TIRANË - Pas problematikës që Report Tv zbuloi në tregun e fruta-perimeve në Kamëz, bashkia ka marrë masat duke vendosur në rrugë shenjat dalluese të distancimit fizik.

Dy ditë më parë, Report Tv i dha zë asaj se çfarë ndodhte në tregun e Kamzës: Qytetarë të shumtë pa asnjë distancë nga njëri tjetri, të tjerë pa maska e doreza mbrojtëse, ndërkohë dyndjet masive në treg dhanë një panoramë edhe më problematike se sa tregu i Shkodrës para se të merreshin masat nga bashkia. Transmetimi i Report Tv solli edhe reagimin e kryebashkiakut Rakip Suli, i cili tha se do të merren masat.

Në vëzhgimin e bërë ditën e sotme për t'i shkuar deri në fund misionit për sigurinë e qytetarëve, Report Tv konstatoi se janë vendosur pullat e distancimit shoqëror.

Të  premten kryebashkiaku Rakip Suli premtoi se në këtë treg do të ishin brenda dy ditëve jo vetëm pullat e distancimit por edhe tuneli dezinfektimit. ReportTv ka mësuar se ditën e hënë në këtë treg do të ketë edhe kordon metalik për të bllokuar hyrjet dytësore të tregut ndërsa policia e rendit, ushtria dhe ajo bashkiake do të jenë me forca të shtuara. Ne do të jemi sërish të hënën në këtë treg për të parë funksionimin e rregullave për parandalimin e përhapjes së Covid-19 dhe nëse do të jetë vendosur apo jo tuneli sipas premtimit të kryebashkiakut Suli.

Këto masa janë të domosdoshme për të frenuar përhapjen e infektimit nga COVID-19. Një situatë e ngjashme në tregun e kryeqendrës së Veriut, bëri që Shkodra të radhitej e dyta pas Tiranës, me numrin më të lartë të personave të prekur nga koronavirusi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:36
Pas denoncimit të Report Tv dhe këmbënguljes së gazetarit, vendoset tuneli i dezinfektimit në tregun e Kamëz

Bashkia e Kamzës ka marrë të gjitha masat e nevojshme në tregun e saj ku shumë qytetarë drejtohen për të bërë pazaret e tyre. Pas denoncimit të Report Tv dhe këmbënguljes së gazetarit Arsen Rusta, vendoset tuneli i dezinfektimit në tregun e Kamzës. Më herët nga ana e kësaj bashkie u vendosën pullat distancuese për blerësit, ndërsa mbrëmjen e sotme tregu ka instaluar dhe tunelin për të gjithë personat që duhet të hynë brenda tij të paisur me maska dhe doreza dhe me lejen përkatëse. Ka qenë report Tv. I cili ngriti këtë problematikë dhe më pas institucionet filluan të lëvizin duke marrë të gjitha masat e kërkuara për parandalimin e përhapjes së COVID-19.