Drejtori i Shërbimeve Mbështetëse në QSUTErjon Ngjelo sqaroi se mbrëmjen e ditës së hënë u evidentuan problematika në furnizimin me energji elektrike, si pasojë e një avarie teknike të shkaktuar nga një defekt madhor në linjën e tensionit të lartë, jashtë territorit të QSUT.

Ngjelo tha se u aktivizuan të gjithë gjeneratorët, por me linjën në godinën A1 pati avari. Ai shtoi se pajisjet jetësore nuk u prekën, pasi kanë sistemin e tyre të back up.

Sipas Ngjelos, situata u monitorua në bashkëpunim me OSHEE dhe furnizimi me energji elektrike u rikthye në pak minuta.

“Ditën e hënë, në orën 20:20, për shkak të një avarie në linjën e tensionit të lartë 110kv, të nënsacionit Traktora, nag e cila furnizohet edhe QSUT, patëm një ndërprerje të energjisë elektrike. Të gjithë gjeneratorët që furnizojnë godinën spitalore, u aktivizuan dhe nuk pati probleme në godina. Edhe gjeneratori i godinës A1 u ndez, por paneli i kësaj godine detektoi një avari. Si pasojë e kësaj avarie, nuk u bë e mundur transmetimi i energjisë në godinë. Menjëherë, teknikët e gatishmërisë, të cilët po merreshin me riparimin e problemit, njoftuan operatorin e shpërndarjen e energjisë për të futur linjën e dytë që furnizon QSUT. Edhe kjo linjë erdhi me parametrat teknikë jo të duhur. Përsëri u komunikua me operatorin e shpërndarjes, për të futur linjën kryesore. Në pak minuta, pasi erdhi linja kryesore, teknikët e gatishmërisë rikthyen në gjendje pune të gjithë sistemin. I vetmi problem që kishte në godinën A1, ishte mungesa e ndriçimit. Të gjitha pajisjet jetëshpëtuese që ndodhen në reaminacionin qendror, ka funksionuar sistemi i tyre i back up dhe nuk është cënuar siguria e pacientëve”, theksoi ai.

Mbrëmjen e 19 janarit, një defekt në një shtyllë elektrike bëri që një pjesë e madhe e Tiranës të mbeste pa energji elektrike për gati 1 orë e gjysmë, në zona si Ali Demi, Fresku, ish-Uzina Autotraktorëve, Brryli, Astiri dhe Yzberishti.

Defekti bëri që energjia elektrike të shkëputej edhe në një prej pavioneve të QSUT-së, ku përfshihet Reanimacioni Qendror, Imazheria dhe Spitali Ditor.