e sotme plenare, si edhe atë të 23 korrikut. Bardhi kundërshtoi propozimin e Taulant Ballës që raportet e institucioneve të diskutohet javën që vjen, duke theksuar se ata kërkojnë vetëm që mos të raportojë Avokati i Popullit, Endri Shabani pasi çështja e zgjedhjes së tij është në Kushtetuese.
“Nuk e kuptoj logjikën e propozimit të bërë, se renditja është ndryshe nga ajo e kryetarit të Kuvendit. Nëse bie dakord që të ndërrojmë rendin e ditës, ta vazhdojmë seancën tani. Kanë ardhur për të raportuar, ti dëgjojmë dhe të vazhdojmë diskutimin me institucionet e tjera. Një individ nuk mund të marrë peng institucionin se doni ju. Zotëria nuk mund të vijë të raportojë në seancë plenare, herën e fundit ka fyer deputetët e opozitës. Një njeri që vjen dhe shkel edhe aktin e betimit, të vijë të raportojë sikur s’ka ndodhur asgjë. Ne po themi këtë institucion nuk duam të raportojë. Nisim sipas rendit të ditës me raportimin e KLGJ. Zotëria që e quani Avokat të Partisë, në çdo rast nuk do të raportojë në Kuvend. Doni të prishni edhe këtë seancë, edhe seancën tjetër duke provokuar opozitën”, tha Bardhi.
Taulant Balla propozon mbylljen e seancës së sotme plenare që sot është ndërprerë dy herë pas ndërhyrjes së deputetëve të opozitës për të mos lejuar raportimin e Endrit Shabanit. Balla kërkoi që institucionet e tjera të raportojnë seancën e ardhshme, në një renditje të ndryshme.
“Do t'i propozoja seancës që të ndërpritet këtu. Pr. rezoluta për KLGJ, KLP, KLSH, Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK, ILD dhe Avokatin e Popullit, të kalojë në seancën pasardhëse. U konceptua dhe u kërkua prej meje si kryetar i grupit që të ishte seancë e posaçme raportimesh, nuk u arrit një gjë e tillë. Kërkoj që pasi të dëgjohet një folës pro dhe një kundër, të hidhet në votim propozimi im”, tha Balla.
Me rikthimin e seancës plenare pas pushimit të njoftuar pasi opozita bllokoi foltoren për të mos lejuar raportimin e Avokatit të Popullit, situata nuk ka ndryshuar. Deputetët e opozitës vijojnë të jenë te podiumi dhe injorojnë thirrjet e Niko Peleshit për të dëgjuar raportin.
Niko Peleshi: Nuk e kemi arenë gladiatorësh parlamentin. Lironi foltoren! Takojeni pas raportimit. Mos u impononi mendimin tuaj kolegëve të tjerë që janë ulur dhe po presin të dëgjonë raportin. Mos u bëni pengesë e zbatimit të Kushtetutës. Ju lutem uluni!
-Ne nuk e njohim!
Niko Peleshi: Ka të tjerë që e njohin! Në këtë sallë jeni të detyruar të respektoni rregulloren dhe detyrimin e institucioneve të raportojnë. Uluni, nuk jeni këtu për forcën fizike! Nuk jemi këtu për përleshje! Jemi për të përplasur mendimet, jo kokat! Pa dëgjuar raportin, nuk mund të diskutojmë në ajër! Nuk ka shans t’i impononi Kuvendit rendin e ditës!
Seanca kaloi në pushimin e dytë, sërish 5 minuta.









