Raporti i "monitoruesve"/ Rrugët
Ndërtohen 9 km më 2012

TIRANE - Raporti i monitorimit të shpenzimeve buxhetore nga ekipi i ministrisë së Financave në ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit ka nxjerrë në pah një shifër të pabesueshme sa u përket punimeve në infrastrukturë. Plani fizik për ndërtime të reja të rrugëve nacionale në 12 muajt e vitit të kaluar ka qenë për 9.14 kilometra. Nga këto, rrugët me katër korsi, të tipit A2, ishin në plan për t’u ndërtuar vetëm 2 kilometra e 530 metra.

Shifrat zbulohen nga monitorimi i shpenzimeve të kryera nga janari deri në fund të shtatorit, ku raportohet se është kryer 95 për qind e punimeve vjetore për rrugët nacionale në tërësi, duke ndërtuar 8.68 kilometra rrugë në nëntë muaj. Ndërkohë, rrugë të tipit superstradë me katër korsi janë ndërtuar në nëntë muaj vetëm 2.3 kilometra me fonde buxhetore.

Nga ana tjetër, në zërin „rikonstruksione“ janë regjistruar punime të kryera në 14 kilometra e 470 metra rrugë nacionale, që është edhe objektivi vjetor për ministrinë e Transporteve.

Gjatë vitit të kaluar, kryeministri Sali Berisha, i mësuar të shëtitë të katër anët e vendit me gërshërën e përurimeve në dorë, është shfaqur shumë pak herë për të përuruar një rrugë nacionale. Në fakt, më 2 gusht të vitit të kaluar ka kryer një përurim të tillë, në Damës të Tepelenës, por vetëm për një pjesë të superstradës që lidh Levanin me Damësin. Ndërkohë, pjesa tjetër nga Damësi në Memaliaj sot e kësaj dite nuk ka përfunduar. Berisha është parë më shpesh vetëm në rrugët rurale, që mbulohen nga një program tjetër, ai i financimit nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ai ka prerë vjet më së fundi shirita në segmentin Vrion-Qereshnik, në Berat, më 10 nëntor të vitit 2012 dhe Armath-Hidrovor-Hanallaj, në Durrës, në shtator.

Buxheti i shtetit ka ndarë nga shuma e përgjithshme rreth 200 milionë euro për sistemin e rrugëve nacionale. Ndonëse kjo është një shifër që viti nga vit ka shënuar rënie, do të ishte më se e mjaftueshme për të ruajtur një ritëm të mirë të punimeve infrastrukturore nacionale. Në rast se rezultatet kanë qenë disa kilometra në vit, madje duke iu përgjigjur planifikimit, duket qartë se qeveria paratë e buxhetit 2012 i ka përdorur për të shlyer një pjesë të detyrimeve që u ka kompanive për punët e mëparshme dhe megjithatë segmente si Levan-Tepelenë, Fushë Krujë-Milot, Plepa-Rrogozhinë kanë mbetur pa u përfunduar, duke u kthyer në makth për shoferët dhe burim aksidentesh.

PREMTIMI

Berisha rikthen karburantin pa akcizë

Qeveria shqiptare mund të përfshijë në paketën e re të reformave fiskale edhe heqjen e akcizës për naftën në bujqësi. Një deklaratë e tillë u bë dje nga kryeministri Sali Berisha në Lushnje, ku, i pyetur për këtë çështje, tha se parimisht e mbështet idenë, edhe pse duhet gjetur një skemë që përfitimi të mbërrijë direkt tek fermerët. Heqja e akcizës për naftën është një prej propozimeve të opozitës. Pasi e përfshiu në programin e vet të parë qeverisës, në vitin 2005, këtë tezë, duke premtuar shitjen e naftës për fermerët dhe agrobiznesin me një çmim fiks prej jo më shumë se 40 lekësh për litër, mazhoranca e djathtë u bë më pas sulmuesja më e fuqishme e skemës, së aplikuar më parë nga socialistët në kuadër të programit 2KR. Vetë Berisha e anatemoi këtë praktikë si një mundësi korruptive dhe e la të lirë tregun e furnizimit të bujqësisë me karburant, që rriti çmimet. Opozita premton rikthimin e skemës në rast se vjen në pushtet.

*Shkrimi u botua në gazetën SHQIPTARJA.com
Redaksia Online
(bm/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Reshjet e dëborës, qarkullimi i mjeteve në rrugën e Kishës së Laçit kryhet me vështirësi

Reshjet e dëborës, qarkullimi i mjeteve në rrugën e Kishës së Laçit kryhet me vështirësi