Reflektimi nuk e dobëson
pavarësinë e BSH

Reflektimi nuk e dobëson<br />pavarësinë e BSH
Kur u publikua lajmi tronditës për vjedhjen në Thesarin e Shtetit, jo vetëm specialistët e financave, por edhe të tjerë intelektualë i hodhën një sy ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, miratuar në vitin 1997 dhe i mbështetur te neni 16 i ligjit për Dispozitat Kryesore Kushtetuese. Të gjithë të interesuarit konstatuan me këtë rast boshllëqe, të meta dhe mangësi në përmbajtjen e këtij akti të rëndësishëm, të cilat u evidentuan edhe gjatë prononcimeve në mediat e shkruara dhe ato audiovizive.

Prononcimet janë të mira, heshtja është e dëmshme. Por, përse me kaq vonesë? Mos vallë duhej pritur grabitja jo e sofistikuar në Bankë? Ja që edhe kësaj rradhe u vërtetua se, shoqëria jonë vuan nga një fenomen i dëmshëm: nuk i dalim të keqes përpara dhe vetëm kur ajo ndodh shqetësohemi, marrim edhe ndonjë masë, ndryshojmë apo edhe miratojmë ndonjë ligj tjetër.

     Megjithatë, rishikimi pjesërisht apo tërësisht i ligjit nuk juastifikon shkeljen e tij, derisa një akt juridik i tillë vazhdon të mbetet në fuqi. Pavarësia e këtij ose e atij organi, duke përfshirë edhe Bankën e Shqipërisë, nuk kushtëzohet me vitet e shumta të efekteve të ligjeve të tyre organike, ndërkohë që ata duhen ndryshuar, veç të tjerash, për t’i bërë më të qartë dhe më të plotë, çka do të garantonte më mirë pavarësinë e këtyre organeve. Kur kushtet ndryshojnë, kur përvoja pasurohet, kur praktika dikton ndryshime, nuk ka përse të ngurohet që të kryhen amendime të ligjeve.

Mirëpo, ka raste tek ambientohemi me dispozitat në fuqi, ndonëse jemi të ndërgjegjshëm që diçka nuk shkon. Sikurse duam ndonjëherë të krijojmë një qetësi relative, një gjendje pa telashe, pa ngacmime, me frikën se mund të na krijohen apo hapen probleme. Nuk e di nëse kjo lloj qetësie ka ndodhur edhe në rastin e Bankës Qendrore të shtetit tonë, megjithëse edhe rastin e saj nuk mund ta përjashtoj.

     Në këto rradhë nuk kam mundësi të ndalem gjatë dhe të shfaq mendime për ligjin në tërësi, sepse nuk jam specialist i financave dhe teknikës bankare. Madje, edhe ndaj disa çështjeve të veçanta, për të cilat do të shprehem, nuk pretendoj të jem i padiskutueshëm. Përkundrazi, do të ndjehesha i vlerësuar, po qe se ato, si edhe plot çështje të tjera, do të bëheshin objekt diskutimi. Në vijim dëshiroj që të jem me lexuesin më konkret.
     Këshilli Mbikqyrës. Në pikën 1 të nenit 42 të ligjit thuhet: “Këshilli Mbikqyrës është organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikqyrës i praktikave, i administrimit dhe operacioneve të Bankës së Shqipërisë”.

Kjo do të thotë që, nëse vërtetohen vendime të gabuara apo mbikqyrje e cekët dhe me hope, gjë që mund të shoqërohet me pasoja negative, përgjegjësia është e pashmangshme. Kuptohet, përgjegjësi jo në përgjithësi, por konkrete; jo përgjegjësi si qëllim në vetvete, por sipas rastit dhe llojit; përgjegjësi jo pa vlera, por që do të përmirësonte punën. Unë nuk e njoh përgjegjësinë reale të këtij Këshilli, as tematikën e trajtuar në mbledhjet e tij, por duke u njohur me përmbajtjen e nenit 43 të ligjit vërej që janë rrjeshtuar 15 kompetenca të rëndësishme, midis të cilave përfshihen: miratimi i të gjitha vendimeve të Bankës së Shqipërisë, raportet dhe rekomandimet që i paraqiten Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, emërimi i drejtuesve të departamenteve etj.

     Tani bëhet pyetja: Ky organ vendimmarrës dhe mbikqyrës (nënkupto: kontrollues) a mund ta parandalonte vjedhjen? Përgjigjen mund ta japin më mirë se sa kushdo tjetër organet e drejtësisë. Sidoqoftë, përgjithësisht mund të thuhet pa e tepruar aspak, se kontrolli nuk ka qenë në nivelin e duhur, ndërsa lëshimet dhe toleranca janë kthyer deri tani në një praktikë, që ka zëvendësuar zbatimin me rigorozitet të ligjit, pavarësisht ndonjë boshllëku apo pasaktësie të përmbajtjes së tij.

     Inspektori i Përgjithshëm. Sipas nenit 54 të ligjit, Kuvendi e emëron këtë funksionar me një afat pesëvjeçar. Nuk kuptohet se pse duhet ta emërojë Kuvendi, përderisa ligji përcakton, gjithashtu, se Inspektori i Përgjithshëm drejton Departamentin e Kontrollit të Bankës dhe propozon kontrollorët e këtij Departamenti, të cilët i miraton Këshilli Mbikqyrës. Ky i shqyrton edhe Raportet dhe rekomandimet e këtij Departamenti, si edhe vendos mbi ‘to. Pra, është ai që i vlerëson ato raporte dhe rekomandime, nëse këto janë të plota apo të sakta, nëse duhen miratuar, kthyer apo refuzuar. Dhe pas kësaj, çfarë bën Inspektori? Ky emërtimin e ka Inspektor i Përgjithshëm, por ka varësi të plotë nga Këshilli Mbikqyrës edhe për faktin se, sipas ligjit, paga, shpërblimet dhe kompensimet në favor të tij njësohen me ato të Zëvendësguvernatorit. Domethënë, ai është funksionar i rëndësishëm, por shumë pranë Këshillit Mbikqyrës, masdje edhe nën kontrollin e tij.

     Paga dhe shpërblimet. Anëtarët e Këshillit Mbikqyrës vendosin vetë për shpërblimet (Neni 45, pika 1), ndonëse ky tagër nuk përmendet në ligj. Këshilli Mbikqyrës përcakton shpërblimin e Guvernatorit, zëvendësguvernatorëve, si edhe të personelit të Bankës. Shuma totale e shpërblimit përfshin shpërblimet e punës (pagat), shpërblimet suplementare, si edhe kompensimet monetare ose jo monetare për shëndetin, studimet pasuniversitare, kalimin e kohës së lirë ose përfitime për banesë (Neni 45, pika 2). Standardi i shërben pavarësisë.

Por në kushtet e vendit tonë, këto (qoftë edhe pjesërisht) nuk duken të përligjura. Vërtet, ajo që të njeh ligji nuk është e kundërligjshme, veçse askush nuk të pengon të reagosh, kur diçka është e tepërt, kur krijon deiferenca të theksuara në raport me zyrtarët e tjera, madje edhe me funksionarët më të lartë të shtetit.

     Konflikti i interesave. Ky nocion paraqitet në ligj i zbehtë, i përgjithshëm dhe me elemente subjektive. Rishikimi i ligjet do të duhej të ndalej në këtë çështje, sepse është i domosdoshëm evidentimi i qartë dhe i prerë se çfarë përbën konflikti i interesit. Në të kundërtën, injorimi i tij krijon të çara, që mund të çojnë në dobësimin e kontrollit, në korrupsion dhe nepotizëm.

     Mirëbesimi i pakonceptueshëm. Në pikën 8 të Nenit 49 të ligjit thuhet: ”Të gjitha veprimet e kryera në mirëbsim nga një person me cilësinë e kryetarit ose anëtarit të Këshillit Mbikqyrës do të jenë të vlefshme, pavarësisht nga ndonjë mungesë që mund të jenë konstatuar në emërimin, rregullimin a kualifikimin e tij”. Ky është një formulim i përgjithshëm, që lejon interpretime të ndryshme dhe vlerësime subjektive. A do ta justifikonte ”mirëbesimi” cenimin e ligjit dhe pasojat e dëmshme të rrjedhura prej tij? Përgjigjia është e qartë.

Sikurse përgjigjet e disa pyetjeve të tjera: Përse ky tolerim? Përse dilte nevoja që ”mirëbesimi” të sanksionohej me ligj? Cilat duhej të qenë kriteret që ky ”mirëbesim” të konsiderohej i vlefshëm? Theksojmë, se për ”mirëbesimin” bëhet fjalë në favor të kryetarit ose anëtarit të Këshillit Mbikqyrës.

     Dhurata dhe kredira. Në nenin 57, pika 3, të ligjit thuhet: ”Asnjë anëtar ose personel i Bankës së Shqipërisë nuk duhet të pranojë ndonjë dhuratë ose kredi për veten e tij ose në emër të çdo personi me të cilin ai ka lidhje familjare, veprimtari tregtare a financiare në qoftë se pranimi në këtë rast mund të rezultojë me uljen e përkushtimit të nevojshëm ndaj detyrave të tij në Bankën e Shqipërisë”. Formulimi mendoj se është i qartë: detyrimin për të njoftuar marrjen apo ofrimin e dhuratave, ligji nuk e parashikon.

Por, po të jetë se pranimi i dhuratave ose marrja e kredive ”zbulohen” ose ”merren vesh”, problemi i zgjidhjes mbetet vlerësimi i kryerjes së detyrës. Pra, nëse ajo (detyra) është kryer me përkushtim (nuk e dimë cili person ose organ e vlerëson këtë) personit përkatës jo vetëm që nuk ”i hyn gjëmb në këmbë”, por veprimi i tij legjitimohet pa qenë nevoja të dokumentohet. Dikush mund të shprehet se, ky është supozim. Jo, këtë e thotë ligji! Unë vërtet që supozoj, por supozimi im është i bazuar.

     Ministri në mbledhje. Ministri i Financave, thuhet në ligj, mund të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Mbikqyrës, por pa të drejtën e votës, sepse është anëtar i Ekzekutivit. Por, nuk kuptohet pjesëmarrja e tij: si vëzhgues, për të ngritur ndonjë problem që preokupon Qeverinë apo Financat? Sidoqoftë, kam mendimin që kjo dispozitë ose të hiqet fare, ose të jepen sqarimet e mundshme.

     Reflektimi i Këshillit Mbikqyrës. Pa cenuar sekretin shtetëror ose atë bankar, i domosdoshëm është reflektimi transparent i asaj që ka ndodhur në Bankën e Shqipërisë, çka do të mirëpritej me mjaft interes nga publiku i gjerë. Ky reflektim, për arsye që nuk i dimë, nuk u ndje aspak në komunikatën e fundit të Këshillit Mbikqyrës. Angazhimi për stabilitet, për kontroll dhe drejtim më të mirë është sigurisht i nevojshëm. Banka duhet të jetë e pavarur, por reflektimi nuk e dobëson këtë pavarësi. Përkundrazi, tregon përgjegjësinë e drejtuesve.         


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm