Raporti i KE, Ahmetaj: Përmisohen
kushtet për rritjen ekonomike

Raporti i KE, Ahmetaj: Përmisohen<br />kushtet për rritjen ekonomike
Ministri i i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, deklaroi të premten se progres-raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë,  është pozitiv sa i takon perspektivave tërritjes ekonomike të vendit.

Ministri Ahmetj thekson se raporti vë në dukje se, “Shqipëria ka përmirësuar perspektivat për rritjen e saj ekonomike”.

“Marrëveshja 3-vjeçare me FMN mbështet forcimin e stabilitetit makro-ekonomik dhe reformat për rritjen ekonomike”, u shpreh Ahmetaj.

Ministri shtoi se buxheti pati performancë të mirë në vitin 2014 si pasojë e mbledhjes së taksave. |Në lidhje me aksionin kundër informalitetit, “regjistrimi i biznesit po vazhdon me ritme të kënaqshme” cilesoi Ahmetaj.atsh

Ja fjala e plotë e ministrit
Dëshiroj të ndaj sot me ju disa nga gjetjet dhe rekomandimet kryesore të progres-raportit të publikuar nga Komisioni Europian disa ditë më parë, ku vlerësohen arritjet tona në aspektin ekonomik, të cilësuara në disa kapituj dhe rekomandimet e Komisionit për përmirësime të mëtejshme në disa aspekte të rëndësishme të veçanta.

Përsa i përket kriterit ekonomik, raporti vlerëson se: Shqipëria është e përgatitur për të zhvilluar një ekonomi tregu funksionale. Është arritur progres në drejtim të përmirësimit të stabilitetit makroekonomik dhe janë përmirësuar perspektivat për rritje ekonomike.

Raporti thekson gjithashtu rolin e Shqipërisë në rajon në kuadër të Procesit të Berlinit: “Procesi i Berlinit” dhe 6 nismat e Ballkanit Perëndimor i dhanë një shtysë të re bashkëpunimi rajonal, duke intensifikuar bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Europian, veçanërisht në drejtim të axhendës së lidhjes mes vendeve. Në prill, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor arritën në një marrëveshje për rrjetin kryesor të transportit dhe në qershor 2015, për zgjerimin e tre korridoreve kryesore të transportit trans-europian në Ballkanin Perëndimor. Ato identifikuan, gjithashtu, projekte me prioritet përgjatë seksioneve të këtyre korridoreve që do të zbatohen brenda vitit 2020.

Qeveria ka dëshmuar se ka marrë zotimin të reformojë dhe zbatojë politikat makroekonomike drejt stabilitetit, në një mjedis politik tejet sfidues. Marrëveshja financiare tre-vjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e arritur në shkurt 2014 mbështet forcimin e stabilitetit makroekonomik dhe reformat e për rritjen ekonomike.

Stabiliteti makroekonomik: Aktiviteti ekonomik pati rritje në vitin 2014 për shkak të përmirësimit të kërkesës së brendshme private. Edhe pse norma e rritjes në vitin 2013 arriti nivelin më të ulët të 15 viteve, me vetëm 1.1%, në vitin 2014 rritja u rimëkëmb me 2.1%, ndërkohë që shlyerja e një pjese të madhe të borxheve të qeverisë përmirësoi likuiditetin e firmave dhe besimin. Rritja ekonomike vjetore arriti në 2.8% në tremujorin e parë të vitit 2015, pjesërisht falë një rritje të fortë të investimeve.

Punësimi, në përputhje me rimëkëmbjen ekonomike u rrit në 1.6%, por për shkak të rritjes së pjesëmarrjes së fuqisë punëtore, shkalla e papunësisë u rrit nga 15.9% në 17.5% në vitin 2014, përpara se të binte në 17.3% në tremujorin e dytë të vitit 2015.

Buxheti, në vitin 2014, pati një performancë të mirë dhe të ardhurat u rritën me 12.1%, si rrjedhojë e përpjekjeve me sukses për të përmirësuar mbledhjen e taksave.  Në vitin 2014 buxheti duhej gjithashtu të financonte shlyerjen e borxheve të qeverisë së kaluar ndaj bizneseve, të cilat arrinin në 2.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në bazë vjetore. Pa këtë shpenzim të jashtëzakonshëm, buxheti aktual reflektonte një sufiçit primar të vogël për herë të parë qysh prej vitit 2010.

Komisioni vlerëson gjithashtu se në gjysmën e parë të vitit 2015, të ardhurat nga tatim-taksat ishin nën nivelin e objektivave, kryesisht për shkak të supozimeve optimiste për rritjen e të ardhurave, inflacionit më të ulët nga sa pritej dhe rënies së çmimit të naftës.

Ndërveprimi i forcave të tregut: Komisioni vlerëson se liberalizimi i tregut dhe privatizimi janë në fazë të avancuar në Shqipëri.

Hyrja dhe dalja nga tregu: Regjistrimi i biznesit vazhdon të funksionojë relativisht mirë nëpërmjet rrjetit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit apo QKR-së. Numri i shoqërive të reja u rrit me 43% në vitin 2014 dhe arriti normën më të lartë në gjashtë vjet. Ndërsa në vitin 2015, regjistrimet e biznesit kanë vazhduar të rriten, duke reflektuar përpjekjet për formalizmin e ekonomisë.

Sistemi ligjor: Janë bërë përpjekje për të përmirësuar komunikimin e qeverisë me bizneset, kryesisht me krijimin e Këshillit të Investimeve dhe konsultimin e detyrueshëm të palëve të interesuara në lidhje me hartimin e projekt-akteve të reja ligjore dhe për të zvogëluar barrën rregullatore që rëndon mbi sipërmarrjen.

Lidhur me aftësinë për të përballuar presionet e konkurrencës dhe forcat e tregut brenda BE-së: Shqipëria ka arritur një nivel të përgatitjes në aspektin e aftësive për të përballuar presionet e konkurrencës dhe forcat e tregut brenda BE-së. Janë bërë përparime, veçanërisht përsa i përket infrastrukturës së transportit dhe energjisë. Sidoqoftë, investime të rëndësishme në kapitalin njerëzor dhe fizik janë të nevojshme për të përmirësuar konkurrueshmërinë në vend.

Struktura sektoriale dhe e ndërmarrjeve: Skema të ndryshme të financuara nga shteti dhe donatorët mbështesin konkurrueshmërinë dhe aksesin në financë të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme. Strategjia për zhvillimin e biznesit dhe investimeve 2014-2020 i ka dhënë prioritet shërbimeve mbështetëse për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme dhe hapjen e tyre.

Integrimi ekonomik me BE-në: Ekonomia shqiptare ka rritur hapjen e saj ndaj tregjeve, ku shuma e totalit të importeve dhe eksporteve ka arritur në 92.3 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2014, kundrejt 86 % në 2008. Progres i konsiderueshëm është bërë në uljen e barrierave teknike në tregti

Kapitulli 1 - Lëvizja e lirë e mallrave

Shqipëria ka bërë përgatitje të moderuar në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave. Ka pasur disa përparime, kryesisht në fushën e standardizimit dhe akreditimit. Është miratuar strategjia për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbikëqyrjen e tregut, duke mbuluar edhe akreditimin dhe metrologjinë. Në fushën e metrologjisë, Ligji i ri për Metrologjinë u miratua në shtator 2015. Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë ka arritur të mbledhë rreth 75% të gjobave për shkelje të legjislacionit të hartuar në vitin 2014

Kapitulli 3 - E drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime

Shqipëria ka bërë përgatitje të moderuar në fushën e të drejtës së vendosjes dhe lirisë për të ofruar shërbime. Kanë filluar përgatitjet për bashkimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR) dhe Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL). Parlamenti ka miratuar në shkurt ndryshimet e legjislacionit për regjistrimin dhe licencimin, autorizimet dhe lejet e kompanive.

Kapitulli 6 - E drejta e shoqërive tregtare

Shqipëria ka bërë përgatitje të moderuar në fushën e së drejtës së shoqërive tregtare. Në tetor u miratuan ndryshimet e Ligjit 2008 për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare me qëllim përafrimin e mëtejshëm me acquis. Ndryshimet në Ligjin për QKR kanë parashikuar dorëzimin online të bilanceve vjetore dhe raporteve të auditit nga shoqëritë tregtare.

Kapitulli 7 - E drejta e pronësisë intelektuale

Janë bërë disa përparime në vitin e kaluar. Është miratuar legjislacioni dytësor që synon zbatimin e ligjit të ndryshuar për Pronësinë Industriale. Dy rregulloret mbi miratimin e tarifave për pronësinë industriale dhe nxjerrjen e patentave për shpikjet dhe modelet e përdorimit kanë hyrë në fuqi respektivisht në janar dhe në shkurt. Tre rregulloret shtesë për regjistrimin e markave tregtare dhe të shërbimeve, treguesit gjeografikë dhe planet industriale u miratuan në qershor. Drejtoria e Përgjithshme ka zhvilluar aktivitete sensibilizuese dhe ka parë rritjen e numrit të kompanive që regjistrojnë markat e tyre

Kapitulli 8 - Politika e konkurrencës

Shqipëria ka bërë përgatitje të moderuar në fushën e politikës së konkurrencës. Janë bërë disa përparime sidomos në lidhje me anti-kartel dhe bashkimet. Ligji për Kontrollin e Ndihmës Shtetërore është duke u rishikuar për të forcuar pavarësinë e autoriteteve zbatuese. Aksesi në informacionin e vendimeve të Komisionit të Ndihmës Shtetërore është përmirësuar me publikimin e vendimeve të tij online.

Kapitulli 20 - Ndërmarrjet dhe politika industriale

Shqipëria ka përgatitje të moderuar në fushën e politikave industriale dhe të ndërmarrjeve. Ka pasur progres në këtë fushë, veçanërisht sa i përket zbatimit të Aktit të Bizneseve të Vogla. Legjislacioni i ndryshuar për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe për licensat, autorizimet ka ulur pengesat administrative dhe rregulloret për bizneset.

Kapitulli 28 - Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit

Edhe pse Shqipëria është në një fazë të hershme në fushën e mbrojtjes së konsumatorit dhe shëndetit, disa përparime janë shënuar gjatë vitit të kaluar. Një fushatë ndërgjegjësimi për mbrojtjen e konsumatorit ka nisur në 2014, por nevojitet më shumë veprim për t’i dhënë kompetenca konsumatorëve. Strategjia kombëtare 2020 për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbikëqyrjen e tregut u miratua në shtator 2015.

Kapitulli 30 - Marrëdhëniet tregtare me jashtë

Janë bërë përparime vitin e kaluar. Shqipëria ka vazhduar një bashkëpunim të mirë me Bashkimin Europian në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Shqipëria ka vazhduar të koordinojë politikën e saj tregtare me politikën e përbashkët tregtare të BE-së dhe të OBT-së. Vetvlerësimi i Shqipërisë 2014 për kapacitetet e lehtësimit të tregut tregoi 85% pajtueshmëri me kërkesat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Shqipëria ka vazhduar pjesëmarrjen e saj konstruktive në strukturat e Marrëveshjes së Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA). Kanë përfunduar negociatat për një kapitull të ri për zhvillim të qëndrueshëm, të marrëveshjes së Shqipërisë me vendet CEFTA-s.

Nga ana tjetër raporti jep edhe disa rekomandime sa i takon përmbushjes së angazhimeve dhe avancimit të rezultateve të lidhura me çështjet nën kapitujt e përmendur më lart dhe të kriterit ekonomik, si më poshtë:

Mbështetja së konsolidimit fiskal dhe fuqizimit të kuadrit të menaxhimit të buxhetit, pra vazhdimi i asaj përpjekje

Zgjidhja e nivelit të lartë të kredive me probleme. Megjithëse kemi ulur kreditë e këqija nga 25% të PBB në 20% të PBB-së, sërish niveli i kredive me probleme është shumë i lartë.

Përmirësimi i klimës së biznesit duke vënë në zbatim reformat rregullatore dhe miratimin e ligjit të ri për falimentimin.

Krijimit të inspektoratit për mbikëqyrjen e tregut, të cilat si qeveri dhe veçanërisht në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik po punojmë intensivisht për t’i reflektuar.

Së fundi dëshiroj të theksoj që ky është progres raporti  më i mirë për Shqipërinë deri me tani dhe është reflektim i drejtpërdrejtë i seriozitetit të kësaj qeverie në angazhimet e marra dhe i suksesit të reformave të thella, të mirëmenduara dhe efiçente që kemi ndërmarrë në sektorët kyç të ekonomisë. Ky është një vlerësim për punën e bërë, por dhe një motivim shumë i rëndësishëm për të avancuar me shpejtësi realizimin e sfidës sonë për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe garantimin e rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë.

Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Zyrtarë të Ambasadës së SHBA takohen me kreun e AMP, Sulejmani: Mirënjohje për mbështetjen e dhënë

Zyrtarë të Ambasadës së SHBA takohen me kreun e AMP, Sulejmani: Mirënjohje për mbështetjen e dhënë