Kjo për arsye se i ftuari, Bledar Kola, ishte një ndër kuzhinierët që ka punuar në këtë restorant me famë botërore dhe ka marrë eksperiencën e gatimeve më të veçanta nga shefi i kuzhinës së restorant “Noma”, shqiptarit Rene Rexhepi.
Ky restorant në Danimarkë është zgjedhur sërish restoranti më i mirë në botë mes 50 restoranteve më të mira të botës në konkurrim. “Noma” është pozicionuar në vendin e parë, pas mbajtjes së këtij titulli për 3 vite radhazi nga 2010 deri në 2012.
Dy recetat që shef Bledari gatoi për të gjitha amvisat në këndin e kuzhinës të emisionit të mëngjesit “Rreze Dielli” ishin të ideuara nga restorant “Noma”.
Ky restorant që ndodhet në Danimark është i famshëm dhe ka arritur të marrë për herë të katërt çmimin e parë në gastronominë botërore në sajë të produkteve bio të harruara nga kuzhinierët e tjerë vendas.
Ishte pikërisht shqiptari nga Maqedonia, Rene Rexhepi, i cili arriti që të përdor produktet bio të vendit të Danimarkës duke sjellë një revolucion që renditi Danimarkën në fushën e gastronomisë botërore si dhe duke sjellë edhe shumë turistë në këtë shtet pasi për të shijuar gatimet në restorant “Noma” duhet prenotuar gjashtë muaj para.
Fama e këtij restoranti dhe kuzhina e veçantë e vlerësuar si më e mira në botë që i ka ndryshuar jetën profesionale Bledar Kolës. Në emisionin “Rreze Dielli” ai gatoi dy recetat e këtij restoranti. Receta e parë: Asparag me pishë dhe salc kosi. Receta e dytë: Rrënjë selinoje të karamelizuar me kallamarë të gjallë, mollë si dhe lule e egër lakre e lule bizele.
Receta "Rrënjë selinoje me kallamar e mollë":
Rrënjë selinoje
Timo
Asparag
Mollë jeshile
Pishë
Kallamarë
Lule e egër lakre
Lule bizele
Përgatitja e recetës "Rrënjë selinoje me kallamar e mollë":
Pastrojmë selinon dhe më pas e skuqim pak në tigan me vaj ulliri dhe timo duke i shtuar më pas dhe asparagun. Një pjesë tjetër të selinos e presim hollë duke e bashkuar me mollën e prerë po aq hollë sa rrënjët e selinosë duke i shtuar vaj ulliri. Më pas, presim fijet e pishës hollë dhe e hedhim në sallatën e përgatitur, e cila shërben në vend të limonit si dhe për të dhënë shije dhe aromë sallatës.
Pastrojmë kallamarët dhe i presim ato hollë duke ja shtuar sallatës e më pas vaj ulliri.
Receta "Asparag me pishë e salc kosi":
Salc kosi
Asparag
Pishë
Qepë
Përgatitja e recetës "Asparag me pishë dhe salc kosi"
Në salcën e kosit hedhim fije pishe dhe i përziejmë në mikser. Më pas vendosim në pjatë asparagun dhe i shtojmë salcën e përftuar.
Rubrika më e ndjekur “Të gatuajmë së bashku me zonjën Tefta” i përcolli amvisave recetat e restorantit numër 1 në botë “Noma”.
Shef Bledar Kola duke gatuar recetat foli gjatë për famën e këtij restoranti dhe shefit Rene Rexhepi. Në eksperiencën dhe zhvillimin e Bledit kanë ndikuar mjaft leksionet e Rene Rexhepit. Bledi ka qenë për një kohë të gjatë stazhier tek restorant "Noma".
(Shef kuzhinieri i restorant "Noma" Rene Rexhepi)
Ai tregoi eksperiecën e tij në këtë restorant të famshëm të një shqiptari i cili jo vetëm ka bërë revolucion në kuzhinë por për herë të katërt ka bërë që restorant “Noma” të marrë çmimin e parë në fushën e gastronomisë.
Edhe pse viti 2013 ishte një vit i keq për “Noma” për shkak të një virusi në kuzhinë, ky restorant prap ka triumfuar në 2014. Për Bledar Kolën, shefi i kuzhinës së restorant “Noma” Rene Rexhepi është shprehur: “Ai është mjeshtër i Shqipërisë. Ky shef konsiderohet të jetë një nga talentet më të mëdhenj të Europës sot për sot”.
(Shef kuzhinieri Bledar Kola në kuzhinën në "Rreze Dielli")
Pas urimeve të Bledarit për çmimin e marrë këtë vit nga restorant “Noma”, Rene Rexhepi i është përgjigjur atij në këtë letër:
"Çkemi Bledar! Shumë faleminderit për mesazhin! Me sinqeritet të them që viti i shkuar ishte më i vështiri që kemi kaluar që nga norovirus e deri tek vështirësitë për të hequr qafe pjesët e tjera të vjetra. Jam i gëzuar që mbaroi ai vit, me të vërtet nuk e prisja të ndodhte gjë të hënën (ditë kur Rene ka fituar konkursin).
Do ishim shumë të lumtur sikur të renditeshim deri tek 20-sha. Por pas gjithë kësaj, rezultati është i mrekullueshëm. Tani të gjithë mund të ecim përpara e të përgatitemi për të ardhmen. Të falenderoj shumë për mbështetjen miku im!"
Redaksia Online
(m.z/shqiptarja.com)