Janë mbi nëntëqind faqe të botuara.
Shtyrë prej interesimit të medias dhe lexuesve për raportet e Gjergj Kastriotit dhe të pasardhësve të familjes së tij me sllavët, autori ndërtoi, duke iu referuar saktësisht tre botimeve të veta, këtë lëndë për lexuesit e “Shqiptarja.com”.
Në librin “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut“ Ylli Polovina mes të tjerash e informon lexuesin se “Nga Donika e Skënderbeu lindi Gjoni”, shkruan princi i Beratit, Gjon Muzaka, në testamentin e tij të shumënjohur. Pastaj shton: “Gjoni ishte Dukë në San Pietro të Galatinës dhe pat për grua Donna Erina Paleologun, vajzën e Llazarit, Princit të Serbisë.
Nga martesa e tyre lindën shumë fëmijë, të gjithë të vdekur, vetëm dy mbijetuan, një mashkull dhe një femër: Don Ferrante Kastrioti, Duka i San Pietros dhe Donna Maria Kastrioti”.
Saktësojmë: Djali i vetëm Gjon, i martuar në Napoli të Italisë në moshën njëzetë e një apo njëzetë e dyvjeçare, siç vumë në dukje në shkrimin e djeshëm, me serben Erina, përveç dy vajzave pati edhe të paktën tre djem. Kastriotët zakonisht janë një fis që lindin më shumë meshkuj. Njëri djalë, Kostandini, që nga fundviti 1497 ishte ipeshkv i qytezës së Izernias, dy vite më vonë u sëmur rëndë dhe rreth 1500-tës, në moshë fare të re, ndërroi jetë. Tjetri djalë vdiq herët, por jetuan gjer në moshë plakjeje Gjergji dhe i fundit i meshkujve, Ferrante.
Të gjithë këta mund të quhen shqiptaro-serbë. Në rast se përjashtojmë mundësinë që e shoqja e Skënderbeut ka qenë një zonjë me origjine etnike serbe dhe mbështesim idenë se djali i tyre i vetëm Gjoni, është një pastërtisht shqiptar, në mënyrë tepër të sigurtë kjo cilësi etnike nuk vijon më pas. Familja Kastrioti në brezin e dytë e më tej vazhdon si e përzjerë me gjak të dy kombësive.
Biri i shqiptarit Gjoni dhe i sërbes Erina, Gjergji, edhe pse viti i qartë i lindjes së tij deri tani nuk është gjetur, me arsyetimin e thjeshtë se mban emrin e gjyshit, lë të kuptojë se ka qenë djali i madh i tyre. Edhe me djalin e tij të vetëm Skënderbeu kishte vepruar po njëlloj, pati vënë emrin e të atit të tij, çfarë qe rregull bazë për të drejtën e trashëgimisë.
Ky nip i Gjergj Kastriotit në fund të shekullit të katërmbëdhjetë në kujtesën e të afërmeve të tij si edhe të arbërve, po ashtu edhe në studime të historianëve, ka hyrë me emrin “Skënderbeu i Ri”.
Historia e çuditshme e tij zë e bie në sy kur në vitin 1499, pas një kompromisi e paqeje të radhës të Republikës së Venedikut me Perandorinë Osmane. Të parës, për interesa tregtare, i duhej rifillimi i luftës. Pikërisht në shtatorin e këtij viti në Senatin e saj u paraqit, i ardhur nga Arbëria, frati me emrin Françesku i Krujës. Kërkonte përkrahje për të realizuar çlirimin e Shqipërisë.
Ai dëshmoi se këtu më shumë nga njëzetë mijë burra qenë bashkuar e patën shpërthyer një kryengritje. Rebeluesit më të shumtë ishin nga trojet e principatës së Kastriotëve, por qendër të revoltës nuk kishin Krujën. Qe Lezha. Ata po përlesheshin me osmanët, disa herë edhe i kishin mundur repartet ushtarake të perandorisë, por që të ngadhënjenin e të çliroheshin përfundimisht kishin nevojë për një udhëheqës.
Emrin e tij e kishin shumë të qartë dhe ia patën deklaruar frat Françeskut. Ky do të ishte Gjergji i Ri, nipi i Skënderbeut. Për këtë mision jetik do të kishin kërkuar edhe vetë të atin e tij, Gjonin, sepse patën dëgjuar që në Itali kishte zhveshur pa frikë shpatën kur në 1480 turqit me një flotilje të nisur nga Vlora patën sulmuar qytetin e Otrantos, mirëpo ai tashmë qe në një moshë që nuk i përballonte dot mundimet e luftës.
I biri, Gjergji, ishte i ri dhe plot energji. Le të vinte. Ata do t’i bindeshin si një perëndie.
Në Senat e mbajtën shënim kërkesën e të mbërriturit nga Arbëria. Pati ardhur në kohën e duhur. Në vitin 1477 ata kishin ftuar për të kryer një ekspeditë antiosmane në tokat e arbërve edhe vetë Gjonin. Ky kishte rënë dakord pa u lëkundur. Patën bërë edhe një marrëveshje të shkruar, veç ngjarjet u vërtitën në një kahe paqësimi me sulltanin dhe plani i parashikuar u ndërpre.
Kur në Republikën e Venedikut në atë shtator 1499 qenë të një mendjeje për t’i bërë thirrje Gjergj Kastriotit të Ri të vijonte jo vetëm punën e lavdëruar të të gjyshit, por edhe projektin e lënë në mes të të atit, ky kishte kryer një shërbim të veçantë për monarkun e Napolit, Ferdinandin. Gjashtë vite të shkuara, në pranverë 1493, duke qenë se mbreti dëshironte jo përleshjen, siç e nxiti kur jetonte Skënderbeu, por mbarëqetësinë me Perandorinë Osmane, nisi për në Stamboll, me dhurata në duar, një delegacion miqësor.
Sipas kronikave atë e kryesonte Gjergj Scannalibech apo Scannalibecha. Historianët nuk kanë asnjë dyshim: ky qe pikërisht i biri i Gjonit, Gjergj Kastrioti.
Tashmë kur kishin kapërcyer gjashtë e më tepër vite dhe shekulli po mbyllej, Senati Venecian nipit të Skënderbeut përvojën e dikurshme në rolin e diplomatit të paqes ia ngarkoi për të kundërtën: luftën.
Prandaj më 1 tetor mori vendim që një i ngarkuar special i Republikës, bashkë me Françeskun e Krujës, të niseshin për në Napoli dhe ta ftonin Gjergjin e Ri të sipërmerrte misionin e çlirimit të principatës së familjes së tyre si edhe të gjithë arbërve. Në krah do të kishte fratin e kryeqytetit të tyre të dikurshëm, si edhe një anije për të dalë në bregun tjetër, në Lezhë, ku prej shumë kohësh ziente shpirti kryengritës. Për të përballuar të gjitha shpenzimet e këtij operacioni politiko-luftarak Senati do t’i jepte edhe 500 dukate.
Njeriu i Republikës së Lagunës erdhi në Napoli dhe nuk iu desh shumë t’ia mbushte mendjen nipit të Skënderbeut. Nga që druhej nëse i ati do të qe dakord apo jo me çfarë i patën propozuar, Gjergji ia tha vetëm të gjyshes. Ajo nuk e kundërshtoi.
Tashmë besonte se autoriteti i saj do ta ndihmonte për të mos u penguar nga i ati, Gjoni si edhe e ëma, serbja Erina. Kur ia bëri të ditur të atit, ky e kundërshtoi vrullshëm. Arsyetimi i tij qe shumë i qartë. Duke shkuar në shërbim të Venedikut, rivales së Mbretërisë së Napolit për kontrollin e Ballkanit dhe të deteve të ngrohtë të jugut mesdhetar, ai do të zëmëronte monarkun që i kishte strehuar, përkrahur e mbrojtur, mbretit që Kastriotëve u pat dhënë prona në Itali si edhe çdo ndihmë të nevojshme me të holla.
Edhe Erina, e cila nuk dallohej shumë se e dëgjonte për gjithçka të shoqin, por në të shumtën e herëve ngjante e kundërta, u bashkua me Gjonin.
Gjesti i të birit mund t’i lëndonte shumë marrëdhëniet e tyre me oborrin, pse jo edhe të rrënonte gjithçka. Kur për çfarë kishte rënë dakord i biri i tyre u vu në dijeni mbreti, ky nuk e fshehu nervozizmin. Po të shkonte në shërbim të Republikës së Venedikut Gjergji do të kryente jo një gabim, por një faj. E konsideronte tradhti. Si i tillë të mos shpresonin se do ta toleronte.
Pas kësaj gjendja e nderë përfshiu jo vetëm Kastriotët, por të gjitha familjet fisnike shqiptare të emigruara në Napoli. Ndaj nipit të Skënderbeut u shtua trysnia të ndërronte mendje jo vetëm nga prindërit, nga e motra shpirtmirë dhe e zgjuar Maria, si edhe nga vëllai i vogël me emrin e mbretit, Ferrante, por nga të gjithë arbrit e tjerë me ndikim. Por edhe pse ndeshi në një mur të lartë refuzues, në një mosmiratim të plotë, me gjithë lutjen e prindërve të kthente mendje, Gjergj Kastrioti i Ri në shkurt 1500 u nis për në Republikën e Venedikut.
Atëherë, për të shmangur edhe pasojat që mund t’u binin ndesh, Gjoni dhe Erina e mohuan djalin e tyre të madh, trashëgimtarin e drejtpërdrejtë të emrit dhe të pasurisë së Kastriotëve. Që prej këtij çasti dhe jo më vonë, duhet të kenë kryer edhe veprimin tjetër, atë zyrtarisht rikonfirmues. Shpallën se pasues i ligjshëm i familjes së tyre do të qe i vetmi djalë që u kish mbetur gjallë, Ferrante.
Kështu akti publik i mohimit ndaj Gjergjit plëngprishës u bë i plotë, pa asnjë shpresë pendimi”.
(Vijon nesër..)
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com