Zv.kryeministri, Niko Peleshi duke komentuar raportin e “Doing Bizness”, tha se qeveria shqiptare e priste humbjen e disa pozicioneve për shkak të reformave të ndërmarra në urbanistikë. Peleshi tha se pika e dobët ishin “lejet e ndërtimit” të cilat janë bllokuar si dhe vendimi i qeverisë për të prishur ndërtesat pa leje.

“Ishim të vetëdijshëm që lejet e ndërtimit nuk mund të vlerësoheshin pozitivisht pasi kemi qenë të detyruar të normalizonim tregun e ndërtimit. Kemi bërë ndërhyrje të guximshme duke prishur ndërtimet pa leje dhe legalizimin e shpejtë nga ana tjetër”, u shpreh Peleshi.

Zv.kryeministri duke folur në takimin ndërkombëtar të biznesit, deklaroi se qeveria ka miratuar një paketë ligjesh që do t’i japë një impuls të ri ekonomisë. Peleshi tha se me këto masa do të luftohet burokracia si dhe do t’i jepet zgjidhje çështjes së pronës që pengon investimet e huaja.

“Kemi miratuar një paketë ligjesh që mendojmë se do t’i japë një impuls ekonomisë. Për ne burokracia është kolesteroli i biznesit. Kemi prodhuar mjaft histori negative të biznesmenëve të huaj. Do të kompensojmë pronarët brenda 10 viteve. Duke krijuar siguri juridike një pronar për çdo pronë jo siç është sot pronari i vjetër pronari i ri që mban larg investimet e huaja”, u shpreh Peleshi.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)