TIRANË- Me firmën e Edi Ramës, Ulsi Manjës dhe Taulant Ballës, socialistët dorëzuan sot në Kuvend draftin me ndryshimet ligjore, përmes së cilit synohet që të mos lejohen më gjykatat të pezullojnë nga detyra ministrat, apo postet e tjera kushtetuese. PS synon të prekë nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, që aktualisht nuk lejon pezullimin nga detyra vetëm të deputetit, kryebashkiakut dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Në të do të shtohen edhe Presidenti, Kryeministri, zv.kryeministri, ministrat, Avokati i Popullit, Kreu i KLSH-së dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Me ndryshimet ligjore në kodin e procedurës penale që në parlament kërkojnë 84 vota, gjykata nuk mund të ushtrojë ndaj Presidentit, kryeministrit, Zv/kryeministrit, ministrave, anëtarëve të gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit dhe Kreut të KLSH, vetëm masën e pezullimit nga detyra.

Për masa të tjera si marrja e pasaportës apo detyrim paraqitje SPAK nuk ka nevojë për asnjë autorizim nga parlamenti. Ndërsa për arrestin, qoftë me burg apo në shtëpi, do të duhet si gjithnjë autorizimi i Kuvendit.

Miratimi i këtyre ndryshimeve ligjore nuk ka fuqi prapavepruese dhe nuk çliron nga masa e pezullimit Belinda Ballukun, për të cilën socialistët më 23 shkurt mbledhin Këshillin e Mandateve për arrestimin, pasi Gjykata Kushtetuese të zbardhë vendimin e saj, ku la në fuqi pezullimin nga detyra. 

Në mbledhjen e grupit të PS, Manja, Balla dhe kryeministri Edi Rama bënë të qartë se ky ndryshim ligjor nuk lidhet me rastin e Ballukut, por me nevojën për plotësimin e një boshllëku ligjor, duke theksuar se në asnjë rast kjo nuk është çendim i pushtetit gjyqësor.

“Nuk ndërhyhet në kompetencat e pushtetit gjyqësor, harmonizon ushtrimin e funksioneve kushtetuese me procedim penal. Parimi i proporcionalitetit respektohet, pasi ndërhyrja është e kufizuar, nuk heq përgjegjësi penale, nuk pengon gjykim, pro rregullon mënyrën aplikimit të një mase të caktuar ndaj funksioneve kushtetuese”, tha Manja.

“Nuk cenohet pavarësia e prokurorisë dhe gjykatave me këtë nismë që kemi ndërmarrë. Hetimi, ndjekja dhe gjykimi penal mbeten të paprekura. Kompetencat e organeve të drejtësisë mbeten të paprekura sipas Kushtetutës dhe ligjit”, tha Balla.

“Kush e lidh me rastin konkret bën gabim, rasti konkret ka rrugën e vetë, nuk ka lidhje me pezullimin. Por pezullimi është i papranueshëm, dhe për këtë arsye ne do merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në kuvend ndërhyrje në territorin kushtues të pushtetit ekzekutiv”, theksoi Rama.

Kryeministri Edi Rama zbuloi për herë të parë se Belinda Balluku i ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen, por ai ia ka refuzuar. Sipas Ramës, Balluku ka dorëzuar dorëheqjen ditën kur SPAK i komunikoi akuzën e shkeljes së barazisë në tenderë për Tunelin e Llogarasë, pra më 31 tetor 2025, më 20 nëntor 2025 kur GJKKO e pezulloi nga detyra dhe më 6 shkurt kur Kushtetuesja nuk ariti dot shumicën dhe u nda 4-4 për duke rrëzuar kërkesën e Ramës dhe duke lënë në fuqi masën e pezullimit. 

“Belinda Balluku ma ka dorëzuar tri herë dorëheqjen. I kam atje në dosje, tri herë. Një herë kur iu ngrit akuza, hera e dytë kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim dhe tri herë e kam refuzuar unë dorëheqjen. Dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe është futur në territorin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv, nuk ka”, theksoi Rama.

Shefi i qeverisë tha se Këshilli i Mandatave do të shprehet për kërkesën e SPAK për arrestin e Ballukut para se të kalojnë për votim në Kuvend drafti me ndryshimet ligjore të propozuara sot. 

Prokuroria e Posaçme kërkoi arrestim të Ballukut, disa ditë pasi Kushtetuesja e pezulloi përkohësisht pezullimin e saj nga detyra. SPAK argumentoi se pozita penale e zv. Kryeministres ishte rënduar. Ajo ishte marrë e pandehur që më 31 tetor për shkelje të barazisë në tendera për tunelin e llogarasë, ndërsa më vonë u vendos person nën hetim për të shtata lotet  Unazës së Madhe të Tiranës dhe e dyshuar edhe për 3 tendera të tjerë.

KODI I PROCEDURËS PENALE, NENI 242

SI ËSHTË.....

“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.

SI BËHET....

1. Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. 

2.  Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral, Presidentit të Republikës, Avokatit të Popullit, Kryeministrit, Zv. kryeministrit dhe ministrave, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:06
Rama: Zhvillimi ekonomik në presion të madh! Të bësh 40 kontrolle banesash natën e vitit të ri për çështje të 5 viteve më parë, efekt i madh psikologjik në shoqëri

Kryeministri Edi Rama tha se zhvillimi ekonomik i vendit, vihet në pikëpyetje për shkak të presionit të madh.

“Jemi këtu për të marr venim, për të çuar përpara proceset, për të realizuar programin qeverisës, për të mundësuar zhvillim ekonomik. Dhe jam shumë i ndjeshëm kur shoh që dhe që zhvillimi ekonomik vihet në pikëpyetje nga tkurrja për shkak të presionit të madh. Të bësh 40 kontrolle banesash ditën e vitit të ri, d.m.th. që mos të kesh asnjë ide mbi efektin psikologjik të shoqërisë që janë nëpër shtëpia të veta, ose do të shohin këngë dhe valle, ose do të shihet si u shkohet në banesat e njerëzve për çështje të para 5 viteve”, tha Rama.

Ora 09:56
33 arrestet te Kurum/ Rama: Arbitrare, prokurori harroi të arrestojë vetëm veten e vet! Renditemi ‘rrotë më rrotë’ me Rusinë për paraburgim pa gjyq

Kryeministri Edi Rama komentoi në mbledhjen e grupit të PS edhe 33 arrestet e lëshuara për çështjen e mbetjeve të Kurum. Rama e cilësoi arbitrare, duke thënë se prokurori harroi të arretsojë vetëm veten e vet. Shefi i qeverisë kritikoi edhe paraburgimet, duke thënë se vendi ynë ka marrë kritika të herëpashershme nga KiE, duke shtuar se “renditemi rrotë më rrotë me Rusinë për paraburgim pa gjyq”

“Ne duam drejtësi të pavarur, kemi sot aq të pavarur, saqë një prokuror në një rreth lëshon 33 masa arresti dhe harron të arrestojë vetëm e veten e vet. Arbitrare. Nuk jam unë që i them këto, unë jam një zë, pasi këto thuhen dhe stërthuhen nga KiE, nga raportet e KiE ku Shqipëria për faqen më të zezë, të të gjithë atyre që i kanë vënë këtë njollë, renditet në fund fare, të vende jo të BE, rrotë më rrotë me Rusinë për paraburgim pa gjyq, i të ishin mish për top. 58% e njerëzve që janë pas hekurave janë të paraburgosur, mendoni sa të pafajshëm ka. Sikur edhe një të jetë ky është problem. Probabiliteti është shumë më u lartë se kaq, futen në paraburgim dhe harrohen brenda. Ne nuk do të pajtohemi”, tha Rama.

Ora 09:52
Ndryshimet ligjore për Kodin e Procedurës Penale, Balla: Nuk cenohet paprekshmëria dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë

Në fund të komunikimit publik në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, Balla tha se ndryshimet e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale nuk cenojnë pavarësinë  dhe paprekshmërinë e prokurorisë dhe gjykatave.

“Nuk cenohet pavarësia e prokurorisë dhe gjykatave me këtë nismë që kemi ndërmarrë. Hetimi, ndjekja dhe gjykimi penal mbeten të paprekura. Kompetencat e organeve të drejtësisë mbeten të paprekura sipas Kushtetutës dhe ligjit. Nuk krijohet asnjë mburojë ndaj përgjegjësisë penale. Nuk përjashton asnjë subjekt nga juridiksioni penal. Pesë arsye për të cilat paprekshmëria dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë garantohet edhe përmes kësaj nisme”, tha Balla.

Ora 09:51
Rama: Punonjësit e administratës nuk janë mish për top, prokurorët shkojnë aty për të pasuruar cv-të dhe kandidojnë pastaj për drejtimin e SPAK

Kryeministri Edi Rama tha se prokurorët e përdorin punonjësit e administratës për të pasuruar cv e tyre për të kandiduar më pas si drejtues të SPAK. Rama tha se aq sa e rëndësishme është garantimi i pavarësisë, po aq është dhe përpjekja për të pasur një administratë të mbrojtur.

“100 herë të kthehesha pas 100 herë do të bëja të njëjtën gjë. Nëse s’do e bënim këtë dhe nëse nuk e vazhdojmë, nuk do të ketë kurrë drejtësi të pavarur dhe në gjeneratë tjetër. Kjo është rruga dhe duhet të ruajmë balancën. Po aq e rëndësishme sa për drejtësinë është dhe përpjekja për një administratë të mbrojtur. Punonjësit e administratës nuk janë mish për top, e as për të mbushur prokurorët CV e tyre për tu paraqitur nesër si kandidatë të SPAK. Në prokuroritë e rretheve fletët e arresteve shpërndahen si ftesa për dasmë. Kodi penal behët për të garantuar lirinë, që d.m.th. që heqja e lirisë është ekstremi i domosdoshëm për të ruajtur balancat e shoqërisë. Tradita jonë është armiku ynë me i madh. Thirrja jonë e brendshme për gjak për të ta parë më këmbët lart dhe kokën poshtë vjen nga e kaluara dhe është problem për të ardhmen tonë”, tha Rama.

Ora 09:50
Rama: Kuvendi do të shprehet fillimisht për imunitetin e Ballukut më pas për ndryshimet ligjore

Kryeministri Edi Rama tha se Parlamenti i Shqipërisë do të shprehet fillimisht për kërkesën e SPAK ku është kërkuar heqja e imunitetit të deputetit Belinda Ballukut dhe më pas për ndryshimet ligjore të prezantuara sot në mbledhjen e grupit parlamentar. Nisma ligjore që pritet frenojë pezullimin e ministrave, nuk ka efekt prapaveprues, pra nuk ndikon në pezullimin e Ballukut.

“Nuk duhet ti shkojë më në mend askush që me fuqinë e prokurorit dhe verbërinë e gjykatësit që i shkon pas prokuronit, të marrë peng një funksion kushtetues, rasti konkret është në proces në Kuvend dhe do të trajtohet me gjithë përgjegjësinë. Kush i lidh këto të dyja dhe në aspektin kohor, parlamenti do të shprehet përpara për imunitetin dhe pastaj do të kalojë për votë ky ndryshim”, tha Rama.

Ora 09:37
Rasti Balluku/ Rama: Pezullimi i papranueshëm, askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë edhe gurin edhe arrën për të goditur këtë shumicë qeverisëse

Ndryshimet ligjore për të frenuar gjykatat të pezullojnë nga detyra ministrat dhe psote të tjera kushtetuese, kryeministri Edi Rama tha se nuk ka lidhje me rastin Balluku. Për këtë rast, kryeministri u shpreh se “do merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në kuvend ndërhyrjen në territorin kushtues të pushtetit ekzekutiv.” Rama tha se askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë edhe gurin edhe arrën për të goditur këtë shumicë qeverisëse.

“Fryma e Kushtetutës dhe orientimet themelore të Kushtetutës nuk mjaftojnë, praktikat e të gjitha vendeve që ne u ngjajmë nuk mjaftojnë, atëherë duhet bërë neni me të gjitha përcaktimet, funksion për funksion, në mënyrë që të mos ketë më mundësi interpretohet. Kjo është arsyeja përse ne e bëjmë këtë ndryshim. Kush e lidh me rastin konkret bën gabim, rasti konkret ka rrugën e vetë, nuk ka lidhje me pezullimin. Por pezullimi është i papranueshëm, dhe për këtë arsye ne do merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në kuvend ndërhyrje në territorin kushtues të pushtetit ekzekutiv. Askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë edhe gurin edhe arrën për të goditur këtë shumicë qeverisëse. Ashtu sikundër askush s’duhet ta mendojë se kjo masë, apo të tjera masa në vijim, kanë të bëjnë me lëkundjen tonë për të mbështetur pa rezervë pavarësinë e drejtësisë”, tha Rama.

Ora 09:36
Rasti Balluku, Rama: Ma ka dorëzuar tri herë dorëheqjen dhe e kam refuzuar, s’e pranoj deri kur të plotësohen kushtet

Duke theksuar se rasti i Belinda Ballukut ka rrugën e tij, kryeministri Rama tha se ministrja ia ka dorëzuar tri herë dorëheqjen. Rastet kanë qenë akuza, pezullimi i parë dhe kur Kushtetuesja nuk foli, por s’e ka pranuar kryeministri. Rama thotë se nuk do ta pranojë dorëheqjen deri kur të plotësohen kushtet.

“Belinda Balluku ma ka dorëzuar tri herë dorëheqjen. I kam atje në dosje, tri herë. Një herë kur iu ngrit akuza, hera e dytë kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim dhe tri herë e kam refuzuar unë dorëheqjen. Dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe është futur në territorin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv, nuk ka! I jam falënderues për faktin që nuk ka persistuar, por ka vazhduar ta marrë gjithë atë baltë mbi fytyrë sepse unë nuk e pranoj deri kur të plotësohen kushtet dhe se kur plotësohen kushtet nuk e përcakton dot as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake, as media dhe as gjyqi popullor. Nëse do të hyni në klëtë logjikë, do t’i hapni rrugë një historie që do të dëmtonte seriozisht kapacitetin e pushtetit ekzekutiv për të qeverisur”, tha Rama.

Ora 09:32
Rama: Kufiri mes pushteteve si gardh me vrimë që hyjnë e dalin qentë dhe minjtë, fajin e ka GJK! S’ka prokuror e gjykatës që na vë në diskutim vendimet

Kryeministri Edi Rama foli për movendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra, duke thënë se e bën kufirin ndarës mes pushteteve si gardh që hyjnë dhe dalin qentë dhe minjtë. Rama tha se pushteti ekzekutiv është i pavarur dhe se nuk ka asnjë gjykatës dhe prokuror që të vejë në diskutim vendimet e qeverisë.

“Në vend që të merret një vendim i bazuar në arsye kushtetuese, merret një vendim i bazuar në politikë dhe në ojat e brendshme të njërit e tjetrit për të mbajtur ekuilibra politike. Nuk është thjesht në Shqipëri. Çfarë bën mosvendimi? Bën që çdonjëra nga ato figura që u përmendën në relacion të jenë vulnerabël ndaj pezullimit, kufiri ndarës midis pushteteve të jetë si ato gardhet me një vrimë, ku hyjnë e dalin qentë dhe minjtë. Nuk e lejojmë. Vendosja e këtij kufiri është e rëndësishme për të përcaktuar edhe një ndarje tjetër që, e them me keqardhje, nuk ekziston te shumëkush, pse vetëm pushteti gjyqësor është i pavarur? Kushtetuta thotë se ka tre pushtete të pavarura. Përveç gjyqësorit, janë edhe legjislativi dhe ekzekutivi. Për çfarë jemi të pavarur ne në raport me gjyqësorin? Ku gjyqësori nuk duhet ta imagjinojë se mund të hyjë në territorin tonë? Jemi të pavarur për të marrë vendime dhe nuk ka prokuror apo gjykatës t’i vërë në diskutim. Ai pushtet i pavarur prej nesh është pikërisht për të vigjiluar nëse vendimet tona janë vendime që burojnë vetëm nga qëllimet e shpallura", tha Rama.

Ora 09:24
Kushtetuesja u nda 4 me 4 për rastin Balluku, Rama: Kanë boshllëk në tru, nuk i dhanë drejtim çështjes bazuar në frymën e Kushtetutës

Kryeministri Edi Rama foli në mbledhjen e grupit të PS për rastin Balluku, për të cilin Kushtetuesja nuk arriti shumicën dhe kërkesa e tij u rrëzua duke lënë kështu në fuqi pezullimin nga detyra. Kryeministri tha se boshllëku në ligj është në trutë e atyre që si dhanë drejtim kësaj çështje duke u bazuar në frymën e kushtetutës. Rama tha pezullimi me vendim të GJKKO-së, nuk cenon personin por funksionin.

“Mendoj që boshllëku është në trutë e atyre që si dhanë drejtim, bazuar në frymën e kushtetutës dhe në modelin demokratik të ndarjes së pushteteve, jo në të gjithë europën, por në të gjithë planetin. Nuk është nevoja të jetë çdo gjë e shkruar në germën e ligjit, nëse në frymën e kushtetutës janë të qarta orientimet për të gjithë ata që jetojnë nën atë kushtetutë. Ajo që e bën skandaloz, të pajustifikueshëm dhe të papranueshëm pezull nga një prokuror dhe gjykatës në një seancë paraprake pa nisur gjyqi për një anëtar të kabinetit qeveritar, është fakti se pezullimi nuk cenon personin, i cili prezumohet që është në proces hetimi. Pezullimi cenon funksionin. Të gjithë ato funksione që solli Manja si pjesë e grupi nismëtar për këtë ndryshim, janë funksione që nuk ushtrohen dot pa personin. Kur pezullohet një ministër, nuk pezullohet thjesht vajtja në punë e një individi, por pezullohet puna e një institucioni. Ajo ministri s’ka kapacitet të propozojë asgjë në Këshillin e Ministrave, se nuk përfaqësohet nga personi i ngarkuar si përfaqësues si vullnetit kushtetues”, tha Rama.

Ora 09:19
Rasti Balluku/ Manja prezanton nismën ligjore: Ja 7 subjektet e reja që gjykatat nuk mund t’i pezullojnë nga detyra

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ka prezantuar nismën ligjore lidhur me ndryshimet në nenin 242 të Kodit të procedurës Penale lidhur me pezullimin nga detyra të zgjedhurve nga elektorati. Qeveria propozon shtimin e 7 subjekteve të reja, të cilët nuk mund të pezullohen nga detyra me vendim gjykate.

Përveç anëtarëve të Këshillit Bashkiak, kryetarëve të bashkive dhe deputetëve, nenit i shtohen dhe kryeministri, zv/kryeministri, ministrat, presidenti, Avokati i Popullit, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilët nuk mund të pezullohen nga detyra me vendim gjykate.

“Është një nisëm që synon të plotësojë një boshllëk ligjor në nenin 242 paragraf 2 të kodit re procedurës penale. Ky nen ka të bëjë masat ndaluese që ka kodit i procedurë penale. Në pikën 1, sqarohet kompetenca që ka gjykata në caktimin e masave ndaluese, pezullimi nga detyra, që është një masë gjyqësore që garanton hetimin dhe ndalimi i ushtrimin të një veprimtarie. Jemi tek e para, në pikën 2 thuhet: Masa e pezullimit nga detyra thuhet “Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.

Referuar kodit zgjedhore, zgjidhet anëtarët e këshillit bashkiak, deputetët dhe kryetarët e bashkive. Ne propozojmë që n pikën 2 të shtohet rrethi i subjekteve që nuk mund të jepet si masë pezullimi nga detyra, shtohet me presidentin, Avokatin e Popullit, kryeministrin, zv,kryeministri, ministrat, anëtarët e GJK dhe kryetarin e KLSH.

Jemi referuar strikt Kushtetutës, këta janë institucione që burojnë nga Kushtetuta dhe përbëjnë shtyllat kryesore të shtetit. Janë themelet e shtetit demokratik. Qëllimi ndërhyrës është garantimi i funksionimit normal dhe pandërprerë dhe kushtetues të institucioneve duke ruajtur kompetencat e prokurorisë dhe gjykatave. Ndryshimi nuk synon të kufizojë juridiksionin penal dhe as te krijojë paprekshmëri individuale, për të vendosë balancë ndërmjet ushtrimit të funksioneve kushtetuese”, tha Ulsi Manja.

KODI I PROCEDURËS PENALE, NENI 242

SI ËSHTË.....

“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.

SI BËHET....

“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, zv.kryeministri, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”.