Mazhoranca socialiste synon që të votojë në parlament reformën administrativo-territoriale me 8 tetor ndërsa këtë të mërkurë PS dhe PD nuk gjetën konsensusin për të vijuar shqyrtimin në komisionet parlamentare. Demokratët kritikuan mazhorancën në komisionin e ligjeve ndërsa thanë se reforma është antikushtetuese dhe dëmton qytetarët.

"Jo çdo gjë u vjen duhet ta merrni me sy mbyllur. Ndarja territoriale shoqërohet me mendimin paraprak të popullsisë, nuk mundet mendimi të jetë pas, këtë për ironi e thotë neni kushtetues që i referohen zotërinjtë që e kanë propozuar dhe ligji për qeverisjen vendore. Ky komision duhet të mos e kishte pranuar, të thonte që duhet të vijë i plotë, të plotësohet, me raportet e këshillave bashkiak, të dëgjesave publike dhe të sillet këtu. Projektligji për reformën territoriale te kthehet pas dhe te futet ne procedurën kushtetuese se s’mund të ecim në shkelje të kushtetutës. Të mbarojnë dëgjesat, të merret mendimi dhe më pas të vihet këtu. Kjo reformë nuk mund të bëhet në mënyre të njëanshme, duhet konsensus politik dhe për më tepër konsensus qytetar dhe nëse nuk realizohen këto dy kushte secili nga deputetët ka të drejtë ta refuzojë këtë", tha Luçiano Boçi.

"Nuk mund të bëhen ndryshime, maskara pa pyetur opinionin publik. Banorët po kërkojnë referendume lokale. Ti japim kohën e nevojshme konsolidimit të opinionit, të pyeten qytetarët, të organizojmë referendume lokale. Kjo që po bëhet është në kundërshtim me ligjin, është nëpërkëmbje e vullnetit qytetar", Tritan Shehu.

"Nuk arritëm të dëgjojmë grupet interesit, as ekspertët. Nuk arritëm dot të dëgjojmë as komunitete që në mënyrë zyrtare i dërguan shkresë komisionit të reformës territoriale. Ne si komision i reformës territoriale nuk arritëm të mbarojmë punën tonë, ndërprerja ka qenë brutale. Ky draft nuk është produkt i komiisonit, është produkt një grupi deputetësh. Jo të masakrohet harta në këtë mënyrë pa pyetur askënd. Ju kërkoj që ky pr.ligj të shtyhet, të mos nisë procedura për miratimin e tij", Enno Bozo.

"Ju s’do shkoni tek arsyeja, por tek forca. Një ligj pa pyetur njerëzit, është dëm i madh", tha Tomor Alizoti. 

Pas debateve të ashpra, Oerd Bylykbashi kërkoi që komisioni i ligjeve të votonte kthimin e projekt-ligjit që është firmosur nga 10 deputetë të PS-së, por kryetari socialist i komisionit Ulsi Manja e hodhi poshtë.

Pasi braktisën mbledhjen, deputetët e PD-së paralajmëruan se nëse reforma votohet sipas propozimit të PS-së pa pasur ndryshime, ata do ta ankimojnë në Gjykatë Kushtetuese. 

Ndërsa komisioni vazhdoi vetëm me anëtarët e PS, Arbjan Mazniku siguroi edhe një herë se nuk do të ketë mungesë të shërbimeve për asnjë prej qytetarëve që preken nga shkrirja e bashkive.

"Unë e mirëkuptoj shqetësimin e nejrëzve, por unë u them ashtu siç u bë më mirë kur komunat u bënë bashku, do të behet më mirë kur të bëhet bashkia e madhe", tha Manziku. 

Komisioni i përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës për reformën territoriale u prish në fund të korrikut. Socialistët vijuan të vetëm duke dorëzuar në kuvend ndarjen territoriale si një ligj të propozuar nga deputetët e saj. Sipas këtij varianti, numri i bashkive, ulet nga 61 në 46. Opozita kërkon të kundërtën, duke propozuar rritjen e bashkive në 100 të tilla. Bashkimi Europian ka bërë thirrje për një reformë me konsensus por ka shtuar se një reformë e tillë nuk është kusht për negociatat për anëtarësim.