Reeker: Nacionalizmi rrezik, për
21 janarin prisnim llogaridhënie

Reeker: Nacionalizmi rrezik, për<br />21 janarin prisnim llogaridhënie
TIRANE -"Gjeografia është ajo që është, ashtu sikurse historia është ajo që është. Retorika nacionaliste shpërqendron interesat kryesorë të shqiptarëve, siç janë reformat për stabilitet, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian". Këto kanë qenë deklaratat e nënvizuara disa herë, mbrëmjen e së enjtes (21 shkurt) gjatë emisionit “Top Story”, të Zëvendësndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për Euroazinë, Philip Reeker, i cili prej ditës së djeshme  ndodhet në Tiranë. Sot diplomati do të takohet me krerët më të lartë të shtetit, Presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha, kreun e PS-së Edi Rama si dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Panariti.

Reeker u shpreh me tone të ashpra kundër nacionalizmit, ndërkohë që kërkon llogaridhënie për 21 janarin. Në intervistën me gazetarin Sokol Balla, Reeker kujtoi edhe një herë se kufijtë në Evropë janë të pandryshueshëm, duke u shprehur: “Harta e Evropës është e caktuar, kufijtë janë të përcaktuar. Qëndrimi i SHBA-ve është i palëkundshëm për çështjen e ndryshimit të kufijve”. Më tej ka vijuar duke dhënë shembullin e Bashkimit Evropian, si një model të begatisë falë fuqisë për të lënë mënjanë “fantazmat nacionaliste të së shkuarës”. Ai foli shumë për proceset integruese të Shqipërisë dhe marrëdhëniet e vendit tonë me Brukselin duke lënë qartësisht të kuptohet se nacionalizmat vetëm janë pengesë.

NACIONALIZMI
Duke sjellë edhe njëherë në vëmendje vizitën e ish-sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, ai tha se mesazhet e saj dhënë në Kuvendin shqiptar ishin mëse të qarta: “Nevojën për të punuar së bashku për të ecur përtej çdo nacionalizme”, tha Reeker duke cituar  ish-shefen e diplomacisë Amerikane.

"Mendoj që nuk është habi që nacionalizmi dhe retorika nacionaliste është diçka që e njohim, sepse e kemi parë se ku të çon nacionalizmi. Kjo sjell shpërqëndrim nga fokusi qendror, që duhet të jenë reformat, përmirësimi i ekonomisë, që të krijohen mundësi më të mira për qytetarët, si dhe të punohet për fqinjësi të mirë, që është shumë e rëndësishme. Harta e Europës është e caktuar, kufijtë janë të përcaktuar. Kështu që thirrja për të bashkuar shqiptarët, është joproduktive. Ambasadori Arvizu ka bërë një punë të shkëlqyer në përcaktimin e mesazheve nga Washingtoni për përmbajtje nga retorika e panevojshme"- tha Reeker.

Pyetjes a ka qëndrime personale të Ambasadorit Arvizu, Reeker bëri të qartë se çdo mesazh i përcjellë nga diplomati amerikanë është qëndrim personal, "por jo i tij, veçse i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama. Arvizu foli në emër të Obamës, ashtu edhe Klinton kur ishte në Tiranë..kemi një mesazh të përbashkët për të gjithë"- theksoi Reeker.

I pyetur nëse mesazhi për nacionalizmin është për një politikan të caktuar, apo për të gjithë spektrin, Riker tha: “Mendoj që është mesazhi është një për të gjithë. Ambasadori Arvizu flet në emër të presidentit të SHBA. Ne po flasim për të gjithë, kemi një mesazh të përbashkët për të gjithë rajonin, në mënyrë që të ndihmojmë Shqipërinë që të ecë përpara. Ky proces nuk lehtësohet prej nacionalizmave të panevojshme, pasi shpie drejt destabilitetit dhe nuk është i mirëpritur. Kemi folur në Kosovë dhe ata janë të pakënaqur nga retorika nacionaliste”. 

Zyrtari i DASH ka konfirmuar ekzistencën e një memo në mënyrë të tërthortë. Ai tha se ato janë pikëpamjet e SHBA, që po shprehen edhe publikisht, por janë shprehur edhe privatisht. “S’diskutojmë bisedat tona private diplomatike. Ato janë pikëpamjet që kemi. Kjo retorikë nacionaliste na shqetëson ne, shqetëson miqtë evropianë. Ndaj të mos shpërqëndrohemi nga reformat. Ne duhet të flasim privatisht, por do flasim edhe publikisht sepse kemi një marrëdhënie të fortë” tha Riker.

Reeker tha se ndodhet në Tiranë pak ditë pas vizitës me zyrtarët e Brukselit. “Hera e fundit që kam qenë në Shqipëri, ishte 6 muaj më parë. Dua të vizitoj të 7 vendet e rajonit të paktën 2 herë në vit. Kam përgjegjësi për politikat e jashtme në rajon, mbi të gjitha për Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s”, deklaroi zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë.

TE TRONDITUR PER 21 JANARIN

Reeker u shpreh i shqetësuar në lidhje me vendimin e 21 janarit, ku u vranë 4 persona. Në vazhdim të intervistës në “Top Story”, Reeker tha se duhet të ketë një llogaridhënie për këtë vendim, ndërsa shtoi se Prokurori i Përgjithshëm  kërkoi asistencë nga FBI për hetimet dhe SHBA e ofroi, dhe kujtoi se çështja do të mbetet shqiptare.

"Mendoj që deklarata jonë, deklarata e ambasadorit flet vetë. Është deklaratë e koordinuar me Washingtonin dhe ne kemi qenë të shqetësuar nga vendimi dhe kemi shprehur pikëpamjet tona për të. Asgjë nuk ka për të rikthyer jetën e katër të vrarëve atë ditë që u lënduan, familjet e të cilëve janë ndryshuar përgjithmonë, por ajo që njerëzit duan të shohin është llogaridhënia dhe ne kemi dhënë asistencën tonë kur na është kërkuar nga Shqipëria dhe ne e kemi ofruar këtë. Ndaj ne kërkojmë që të ketë llogaridhënie. Kjo është një cështje shqiptare, por përfshirja jonë ka rrjedhur prej kërkesës së Prokurorit për asistencë teknike. Kjo nuk është një cështje politike. Ka një tendencë që të mund të politizohen cështjet. Asnjë palë nuk duhet përdorur si një top futbolli në këtë periudhë.  Ju keni parë që ka pasur një apel. Le të vazhdojmë përpara. Shpresojmë që të ketë një ndjesi se ka një llogaridhënie,” theksoi Riker, duke shtuar se asgjë nuk ka për të kthyer jetët e katër personave që janë vrarë, prandaj duhet llogaridhënie.

ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT
Në fokus të intervistës u vendosën edhe zgjedhjet e 23 qershorit, ku edhe njëherë Reeker përçoi shqetësimin e SHBA-ve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa theksoi se SHBA-të do të asistojnë me 1 milionë dollarë në këto zgjedhje. Ai tha se 23 Qershori nëse do të jetë i sukseshëm nuk duhet të jetë vetëm për Brukselin apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por mbi të gjitha për qytetarët shqiptarë.

"Kemi shqetësime për zgjedhje dhe këto janë tejet të rëndësishme për Brukselin dhe Washingtonin sepse ato do të vendosin tonin për fazën e ardhshme të Shqipërisë. Shqipëria vetëm dy dekada më parë ka bërë këtë tranzicion të jashtëzakonshëm. Kemi parë probleme në zgjedhjet e shkuara dhe si miq dëshirojmë t’ju ndihmojmë që këto zgjedhje të jenë të suksesshme. Të mundësojmë që zgjedhjet në qershor të jenë të lira, të ndershme dhe të pranueshme nga të gjithë. SHBA do të asistojnë me 1 mln $ në ndërtimin e kapaciteteve zgjedhore”.

PER ARVIZUN
Riker ka vlerësuar punën e ambasadorit Arvizu duke thënë se ai është përfaqësuesi personal i presidentit të SHBA. “Sikurse e thashë, ambasadori Arvizu është përfaqësuesi personal i presidentit të SHBA. Jemi shumë krenarë për ambasadorin Arvizu. Jam krenar që është kolegu i imi. Punojmë jashtë mase ngushtë, sepse bota e tashme është botë e komunikimeve. Jemi krenarë për ambasadorin dhe ekipin e tij, me diplomatë të shkëlqyer dhe stafin lokal. Shqipëria ka po ashtu një ambasadë të shkëlqyer në Uashington. Politikat përcaktohen nga presidenti dhe zbatohen nga ambasadorët. Kur kemi ndryshime pikëpamjesh i shprehim publikisht dhe privatisht. Për këtë shërben aleanca. Shpresoj të vazhdojmë të punojmë së bashku për të qenë pjesë e një Europe të plotë e në paqe,” tha Riker.

PER LOBISTET
Një tjetër shqetësim i ngritur në emision ishte edhe lobimi që bën qeveria në Washington. I pyetur nëse ky lobim ndikon në qëndrimin e qeverisë amerikane, Riker tha: “Nuk mund të komentoj për transaksionet private. Ato janë kompani private. Por sikurse thashë, politikat vendosen prej presidentit të SHBA dhe Sekretari i Shtetit. Ambasada jonë këtu ka marrëdhënie të shkëlqyera me qeverinë e Shqipërisë dhe spektrin politik. Në Washington ka shumë aktorë që punojnë me qeveri e individë për t’u shpjeguar se si funksionon Washingtoni. Është e rëndësishme që të kuptohet se politika e jashtme përcaktohet nga presidenti e ekipet në DASH”- tha Arvizu.

VIZITA E RIKER
Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker, ndodhet në Tiranë në një vizitë dy ditore, e cilësuar si një vizitë surprizë në kuadër të retorikës nacionaliste që ka shqetësuar së tepërmi SHBA-të. Vizita e tij në Tiranë vjen vetëm pak ditë pas ‘memos’ së SHBA për retorikën nacionaliste tek disa politikanë ne vend. Zv/ndihmës Sekretari i Shtetit për Euroazinë Philip Reeker nesër pritet të ketë takim me krerët më të lartë të shtetit si Ministrin e Jashtëm Edmond Panariti presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha, dhe kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama.

LEXONI INTERVISTEN E PLOTE

Lajmi i përditesuar, u publikua fillimisht dje në orën 22:20

Redaksia Online
(Gre.M/m.k/sg/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën