Rikthehen negociatat për reformën në drejtësi. Për 3 orë rresht ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ishte në zyrën e kryeparlamentarit Meta. Diplomati, që një ditë më parë deklaroi se nuk do të gjejë qetësi derisa të përfundoje reforma në drejtësi, ka devijuar dukshëm në kohëzgjatjen e takimeve të tij, që sipas protokollit nuk i tejkalojnë 45 minuta.  Lu u largua nga zyra e Metës pa bërë asnjë koment.

Vizita e ambasadorit tek zyra e Ilir Metës vjen pikërisht një ditë, pasi opozita vendosi të braktis punën për reformën në drejtësi e kur qoftë PD, qoftë LSI folën për nevojën e një zgjidhje politike për të. Paralelisht edhe ministri i drejtësisë Ylli Manjani zhvilloi një takim me kryetarin e Komisionit të Posaçëm të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafa.


donald lu


​Po ashtu në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, gjatë qëndrimit të Lu-së, ekspertët e nivelit të lartë i jepnin dorën e fundit kapitujve të draftit të reformës në drejtësi, përshtatur sipas rekomandimeve të Venecias, konkretisht riformatimit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. 

Drafti i hartuar pa ekpertët e PD-së do t’i dërgohet për një opinion të dytë Komisionit të Venecias. Ndërsa ekspertët e këtij komisioni do të vijnë javën e ardhshme në Tiranë për të negociuar mes palëve për të një zgjedhje konsensuale./Report TV
 
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)