PS dhe PD kanë dalë me dy raporte të ndryshme lidhur me kërkesën e SPAK për arrestin me burg të Belinda Ballukut. Të enjten në Kuvend, do të votohen të dy raportet dhe do të shihet nëse ish-zv/kryeministres do t’i hiqet imuniteti.
Për Ilir Alimehmetin, raporti i socialistëve, që në fakt e sheh si vendim të Ramës, ishte i pritshëm, shprehet ai për “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv.
“I pritshëm vendimi i socialistëve, pse më saktë i Edi Ramës për drejtësinë. Ky është qëndrimi i tyre i vërtetë që për sa kohë nuk merrem me ne, nuk merret me atë që e kontrollon drejtësinë, nuk merret me çështje proceduriale të qeverisë, ai lavdërohet nga Rama, qeveria, parlamenti etj. Kur na vjen afër dhe sheh procedurat e tenderimit siç ka bërë tani me Ballukun, kur kap një zv/kryeministre, e nxjerr të pandehur, kërkon pezullimin e saj, heqjen e imunitetit të saj, është shumë qartë duke iu afruar atij që e kontrollon këtë drejtësi, ja ku na del tani fytyra e vërtetë ku ne tani drejtësinë s’e njohim më. Këtu janë ca të nënës e ca të njerkës”, tha Alimehmeti duke theksuar se “Ramës nuk i takon të gjykojë provat”.
Sipas Alimehmetit, në këtë vazhdë përfshihen edhe propozimet për ndryshimet ligjore të Kodit të Procedurës Penale, pasi Rama “ka frikë”.
“Të gjitha këto ndodhin jo vetëm për emrin e Ballukut, por edhe për shkak të frikës e panikut ku ka hyrë pasi tani kërkon ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale”, shprehet anëtari i Këshillit Kombëtar të PD.
Ndryshe prej tij, Albatros Rexhaj ka dyshime ndaj kërkesës së SPAK. Ai thotë se s’ka baza për të hequr imunitetin e Ballukut sepse Prokuroria e Posaçme e ka fituar luftën për pavarësinë e saj dhe mund të vazhdojë ta hetojë.
“Në atë që unë kam lexuar mendoj që nuk ka bazë për të hequr imunitetin. Mënyra sesi SPAK-u e ka ndërtuar çështjen e kërkesës për arrest lë shumë hapësirë për të dyshuar në integritetin e kërkesës për masën e arrestimit, sa është vërtet e justifikueshme”, tha Rexhaj duke shtuar: “Unë kam dyshimet e mia që standardi i hetimeve nuk është shumë i lartë”.
Sa për fjalët e Ramës se “unë nuk marr presion nga ata”, Alimehmeti mendon të kundërtën:
“Jo vetëm mori presionin, por shkarkoi edhe 7 ministra”, tha ai duke shtuar se “është afruar laku te Rama, por ai po bën çmos për ta larguar”.
Ai solli në vëmendje se tashmë eksponentë të lartë si Erion Veliaj apo Ilir Beqaj janë në burg për çështje personale dhe periferike krahasuar me akuzat që SPAK ka për Ballukun.
“Të gjithë këta janë për çështje hetimi pasuror, për çështje personale. Asnjëri për procedura, tenderime. Beqaj nuk është aty për koncensionet e sterilizimit, është aty për diçka personale. Erion Veliaj është për çështje akoma më banale. Kur vjen puna te Balluku, ky është rasti i parë që ndërhyn për procedura direkte që është detyrë e qeverisë dhe pas saj nuk ka diskutim që është Edi Rama”, tha Alimehmeti.
Komente









