Raporti i KE për integrimin në BE, ministrja e Jashtme: Nuk e shoh si një fletë lavdërimi, rekomandimet plan pune për qeverinë

 

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka në fjalën e saj në Kuvend u shpreh se raportin e Komisionit të Europës për integrimin e vendit në Bashkimin e Europian. Ministrja u shpreh se është krenare për arritjet, por nuk e sheh si një fletë lavdërimi.

‘Krenare për arritjet e vlerësimet që përmend raporti, por nuk e shoh si një fletë lavdërimi. Rekomandimet e KE po kthehen në një plan pune për qeverinë. Siç e dini jemi në procesin e hartimit të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2023-2025. Masat legjislative dhe zbatuese që do të ndërmerren, do të bazohen tek rekomandimet e Komisionit.’- u shpreh Xhaçka.

Fjala e Ministres Xhaçka në Kuvend për Integrimin

Përshëndetje kolegë,

Dua t’i falënderoj kolegët e opozitës për këtë mocion, që na jep një mundësi shumë të mirë për të diskutuar për procesin e integrimit, për të adresuar shqetësimet apo pyetjet e kolegëve të opozitës, e mbi të gjitha për të informuar qytetarët. Aq më shumë që ky mocion vjen në një moment kur procesi i integrimit ka hyrë në një fazë të re, shumë sfiduese, me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe me hapjen e negociatave.

Dhe me thënë të drejtën nuk ishte një vendi gjeneroz i perëndimit siç u tha këtu , po ishte një vendim i vonuar siç është pranuar dhe nga vetë perëndimi, aspak i lidhur me meritat apo me dështimet tona në këtë proces. Dhe ashtu siç vlerësimi teknik është bërë vit pas viti nga KE, i cili është i vetmi organ apo institucion i cili ka detyrën të bëjë vlerësimin teknik të këtij procesi, është rekomanduar që të hapet jo sot, pra që procesi i negociatave të hapej jo sot po që tre vjet të shkuara. Pra vit pas viti kemi të njëjtën rekomandim. Është një vendim i vonuar, nuk është një vendim gjeneroz dhe është një vendim që vjen për shkak të vlerësimeve subjektive, politike dhe historike të vendeve anëtare të cilat e mbajtën peng këtë proces për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Raporti Vjetor 2022 i Komisionit Evropian është raporti i parë që paraqitet pas hapjes së negociatave dhe pa diskutim është shumë i rëndësishëm sepse ne zhvilluam Konferencën e Parë Ndërqeveritare dhe sapo kemi filluar procesi e shqyrtimit të legjislacionit të BE-së.

Publikimi i raportit është kthyer prej vitesh në një moment reflektimi kombëtar mbi procesin e integrimit, një moment kur qeveria duhet të japë llogari për atë çfarë ka bërë, kur opozita në njërën anë duhet të kërkojë llogari tek qeveria e në anën tjetër duhet të pyesë veten se çfarë ka bërë ajo për ta ndihmuar e mbështetur këtë proces, dhe kur shoqëria shqiptare duhet të krijojë bindjet e saj përmes për atë çfarë kemi bërë për ta çuar përpara integrimin.

Unë besoj që raporti i vitit 2022 është padyshim një konfirmim i punës së madhe që ne si qeveri kemi bërë për të çuar përpara integrimin evropian. Ashtu siç është një konfirmim i kësaj pune vetë hapja e negociatave që erdhi si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm, arritjeve të reformave dhe qëndrueshmërisë së vendit në përparimin drejt anëtarësimit në BE.

Të gjitha gjetjet e këtij raporti konfirmojnë vijimin e përmbushjes të kritereve për hapjen formale të bisedimeve të anëtarësimit.

Më konkretisht, raporti flet për “një njohje të angazhimit të qëndrueshëm, arritjeve të reformave dhe qëndrueshmërisë së Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën e saj drejt BE-së”. “Shqipëria ka vazhduar të përmbushë të gjitha kushtet e përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit të Marsit 2020 për Konferencën e parë Ndërqeveritare” dhe se “Qeveria nuk e humbi fokusin në agjendën e BE-së, pavarësisht një sfide të trefishtë me tërmetin, pandeminë dhe luftën në Ukrainë; administrata publike mbeti e përkushtuar përkundër sfidave” dhe vendi ka arritur progres të dukshëm në miratimin e acquis të BE-së në vitet e fundit”. 

Dhe më duhet të theksoj këtu, që kushtet e përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit të Marsit 2020 janë që të gjitha pjesë e grupkapitujve themelorë, tek të cilat Shqipëria kryeson në rajon me një nivel përgatitje të moderuar dhe progres të mirë në kapitullin 23 dhe specifikisht  në funksionimin e gjyqësorit, duke kaluar edhe vendet e rajonit që kanë gati një dekadë që negociojnë.

Pra, Komisioni vlerëson se Shqipëria ka vijuar të mbajë fokusin e përgjithshëm në axhendën e reformave, pavarësisht sfidave te trefishta të lidhura me tërmetin e vitit 2019, pandeminë dhe pasojat e  agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Ky vlerësim pozitiv shtrihet në çdo fushë, ku edhe pse në shkallë të ndryshme, në secilin rast konfirmohet që ecuria është pozitive, që nuk ka asnjë kthim pas në parimet themelore, por ka progres të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm. Fusha ku është evidentuar progres i veçantë në vlerësim është ajo e drejtësisë, ku është rritur vlerësimi në nivelin mesatar të përgatitjes. Në këtë fushë, siç e thashë e kemi vlerësimin më të mirë krahasuar me vendet e tjera në paketë.

Ndërkohë fusha për të cilën bëhet vlerësimi më i lartë për nivelin e mirë të përgatitjes është ajo e marrëdhënieve me jashtë, sigurisë dhe mbrojtjes ku Shqipëria vlerësohet si një partner aktiv dhe i besueshëm i Bashkimit Evropian, me një politikë të jashtme që bazohet në vlerat evropiane dhe të linjëzuar plotësisht me deklaratat dhe vendimet kufizuese të BE-së në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme e të sigurisë. Nuk mund të lë pa përmendur po ashtu edhe vlerësimin për përkushtimin që Shqipëria ka treguar në krijimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë e të bashkëpunimit proaktiv rajonal, çka nuk ka qenë e lehtë nëse mbahen parasysh sfidat e shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë dhe impaktin që ky agresion ka pasur në rajonin tonë në Ballkanin Perëndimor.

Ne do të kemi mundësinë të diskutojmë gjatë një e nga një për secilën nga fushat dhe jam e sigurt që kolegët do të kenë shumë pyetje. Por unë dua të prek shkurtimisht disa nga konkluzionet e raportit, për fushat më kyçe, që kanë qenë edhe për ne çështje që i kemi trajtuar me një përparësi të veçantë dhe për opozitën çështje që i ka kontestuar me një përparësi të veçantë.

Veçanërisht i mirëpritur ishte vlerësimi se sistemi gjyqësor shqiptar ka arritur një nivel mesatar përgatitje, duke shënuar një vlerësim më të mirë se viti i kaluar. Reforma gjithëpërfshirëse e drejtësisë vazhdon dhe ka rezultuar në progres të përgjithshëm të mirë ndërkohë që rivlerësimi i përkohshëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting) ka fijuar të avancojë në mënyrë të qëndrueshme.

Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, sërish konfirmohet progresi duke theksuar se Shqipëria ka një nivel të caktuar përgatitje (some level of preparation) dhe ka vijuar përpjekjet për të ndërtuar track rekorde të hetimit, ndjekjes penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit, i cili ka dhënë disa rezultate. Ndërkohë që në prokurimet publike, vendi ynë është mesatarisht i përgatitur dhe ka bërë përparim të mirë  duke miratuar legjislacionin zbatues dhe duke ngritur një sistem elektronik të ankesave dhe apelimeve.

Për luftën kundër krimit të organizuar, vendi ynë ka njëfarë niveli përgatitje në luftën kundër krimit të organizuar dhe ka bërë progres në plotësimin e rekomandimeve të vitit të kaluar. Bashkëpunim i fortë dhe i frytshëm me vendet anëtare të BE, Europol dhe Eurojust të cilat kanë dhënë rezultate te prekshme.

Më lejoni edhe një paranteze mbi natyrën e raportit vjetor te Komisionit. Ky është një dokument qe krahas vlerësimit te arritjeve përgjatë vitit te fundit dhe te shkalles se përgatitjes te arritur ne vite, synon te na ndihmoje duke na orientuar punën tone përgjatë vitit te ardhshëm dhe me tej, ne përafrimin me standardet e BE. Kjo është natyra e punës sonë me Komisionin Evropian dhe ky është tek e fundit thelbi i procesit te integrimit evropian. Në këtë kuadër, raporti evidenton sfidat dhe jep rekomandime.

Pra, e para:  identifikimi i sfidave është ne natyrën e këtij dokumenti: mjafton të shihni vlerësimet për vende qe kane avancuar para nesh në procesin e negociatave dhe për te cilat mangësitë e identifikuara nga Komisioni, në shumë fusha, janë edhe më të mëdha se tonat.

E dyta: sfidat/mangësitë e identifikuara duhen lexuar ne kontekstin e vlerësimit të përgjithshëm të progresit ne secilën fushe përgjatë vitit te fundit dhe te shkalles se përgatitjes te arritur nga Shqipëria ne vite.

E them këtë, me shpresë që të paktën në këtë diskutim që do të kemi sot do të mund të shmangim atë fenomenin që ka ndodhur në fakt çdo vit me raportin, ku leximi bëhet selektiv e i paragjykuar, duke lexuar vetëm atë që çon ujë tek agjenda e ngushtë politike.

Unë dua ta bëj fare të qartë, që edhe pse si ministër i kësaj qeverie, dhe anëtare e kësaj shumice, unë ndihem vërtete krenare për arritjet e vlerësimet që përmend raporti, unë nuk e shoh aspak raportin si një fletë lavdërimi.

Ky raport është mbi të gjitha një dokument pune. Dhe ju garantoj, që rekomandimet e Komisionit Evropian nuk janë thjesht më një orientim, dhe po kthehen në një plan pune për qeverinë pasi siç e dini jemi në procesin e hartimit të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2023-2025, i cili do të përmbajë masat legjislative dhe zbatuese që do të ndërmerren në këtë periudhë dhe ku kriteri kyç qe po mbahet parasysh ne përcaktimin e masave qe do te përmbaje PKIE janë pikërisht rekomandimet e Komisionit. Ju faleminderit.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Berisha bllokon foltoren, futet live në Facebookun e tij! Alibeaj-'Rithemelimit': Këtu bëni zhurmë, jashtë ndani aferat! Palët përplasen për integrimin evropian


M.Q./KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen