Raporti i SHISH/ Bosët e drogës po ndajnë fiktivisht gratë dhe u dhurojnë pasuritë për t’i shpëtuar nga sekuestrimi, në Shqipëri depo të fshehura me kanabis 

Raporti i SHISH/ Bosët e drogës po ndajnë fiktivisht gratë dhe u dhurojnë pasuritë për t’i shpëtuar nga sekuestrimi, në Shqipëri depo të fshehura me kanabis 

Foto ilustruese

TIRANË- Krerët dhe anëtarët e grupeve kriminale kanë nisur të ndahen fiktivisht nga gratë e tyre si dhe t’u dhurojnë më pas pasuritë e krijuara me para të pista, me qëllim për të humbur gjurmët dhe për t’i shpëtuar sekuestrimit. Ky është konkluzioni i Shërbimit Informativ Shtetëror, në raportin për çështjet dhe sfidat e sigurisë në Shqipëri, gjatë vitit 2020. Sipas SHISH, bosët dhe njerëzit e drogës kanë nisur gjatë vitit 2020 përpjekjet për të mjegulluar burimin e paligjshëm të krijimit të pasurive. Sipas raportit, njerëzit e trafiqeve po operojnë me të njëjtat forma, duke kaluar paratë dhe pasuritë e paluajtshme në emër të familjarëve. 

“Në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit” evidentohet e njëjta formë ligjore e regjistrimit të pasurive të luajtshme e të paluajtshme dhe aktiviteteve ekonomike, kryesisht në emër të familjarëve apo të tretëve, lidhje të afërta bashkëpunuese familjare dhe shoqërore... Vijuan përpjekjet e subjekteve lëndorë për tjetërsimin “de jure” të titujve të pronësisë, te lidhje familjare apo lidhje të tyre shoqërore; nëpërmjet aktit të dhurimit; në disa “duar” nëpërmjet aktit të shitblerjes për t’u larguar nga origjinuesi; te bashkëshortët, duke zgjidhur më parë lidhjen martesore; me qëllim për të “shpëtuar” atë çfarë kanë “ndërtuar” me paratë e gjeneruara nga veprimtaria e kundërligjshme, duke synuar kamuflimin mbi qasjen e tyre para enteve publike e zyrtare, në funksion të mosgjurmueshmërisë, sekuestrimit e konfiskimit. Në të njëjtën mënyrë, është vepruar edhe me ndryshimet në aktivitetet ekonomike në zotërim të tyre”, thuhet në raport. 

Ndërkaq, për shkak të mbylljes së kufijve ajrorë e tokësorë si pasojë e masave anti-covid, anëtarët e grupeve kriminale tentuan rrugë të reja për të sjellë në Shqipëri të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal. SHISH ka konstatuar se në Shqipëri ka ende kanabis, e prodhuar gjatë viteve të mëparshme. Kanabisi është fshehur në ambiente private. 

“Në kushtet e pandemisë COVID-19, grupet e përfshira në krimin e organizuar në përgjithësi dhe të narkotrafikut në veçanti, ndryshuan mënyrat e veprimit në raport me masat kufizuese, për të pasur akses te financimet e aktivitetit kriminal, drogat apo ngarkesat me lëndë narkotike. Lidhur me kultivimin e bimëve narkotike, vërehet se raporti kërkesë-ofertë që ka ndikuar në rritjen e çmimit dhe se kërkesat e grupeve kriminale, të rajonit e me gjerë, për kanabis sativa të kultivuar në Shqipëri, vijuan të nxisin dhe favorizojnë përfshirjen e individëve e grupeve kriminale shqiptare në këtë aktivitet, si brenda dhe jashtë vendit. Nga sasitë e trafikuara të lëndës narkotike kanabis sativa, përkundrejt kultivimeve, kuptohet se ka ende në gjendje kanabis sativa të prodhimit të viteve të mëparshme, të fshehur në ambientet private të personave që posedojnë lëndë narkotike”. 

SHISH thekson për shkak të rritjes së masave anti kanabis në Shqipëri, grupet kriminale kanë nisur të interesohen për kultivimin e kanabisit jashtë vendit.

“U evidentuan interesime dhe përpjekje të grupeve kriminale e individëve të përfshirë në këtë aktivitet antiligjor për përfshirje në kultivim të kanabis sativa. Për shkak të rritjes së masave anti kanabis në Shqipëri, vërehet prirja e kultivimit nga grupe e anëtarë të grupeve kriminale jashtë vendit në ambiente të mbyllura, ndërsa brenda vendit kultivimi u krye në zona të largëta, parcela të vogla dhe/ose ambiente të mbyllura, të përshtatura për këtë aktivitet, por edhe zhvendosje e këtij aktiviteti në vendet e rajonit. Grupet kriminale të përfshira në trafikun e drogave të forta jashtë vendit kanë vijuar aktivitetin duke ndryshuar metodat e veprimit varësisht situatës së kufizimeve, kanë shumëfishuar tipin e përfshirjes në kriminalitet, duke vazhduar përdorimin e sistemeve financiare për të fshehur financat e paligjshme dhe pastrimin e këtyre përfitimeve”. 

Ndërkaq, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të parave ka konstatuar rreth 400 raste të pastrimit të parave në Shqipëri, gjatë vitit 2020. Sipas DPPP, Gjatë vitit 2020, format që kanë dominuar në pastrimin e parave janë investime të larta në pasuri të paluajtshme me burim të panjohur fondesh, blerje mallrash luksi me para të pajustifikuara, transferta të dyshimta parash të pajustifikuara, sponsorizime, dhurime dhe transaksione të pazakonta krahasuar me profilin e personave, transferta të dyshimta me vende të konsideruara me risk, ndërmjetësime të dyshimta etj.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mali: 25/08/2021 19:57

    Vaksinimi eshte i donosdoshem! Cilido qe shprehet kunder vaksinimit eshte thjesht viktime e nje politike te gabuar dhe teorive kospirative! Edhe une si Ngjela bej monolog!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë