Wolfgang Rau: GRECO (Groupe d’Etats contre la corruption – Grupi i shteteve kundër korrupsionit) është një grup ndërqeveritar i ngritur nën kujdesin e Këshillit të Europës për të parë në mënyrë kritike masat që anëtarët e tij marrin për të luftuar korrupsionin. Vlerësimet e GRECO-s i referohen një sërë instrumentave ligjorë të Këshilllit të Europës, të cilat vendet e tij anëtare duhet t’i zbatojnë. Që në krijimin e tij ka qënë e qartë se për të luftuar korrupsionin nuk është i mjaftueshëm vetëm zbatimi i këtyre instrumentave apo mekanizmave. Duhet të ketë kontroll të vazhdueshëm nëse ato janë zbatuar në praktikë dhe si janë zbatuar. Kjo është arsyeja e egzistencës së GRECO-s dhe e pjesëmarrjes në të të 47 vendeve, anëtare të Këshillit të Europës. Kjo lloj përqasjeje shpjegon gjithashtu pse një vend si SHBA u bënë anëtare me të drejta të plota të Grupit që në fillimet e tij dhe po mbështet punën e tij në mënyë aktive. GRECO plotëson kështu aspektin monitorues të Këshillit të Europës me një përqasje tri planëshe në luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë edhe përcaktimin e standarteve ndërkombëtare, – si u theksua më lart –dhënien e mbështetjes dhe asistencës teknike. Meqë po flasim për asistencën teknike, GRECO ka kontribuar jo pak në progresin që ka bërë Shqipëria në luftën kundër korrupsionit.
DW: A mund të shpjegoni se cilat janë standartdet anti - korrupsion të Këshillit të Europës?
Wolfgang Rau: Korrupsioni ka qëne dhe mbetet shqetësim i Këshillit të Europës. Në mes të viteve ‘90-të u bë e qartë nevoja për një përqasje multi- disiplinore në këtë fushë të vështirë ku nuk mund të arrihet një sukses afatgjatë vetëm permes zbatimit të legjislacionit. Në këtë kontekst u përpunuan një sërë instrumentash ndërkombëtarë si "Njëzet Parimet Drejtuese për Luftën Kundër Korrupsionit" më 1997, Konventat "Për Ligjin Penal dhe Ligjin Civil për korrupsionin", të dyja në 1998, "Kodi Model për zbatim nga zyrtarët publikë" në 2000, dhe "Rregulla të përgjithshme kundër korrupsionit në financimet e partive politike dhe fushatave elektorale" në 2003. Këto instrumenta të rëndësishme janë përdorur nga shtetet anëtare, për të cilat GRECO është i interesuar veçanërisht. GRECO u krijua në Maj 1999 me qëllimin e madh të përmirësimit të kapaciteteve të anëtarëve të tij për të luftuar korrupsionin dhe ndjekur, në bashkëpunim, zotimet e tyre në këtë fushë.
DW: Objektivi kryesor është asistenca ndaj shteteve anëtare në luftën kundër korrupsionit, që përbën një nga sfidat kryesore të demokracive në të gjithë botën. Si e realizon GRECO këtë objektiv?
Wolfgang Rau: GRECO ndihmon të identifikojë mangësi në politikat kombëtare anti- korrupsion, duke nxitur reformat legjislative, institucionale dhe vënien e tyre në jetë. GRECO ofron gjithashtu një platformë për të shkëmbyer praktikat më të mira në parandalimin dhe zbulimin e korrupsionit. Në këtë mënyrë shtetet anëtare përfitojnë nga ekspertiza e GRECO dhe rekomandimet specifike për vendin përkatës. Raportet e vlerësimit dhe rekomandimet bazohen në informacionin e shkruar që sigurohet nga autoritete të rëndësishme, nga intervista me aktorë të ndryshëm, përfshirë edhe shoqërinë civile si edhe përmes studimeve paraprake. Plotësimi i rekomandimeve të GRECO-s monitorohet sipas një procedure specifike.
DW: Si është sot situata e përgjithshme në Europë lidhur me korrupsionin?
Wolfgang Rau: Në janar, Thorbjørn Jagland, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të EuropësI, iu drejtua Asamblesë së KE (PACE) dhe tha: "korrupsioni është sot kërcënimi më i madh për demokracinë dhe dëmton besimin e qytetarëve tek ligji". Besoj fort se ky vlerësim është i drejtë. Megjithatë, nuk mund të jap ndonjë shifër lidhur me nivelin e përgjithshëm të korrupsionit në Europë, që varion në mënyrë sinjifikative nga një vend në tjetrin, por do të ishte naive të besosh që korrupsioni është në rënie. Sa më i gjatë stanjacioni apo recesioni ekonomik, sa më e madhe të jetë konkurrenca për burimet e pakta, aq më u shumë rritet rreziku i praktikave korruptive për të pasur akses tek këto burime duke shkaktuar kështu dëm të mëtejshëm vlerave demokratike të Europës, institucionet dhe stabilitetin. Pavarësisht nga arritjet e shumta të lëvizjes ndërkombëtare anti-korrupsion, nga intoleranca e dukshme dhe në rritje e qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar, punonjësve civilë dhe drejtuesve të bizneseve, nuk ka asnjë arësye për të rënë në vetëkënaqësi.
DW: Shqipëria, si shtet anëtar i GRECO-s, ka përfituar nga monitorim i i tij i vazhdueshëm dhe rekomandimet. Si do ta përshkruanit situatën në Shqipëri nga perspektiva e GRECO-s, sidomos lidhur me plotësimin e standardeve anti- korrupsion të KE?
Wolfgang Rau: Që nga viti 2002 Shqipëria është vlerësuar tri herë nga GRECO lidhur me luftën kundër korrupsionit. Vendi ka plotësuar tanimë 35 nga 37 rekomadimet e dhëna nga GRECO, që atëhere dhe deri tani. Ky është një rezultat shumë i mirë që tregon se Shqipëria ka bërë përpjekje për të përmbushur rekomandimet e KE. P.sh. Shqipëria ka adaptuar Strategjinë Anti- Korrupsion, 2007-2013, dhe ka promovuar politika dhe masa anti- korrupsion në nivel lokal dhe rajonal, ka reformuar legjislacionin penal lidhur me korrupsionin, përfshirë këtu edhe penalitete për persona ligjorë lidhur me mit- marrjen, ryshfetin, trafikun e interesave, dhe pastrimin e parave. Shqipëria ka marrë gjithashtu masa për të mbrojtur dhe inkurajuar raportuesit e rasteve të korrupsionit. Gjithsesi është e qartë që lufta kundër korrupsionit është një sfidë afatgjatë që kërkon përpjekje të vazhdueshme, sidomos kur është fjala për zbatim efektiv të legjislacionit egzistues. GRECO do të vazhdojë të monitorojë plotësimin e standarteve anti- korrupsion të KE, ashtu si bën për të gjitha shtetet anëtare.
DW: Në raportin e dytë të vlerësimit të GRECO-s, lidhur me plotësimin e këtyre standardeve, të publikuar në fund të qershorit të këtij viti, GRECO merret me dy fusha, për të cilat në Shqipëri ka ndjeshmëri të lartë: inkriminimin e korrupsionit dhe transparencën e financimeve të partive politike. A mund të thoni se cilat janë gjetjet kryesore në këtë raport, cilat janë sfidat që mbeten për t’ u përballuar në të ardhmen nga Shqipëria?
Wolfgang Rau: Shqipëria ka kryer një proces domethënës reformash në të dyja fushat. Mes të tjerash, Kodi Penal u amendua në 2012, për të kriminalizuar qartësisht marrjen e ryshfetit nga zyrtarët e huaj dhe ndërkombëtarë, për të rritur nivelin e sanksioneve për ryshfetin në sektorin privat dhe për trafikun e interesave. Për më tepër Shqipëria ka marrë masa të rëndësishme për të forcuar transparencën e financimeve të partive politike, duke përfshirë donacionet dhe donatorët, siguruar monitorimin e KQZ në dy drejtime: aktivitetin e përditshëm rutinë dhe financimin e fushatës elektorale, si edhe për të përcaktuar sanksione lidhur me thyerjen e rrregullave të financimit. Sfida kryesore tani mbetet zbatimi efektiv, në praktikë i kuadrit të ri ligjor. Në raportin e fundit të GRECO-s për Shqipërinë, për të cilin po flasim, në zbatimin e ligjit në praktikë- sidomos në sa parashikon Kodi Penal lidhur psh me ryshfetin aktiv në sektorin publik dhe privat, trafikun e influences - deri tani progresi është shumë i limituar dhe zbatimi i ligjit është penguar nga një mungesë informacioni dhe mirëkuptimi të përgjithshëm për gjithë sa parashikon Kodi Penal për korrupsionin si edhe nga shtrembërimi i zbatimit të ligjit. Vendi ka nevojë për vazhdim dhe zhvillim të mëtejshëm të masave praktike si treinimet e oficerëve të policisë, gjykatësve dhe prokurorëve.
DW: Në " Progres- Raport, Shqipëria, 2012" të Komisionit Europian thuhet se: "ka një progres të moderuar lidhur me luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni është mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem shumë serioz." Kjo deklaratë e KE-së reflekton gjithashtu edhe perceptimin e opinionit të gjerë publik në Shqipëri për korrupsionin. Lufta kundër tij ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e të gjitha qeverive në Shqipëri por ndërkohë mungojnë tregues domethënës të ndjekjes penale apo dënimit të zyrtarëve të lartë që janë akuzuar për korrupsion. Çfarë mendoni ju për këtë fakt? A ka praktika të dobishme në vende të tjera anëtare të GRECO që mund t’i vlejnë Shqipërisë?
Wolfgang Rau: Ashtu si theksova në krye të herës, GRECO në Raportin e tij, të publikuar së fundi, ka deklaruar se përvoja lidhur me parashikimet e Kodit Penal për korrupsionin ka qënë i limituar, si lidhur me zyrtarët e lartë ashtu edhe në përgjithësi me punonjësit e sektorit publik. Përvoja tregon se duhen përmbushur disa kushte për të luftuar me efikasitet korrupsionin, duke filluar nga një vullnet i fortë politik në nivelin më të lartë politik që përkthehet në masa praktike për të siguruar që policia, akuza, dhe gjykatat kanë në dispozicion mjetet e duhura për të kryer punën e tyre, përfshirë edhe një numër të mjaftueshëm stafi të specializuar. Për më tepër, në shumë vende ngritja e një strukture të fuqishme, të pavarur anti- korrupsion ka provuar të jetë një aset në luftën kundër korrupsionit.
DW: Z.Rau, në Shqipëri, në shtator fillon punën qeveria e majtë e kryeministrit Edi Rama, kryetar i PS-së. Çfarë pritet nga Shqipëria, nga perspektiva e GRECO-s, me qëllim përmbushjen e plotë të standarteve të Këshillit të Europës në luftën kundër korrupsionit?
Wolfgang Rau: Në fund të tetorit, GRECO do të organizojë një vizitë vlerësuese për Shqipërinë në kuadër të raportit të rradhës që ka të bëjë me parandalimin e korrupsionit për anëtarët e parlamentit, gjykatësit dhe prokurorët. GRECO planifikon të adaptojë një raport vlerësim në fillim të vitit 2014 dhe pritet që Shqipëria, të plotësojë brenda 18 muajve rekomandimet që do të përmbajë ky raport. Natyrisht, në këtë fazë, nuk mund të flas për gjetjet e ekipit vlerësues dhe rekomandimet që do të ketë në raportin e GRECO-s, por është e qartë që fushat që do të mbulojë ai janë kyç për funksionimin e duhur të një shoqërie demokratike. Përgjithësisht, lipset angazhim i qartë politik dhe veprimi i vendosur, duke përfshirë si masat parandaluese ashtu edhe ndjekjen penale efektive, gjykimin e veprave penale të korrupsionit për ta luftuar ate me sukses.
Marrë nga DW