Raporti i DASH për liritë fetare:
Censusi s'reflekton realitetin feta

Raporti i DASH për liritë fetare:<br />Censusi s'reflekton realitetin feta
Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e përvitshëm për liritë fetare në botë. Në pjesën për Shqipërisë, vlerësohet liria fetare, duke u cituar edhe të dhënat e regjistrimit të popullsisë në vitin 2011.

Në raport thuhet se “sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, popullsia përbëhet nga 2.8 milionë banorë. Është e vështirë të vlerësohen përmasat e grupeve fetare sepse afro 20 përqind e të intervistuarve refuzuan t’i përgjigjeshin pyetjeve opsionale të regjistrimit mbi përkatësinë fetare. Një numër udhëheqësish fetarë i sfiduan rezultatet e regjistrimit. Sipas regjistrimit, myslimanët sunitë përbëjnë afro 57 përqind të popullsisë, katolikët romanë 10 përqind, të krishterët ortodoksë (Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë) afro 7 përqind, dhe bektashinjtë (një formë e sufizmit shiit) 2 përqind. Grupe të tjera përfshijnë Bahait, Dëshmitarët e Jehovait, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditës së Shtatë (mormonët). Komiteti Shtetëror për Kultet raporton mbi 230 grupe, organizata, fondacione, dhe institucione fetare që kryejnë aktivitetin e tyre në vend”.

Por në raport theksohet edhe bojkotimi i regjistrimit të popullsisë nga pjesa e pakicës greke, duke shtuar se këto të dhëna nuk reflektojnë realitetin.

“Një numër udhëheqësish fetarë sfiduan rezultatet e regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, duke pretenduar që zyrtarët e regjistrimit nuk kishin vizituar kurrë një numër të madh të besimtarëve të tyre. Gjithashtu, çoroditja lidhur me pasojat e vetë-identifikimit etnik dhe fetar mund të ketë bërë që shumë të intervistuar të mos e identifikonin përkatësinë e tyre fetare. Për shembull, grupet e pakicës etnike greke nxitën anëtarët e tyre ta bojkotonin regjistrimin, çka ndikonte në matjen e pakicës etnike greke dhe të Kishës Ortodokse Greke,” vijon raporti.

DASH thotë se nuk ka pasur raportime për abuzime të lirisë së fesë.

Edhe pse së fundmi po vijohet me ndërtimin e objekteve fetare në vend, një problem shqetësues sipas raportit mbetet çështja e pronave të komuniteteve fetare.

Lidhur me këtë temë në raport thuhet se “Qeveria vazhdoi të trajtonte pretendimet nga grupet fetare lidhur me kthimin ose kompensimin e pronave të konfiskuara gjatë kohës së komunizmit; megjithatë, shumë pretendime pronësore mbetën të pazgjidhura. Pas arritjes së marrëveshjeve dypalëshe në vitin 2008 midis qeverisë dhe komuniteteve myslimane, ortodokse, dhe bektashiane, qeveria udhëzoi Agjencinë Shtetërore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave që t’i jepte përparësi pronave të zotëruara nga grupet fetare. Megjithatë, sfidat administrative dhe ligjore të lidhura me pretendimet pronësore në përgjithësi e bënin kthimin e pronave të vështirë për individët dhe organizatat, përfshi grupet fetare, dhe përparimi ishte i ngadaltë. Për shembull, procedurat e ngecura administrative vazhduan ta pengonin komunitetin bektashian nga rimarrja e pronave në Ksamil, prona të cilat një gjykatë ia kishte kthyer në vitin 2009”.

Sipas raportit, “në Shqipëri për vitin 2012 nuk ka patur raportime për abuzim apo diskriminim nga shoqëria mbi bazën e përkatësisë, besimit, apo praktikës fetare”.

“Zyrtarë të ambasadës së SHBA vazhduan të nxisnin qeverinë që të trajtonte pretendimet për pronat fetare dhe t’iu kthente grupeve fetare ndërtesat, tokat dhe të tjera prona konfiskuar gjatë kohës së komunizmit”, thuhet në raport.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

AKEP hap garën për frekuencat e teknologjisë 5G

AKEP hap garën për frekuencat e teknologjisë 5G