Ministria e Arsimit ka shkelur Ligjin për Arsimin e Lartë gjatë proçesit të pranimeve në Universitete për Vitin Akademik 2016 – 2017, duke shpërdoruar afatet dhe burimet njerëzore, çka krijuan një situatë kaotike për maturantët.  

Ky është përfundimi që del nga  raporti  i publikuar nga Këshilli i Lartë i Shtetit në korrik 2017, ku merr në analizë  “Performancën e Institucioneve Përgjegjëse për Pranimet në IAL të Maturës Shtetërore 2016". Raporti vëren se proçesi ishte i centralizuar, dhe gjithashtu i realizuar në kushte emergjence, e me kosto financiare të panevojshme.

Audituesit e KLSH rendisin në  raport se mungesa e informimit për lendët me zgjedhje dhe notën mesatare, ndryshimet e kritereve gjatë proçesit të pranimit, penalizuan maturantët pa të ardhura, e kështu cënuan parimin meritë-preferencë.

Raportit të KLSH-së, nënvizon një tjetër shkelje kur thotë se “Raundi i parë i aplikimeve dhe pranimeve u shoqërua fillimisht nga i ashtuquajturi efekti “bottleneck”, *grykë shishe” ku maturantët ekselentë bllokuan të gjitha vendet e para në të gjitha programet e studimit, duke bërë që në këtë fazë të realizohej një numër i vogël regjistrimesh, rreth 20% të aplikantëve në Universitetet publike dhe 6% tek Universitetet jopublike.

Një tjetër problematikë që vjen nga raporti KLSH  lidhet me kostot e ndërtimit të platformës digjitale, RASH, për kontrollin e përputhshmërisë së aplikimeve në portalin matura shtetërore me renditjen në institucionet e arsimit të lartë.

Në një gjatësi vale me gjetjet e  këtij  raporti  është edhe Jani Marka, profesor në FSHN dhe aktivist i “Lëvizjes për Universitetin” shprehet se proçesi i maturës shtëtërore 2016 – 2017 MAS lejoi aplikantët të regjistrohen pas datës kufi në universitetet private, gjë që nuk ndodhi në universitetet publike.

“Në varësi të meritës dhe të preferencës, duhet të shkojnë studentët atje ku dëshirojnë dhe kjo është dhe thelbi i meritës dhe preferencës. Paniku i krijuar i ka shtyrë studentët që të shkojnë drejt universiteteve private. Për më tepër në këto universitete rregullat funksionojnë në forma të ndryshme, nuk ka kuota, nuk ka vijë të kuqe dhe kështuqë është një garë e padrejtë, që shkakton dëm ekonomik tek familjarët shqiptarë”-thotë Marka.

Konkluzioni i raportit nënvijëzon se modeli që u aplikua në vitin 2016 dhe po përpiqet të implementohet sërish nuk është ai i duhuri, si në konceptim, ashtu edhe në aplikim.

Në shtator të 2016, qindra maturantë kontekstuan përmes protestave Ligjin e Arsimit të Lartë për pranimet në Universitet, që vinte në pikëpyetje zbatimin e parimit meritë-preferencë në procesin e pranimeve. Kontestimi i tyre tashmë është përligjur nga ky raport i KLSH por mbetet e paqartë nëse dikush do të mbajë përgjegjësi për kaosin shkaktuar mijëra maturantëve.

Redaksia Online
N.M/Shqiptarja.com