“Një ditë unë isha duke qëndruar mes dy kufijve dhe nuk mund të hyja në asnjërin prej vendeve. Ishte eksperienca më e paharruar e jetës sime. Unë nuk mund të hyja në vendin ku kisha qenë dhe as në vendin ku kisha lindur. Kujt i përkas unë”. Kështu deklaroi sot Pandeli Majko ministër i Diasporës gjatë prezantimit të raportit të pashtetësisë.
Pashtetësia në Shqipëri ka përfshirë rreth 1031 persona kryesisht për shkak të vështirësive për të konfirmuar shtetësinë e tyre, sipas një studimi që u prezantua sot në Tiranë. Komisioneri i lartë i Kombeve të Bashkuara në bashkëpunim me ministrinë e Shtetit për Diasporën, ministrinë e Brendshme, të punëve të Jashtme, ministrinë e Shëndetësisë, Arsimit dhe INSTAT prezantoi sot raportin: Hartëzimi i popullsisë në rrezik të pashtetësisë në Shqipëri”. I pranishëm në këtë aktivitet ministri i diasporës, Pandeli Majko tha se pashtetësia është një term i panjohur për vendin tonë, por duhet të ndërmerren masa.
Është përgjegjësi e institucioneve shqiptare të sigurojë që të gjitha detyrimet ndërkombëtare dhe rajonale në lidhje me të drejtën e shtetësisë të jenë plotësisht të përfshira në ligjin vendas dhe të zbatohen në praktikë
Pandeli Majko-Ministër Shteti për Diasporën
Ndërsa, Ferit Minanj, sekretar i unionit të romëve, parashtroi penalizimet që kanë personat pa shtetësi, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e shtetit për lehtësimin e procedurave në regjistrimin e tyre.
Në rastin më të keq, ai nuk merr dot lejen e varrimit. Deri aty mund të arrijë. Të martohet nesër nuk bën dot celebrim. Të bëjë fëmijë nuk e regjistron. Pasojat janë shumë të rënda. Nëse ne do të mbetemi në nivelin e konstatimit të shifrave, ky duhet të jetë dhe një vullnet politik i shtetit shqiptar që të lehtësojë këto barriera dhe për ta bërë procesin sa më të lehtë
Ferit Minanj-sekretar i unionit të romëve
Sipas raportit 97% e atyre që janë identifikuar si të rrezikuar nga pashtetësia në Shqipëri janë fëmijë. Shkaqet primare të raportuara janë: lindja jashtë territorit shqiptar, lindja e prindërve që nuk janë të martuar, lindja në shtëpi dhe lindja në spitale ose në njësitë e maternitetit që mbajnë të dhëna të pasakta personale mbi nënën. Në këtë aktivitet, u prezantua gjithashtu një raport "ROMËT PËRKASIN - Pashtetësia, Diskriminimi dhe Margjinalizimi i Romëve".