GREQI- Ministri grek i financave, Janis Varufaqis ka deklaruar se do të jape dorëheqjen nëse vota e referendumit do të jetë pro paketës së propozuar nga kreditorët ndërkombëtarë, por u tregua i vendosur se në votimin e të dielës shumica do të votojnë kundër paketës. Ne do të fitojmë të dielën, tha Varufaqis, ne do të vazhdojmë të jemi këtu.

Ai gjithashtu theksoi se Greqia nuk do të nënshkruajë më asnjë marrëveshje nëse nuk do të ketë ristrukturim të borxhit dhe se vota e të dielës nuk ka lidhje me daljen e Greqisë nga Eurozona. Ai tha se vendimi për mbylljen e Bankave nuk ka të bëjë me një krizë bankare si në Qipro në vitin 2013, por ishte një qëndrim politik dhe pasi të dalë rezultati i referendumit, bankat do të rihapen.

Ndërkohë, e përditshmja britanike The Times shkruan se bankat greke mund të jenë në probleme para referendumit. The Times  thotë se Bankat greke mund të kenë para gjëndje edhe për 80 orë. Gazetarët grekë bëjnë me dije se në supermarket e Athinës ka pasur një fluks njerëzish që blenin produkte bazike që kanë date skadence të largët. Ndërkohë, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, për Reuters tha se nga Greqia duhet të ketë një lëvizje drejt reformave, para se të preket çështja e borxhit.

Por, vetë analizat e FMN-së tregojnë se Greqia nuk mund ta kapë para vitit 2022 objektivin e borxhit në 110 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto, nga mbi 180 % që është tani.

Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)