Kryebashkiaku socialist i Patosit, Fation Duro, ka kundërshtuar propozimin për shkrirjen e bashkisë me atë të Fierit, duke argumentuar se të dhënat zyrtare të Komisionit për Reformën Territoriale nuk e klasifikojnë Patosin si një bashki me performancë të dobët.

Sipas reagimit, raporti përfundimtar i Komisionit tregon se Bashkia Patos renditet e dhjeta në rang kombëtar për funksionalitet, me 71.7 pikë në Indeksin e Funksionalitetit të Bashkive (IFB), rezultat që konsiderohet në nivel të lartë. 

Kryebashkiaku thekson se argumenti zyrtar për konsolidimin territorial është se bashkitë e vogla nuk kanë kapacitet administrativ dhe financiar për të ushtruar funksionet e tyre, por, sipas tij, të dhënat për Patosin dëshmojnë të kundërtën.

Reagimi i plotë:

Patosi nuk është bashki me performancë të dobët

Raporti përfundimtar i Komisionit nuk e paraqet Patosin si një bashki që nuk arrin të kryej funksionet e veta. Përkundrazi, në  treguesit më të rëndësishëm, Patosi renditet ndër bashkitë më të mira të Shqipërisë.

Patosi është i dhjeti në Shqipëri për funksionalitetin

Indeksi i Funksionalitetit të Bashkive, IFB, vlerëson elemente të tilla si:

 • autonomia fiskale;

 • ngurtësia e buxhetit;

 • mbulimi i funksioneve;

 • eficienca e stafit;

 • detyrimet e prapambetura.

Patosi merr 71,7 pikë dhe renditet i dhjeti ndër 61 bashkitë. Raporti e konsideron nivel të lartë çdo rezultat mbi 65 pikë.

Argumenti zyrtar për konsolidimin territorial është:

Bashkitë e vogla nuk kanë kapacitet administrativ dhe financiar të ushtrojnë funksionet.

Por në rastin e Patosit, vetë të dhënat e raportit tregojnë të kundërtën.

Krahasimi brenda Qarkut Fier

Rang vendi Bashkia Popullsia 2023 IFB

10   Patos              18.227             71,7

15  Roskovec        16.332             65,2

16   Lushnjë         63.135       65,0

23   Divjakë         24.882       59

32   Fier               101.963       55,4

40   Mallakastër   15.838       50,4

Të dhënat tregojnë se Patosi ka:

 • 16,3 pikë më shumë se Fieri;

 • performancë më të lartë se çdo bashki tjetër e qarkut;

 • rezultat të lartë edhe në shkallë kombëtare.

Pra,

Bashkia që propozohet të shkrihet ka performancë funksionale më të mirë se bashkia që propozohet ta përthithë edhe performancë funksionale më të lartë se të gjitha bashkitë e tjera të Qarkut Fier.

Cili është dështimi konkret funksional i Bashkisë Patos që kërkon heqjen e statusit të saj, kur Indeksi zyrtar i vet Komisionit e rendit të dhjetën në vend dhe dukshëm mbi Bashkinë Fier me të cilën do të bashkohet?