Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë në draftin përfundimtar ka vendosur reduktimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës në sistemin e drejtësisë. Në projektin kushtetues është lënë i pandryshuar ajo që parashikohej në relacioni e ekspertëve, se prezenca e Presidentit, në kushtet e zgjedhjes së tij me shumicë të thjeshtë, nuk përjashton mundësinë që ai të jetë i njëanshëm. Në këto kushte, ekspertët kanë vendosur që Presidenti të emërojë vetëm formalisht anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës së Lartë Administrative, mbi propozimet konkrete që vijnë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas zhvillimit të një procesi seleksionues transparent dhe të mbështetur në kritere të përcaktuara qartë dhe të matshme. Presidenti i Republikës ka të drejtë të mospranojë propozimin e bërë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor vetëm një herë, duke dhënë shkaqet për çdo rast.

Nga ana tjetër, Presidentit të Republikës i jepen kompetenca ekskluzive për emërimin e 3 prej 9 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese (6 anëtarët e tjerë propozohet të emërohen nga Kuvendi dhe gjyqësori), në përfundim të një procesi seleksionues transparent dhe të bazuar mbi kritere objektive.

Ekspertët propozojnë gjithashtu riformatimin tërësor të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke i dhënë fund dhe mandatit të anëtarëve aktualë të tij, 3 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe do të ketë 11 anëtarë, 6 të zgjedhur nga gjyqtarët dhe 5 nga Kuvendi. Ndryshe nga sa kërkoi opozita, për përjashtimin e Ministrit të Drejtësisë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ekspertët e nivelit të lartë kanë vendosur që karrigia e ministrit të jetë aty. Ministri përjashtohet vetëm nga Tribunali Disiplinor i Drejtësisë. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)