Reforma territoriale pati si objektiv, rritjen e funksionalitetit të bashkive, uljen e kostove administrative, rritjen e eficencës dhe cilësisë së shërbimeve. Por cila ishte gjendja e vendit përpara kësaj reforme dhe pse qeveria u detyrua të ndërmarrë një sipërmarrje të tillë, e cila kërkonte një nonsens të gjerë edhe në aspektin politik?
Gjendja
Përpara kësaj reforme, me skemën e vjetër administrative të ndarë në bashki e në komuna: 80% e komunave harxhonin më shumë se gjysmën e buxhetit për paga; Në shumicën e ish-komunave nuk ofrohej asnjë shërbim për qytetarët; 267 ish-komuna gjeneronin më pak se 10% e buxhetit nga taksat lokale (varësi totale nga grantet e qeverisë); Investimet krijoheshin vetëm me fondet e qeverisë; Në fund të 2015, rezultonte një borxh i akumuluar prej 9,5 miliardë të ish bashkive dhe komunave (falimentim financiar). Ndërkohë, bashkitë e majta kishin regjistruar një numër të lartë ankesash për diskriminim financiar e në projekte në 8 vjet të qeverisjes “Berisha”.
Ndërhyrja
Ministria e Çështjeve Vendore, si një ministri pa portofol, u detyrua të shkojë drejt donatorëve për mbështetje financiare dhe ekspertizë për të realizuar reformën administrative. Projekti më i rëndësishëm ishte ai STAR 1 dhe 2, të cilët ndihmuan qeverinë të kryejë ndarjen e re territoriale dhe të përgatisë kuadrin ligjor të nevojshëm për periudhën transitore.
Në një analizë që “STAR 2” bën pas një viti pune mbi këtë reformë, thuhet: “Realizuam një reformë territoriale sipas parametrave më moderne mbështetur në konceptin e “zonave funksionale”. Reforma u mbështet nga 67% e qytetarëve në sondazhin kombëtar të realizuar nga PNUD me mbi 16,000 të intervistuar. Konsultime gjithëpërfshirëse me qytetarët dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal, bizneseve dhe shoqërisë civile. (në 55 takime publike janë konsultuar 4278 persona të identifikuar me emër mbiemër (me listë-prezencë) dhe të gjitha takimet që janë transmetuar livestream dhe të regjistruara me sistem audio-video që janë sot në arkivin e Kuvendit si pjesë e paketës së ligjit për ndarjen territoriale). Miratuam një ligj të ri për vetëqeverisjen vendore (ligji i decentralizimit).
Shtuam kompetencat e pushtetit vendor me 5 shërbime të rëndësishme. Kemi përmirësuar ndjeshëm legjislacionin vendor (8 ligje dhe mbi 15 VKM dhe Udhëzime). Kemi dyfishuar fondin e investimeve (FZHR) në krahasim me 2013 nga 5 miliardë në 10 miliardë. Kemi rritur buxhetin e qeverisjes vendore nga 2,1% e GDP në 3,1%. Menjëherë pas krijimit të 61 bashkive të reja ne vitin 2015, kemi dhënë fondin e tranzicionit prej 20 milionë dollarë. Formulë e re dhe e përmirësuar për ndarjen e grantit. Kemi rritur mesatarisht me 40% pagat në qeverisjen vendore, për stafe më të kualifikuar dhe më të motivuar”-thuhet në raport.
Impakti
Sipas raportit të Ministrisë së Çështjeve Vendore dhe STAR 2, brenda një viti nga reforma administrative, nga “optimizimi i kostove të personelit (shkurtimi i stafeve të panevojshme me mbi 3000 persona), janë kursyer rreth 10 milionë dollarë në vitin e parë (2016). Plani faktik i mbledhjes së taksave lokale për vitin 2016, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2015, është plot 30 milionë dollarë më shumë, ( ndërkohë që taksa e biznesit të vogël u bë “zero”). Pra pavarësisht uljes se taksave kemi një shtim të të ardhurave faktike të bashkive, krahasuar me 1 vit me parë. Kjo tregon rritjen e perfomancës fiskale të bashkive si rezultat i reformës dhe rritjes së eficencës së stafeve të bashkive të reja. Kemi një ulje të shpenzimeve operative me gati 10% të buxhetit (ose 3 milion dollarë).
Falë reformës territoriale u bë e mundur decentralizimi i 5 shërbimeve të rëndësishme ne vitin 2016. Për financimin e këtyre shërbimeve janë dhënë 70 milionë dollarë (për fond pagash, shpenzime operative dhe investime). Për 31 bashki janë miratuar Planet e reja të Rregullimit të Territorit pas reformës territoriale. Edhe 11 bashki të tjera me plane për 2017. Realizuar me financim të qeverisë dhe një pjesë nga fondet e donatorëve. Bashkitë e reja po investojnë për herë të parë në shërbime për zonat rurale”,-thotë ndër të tjera raporti.
Decentralizimi
Ndarja e re territoriale solli një standard të ri të pavarësisë së bashkive nga qeveria, duke decentralizuar pushtetin. Sipas statistikave të Ministrisë së Çështjeve Sociale, baskitë janë mbështetur në buxhetin e 2016, me një fond prej 3,5 miliardë leke, ose rreth 30 milionë dollarë për investime ne makineri, investime kapitale dhe shpenzime korrente. “Kemi decentralizuar një flote prej 100 ekskavatorësh (61 të rinj) qe do shërbejnë për kryerjen e këtij funksioni. Shërbimi i decentralizuar-sistemi i ujitjes dhe kullimit: Janë pastruar ne total 1600 km linear kanale ujitës dhe kullues; Janë hequr mbi 1,2 milion m3 (metër kub) dhera;
Janë investuar 138 projekte me investime kapitale (rikonstruksion, ndërtim nga e para, modernizim te sistemeve) ne 58 bashki; Është arritur një impakt prej 45,000 ha te rinj ne ujitje, 35,000 ha me ujitje te përmirësuar dhe 110 000 ha me kullim te përmirësuar. Pra nëpërmjet decentralizimit është rritur operacionaliteti me 15-20 herë më shume, sesa kur ky funksion kryhej nga 13 bordet e kullimit”,-thuhet në raport. STAR 2, është i financuar nga Partnerët ndërkombëtarë përfshirë: Bashkimin Europian, Qeverinë e Suedisë përmes Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit, Qeverinë e Italisë përmes Agjencisë Italiane të Zhvillimit, Qeverinë e Zvicrës përmes Agjencisë Zvicerane të Zhvillimit dhe Bashkëpunimit, Shtetet e Bashkuara, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar dhe PNUD. Mbështetja totale financiare për qeverinë shqiptare është 8.168.668 $. Në proces është duke u përgatitur për miratim ligji i ri për Financat Vendore, dixhitalizimi i arkivave të bashkive dhe ofrimi i shërbimeve në çdo bashki përmes zyrave me një ndalesë.
Monitorimi
Për të vëzhguar efektet reale të reformës administrative, Ministria e Çështjeve Vendore dhe “STAR 2” u ndalën në bashkitë e Fierit dhe Tepelenës, ku përmes decentralizimit bashkitë po kryejnë investime konkrete dhe eficente. Në Fier, krahas investimeve të “Rilindjes Urbane”, bashkia po përdorte për herë të parë kompetencën e administrim të kanaleve kulluese, duke ndihmuar kështu bujqësinë vendase. “Jo vetëm që është pastruar, por në gjatësinë 5 km është veshur me beton”,-tha Subashi.
Ndërkohë investime po bëhen në disa shkolla, pedonalen e qytetit dhe krijimin e një galerie artesh në mes të një lulishteje të re që po ndërtohet në një zonë e cila më parë ishte vendgrumbullim mbeturinash. “Projekti është i plotë, ka përfshirë një rikonstruksion të fasadave të pallateve, të rrugëve, ndriçimit dhe gjelbërimit”,-tha kryebashkiakut Armando Subashi. Sipas ministrit të Pushtetit Vendor në detyre, Bledi Çuçi, ky qytet është shembulli i ndryshimit për mirë. “Fieri ndoshta është një nga shembujt më domethënës të ndryshimeve që po pësojnë sot bashkitë pas reformës territoriale”,- tha Çuçi. Po ashtu edhe Tepelena ka përjetuar një transformim falë decentralizimit dhe projektit qeveritar të quajtur “Rilindja urbane”. “Faza e parë është ky shesh që shikoni, faza e dytë ka qenë hyrja, faza e tretë është rruga, faza e katërt është me projekt të përfunduar, është vazhdimësia që nga hyrja në kala”-tha kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi. Në një tryezë informuese në Gjirokastër me gazetarët, ministri ende në detyrë, Bledi Çuçi tha se bashkitë e reja kanë filluar të funksionojnë.
“Çfarë është e re dhe do mbetet për një kohë të gjatë në dinamikë të çdo zhvillimi është zbatimi i reformës. Sepse zbatimi i reformës është funksionimi i një qeverisje vendore sipas standardeve më të mira europiane. Kemi dhënë më shumë kompetenca tek bashkitë”,-tha Çuçi. Enea Hoti, këshilltar për politikat vendore, dhe një nga arkitektët kryesore të reformës administrative, renditi benefitet e kësaj reforme, të cilat ishin pjesë e raportit të renditur më sipër. “Kemi përmirësuar ndjeshëm legjislacionin vendor (8 ligje dhe mbi 15 VKM dhe Udhëzime). Kemi dyfishuar fondin e investimeve (FZHR) në krahasim me 2013 nga 5 miliardë në 10 miliardë; kemi rritur buxhetin e qeverisjes vendore nga 2,1% e GDP në 3,1%. menjëherë pas krijimit të 61 bashkive të reja ne vitin 2015, kemi dhënë fondin e tranzicionit prej 20 milionë dollar”, u shpreh Hoti.
Ndërsa menaxherja kombëtare e projektit STAR 2, Edlira Muhedini u shpreh se “ndarja e re administrative dhe territoriale e Shqipërisë ka reduktuar numrin e njësive të qeverisjes vendore, duke e kthyer administrimin e territorit në një detyrë më sfiduese, tashmë në një njësi më të madhe zonash urbane, periferike dhe rurale”. Drejtori i Agjensisë së Zbatimit të Refiormës Territoriale, Artan Shkëmbi u shpreh se po ecet me ritme të shpejta nga njësitë e reja të krijuara edhe në çështjen e ndarjes së titujve të pronësisë, një kompetencë kjo e re që iu trasnferua pushtetyit vendor.
Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)